Ish-shefi i kabinetit të ish-Nënpresidentit Mike Pence ka pranuar të bashkëpunojë me Komisionin e Dhomës së Përfaqësuesve që po heton sulmin e dhunshëm të 6 janarit ndaj Kapitolit. Lajmi u konfirmua nga një person në dijeni të kësaj çështjeje, i cili foli në kushte anonimiteti.
Marc Short ishte në Kapitol më 6 janar dhe po shoqëronte Pence. Ky i fundit u detyrua ta linte në mes angazhimin e tij në Senat atë ditë, kur një grup personash u futën me dhunë në Kapitol, e disa prej tyre bënin thirrje për varje të tij. Komisioni i ka nisur një fletëthirrje për të dëshmuar zotit Short, që siç tha i njëjti burim, ai e ka pranuar.
Më 6 janar, Presidenti Donald Trump po kritikonte hapur Nënpresidentin Pence ndërsa një grup personash hynë me dhunë në ndërtesë, kjo pasi Pence nuk pranoi që në mënyrë të njëanshme të bllokonte procesin e numërimit të votave elektorale ndërsa Kongresi po çertifikonte fitoren e demokratit Joe Biden në zgjedhjet presidenciale. Pence nuk kishte asnjë fuqi ligjore për ta bërë një gjë të tillë, por kjo nuk e ndali trysninë nga ana e Presidentit Trump.
Në rolin e ndihmësit kryesor të Pence, Short ishte gjithashtu i pranishëm edhe në disa takime në Shtëpinë e Bardhë përpara sulmit të dhunshëm në Kapitol. Në një moment, Presidenti Trump ndaloi hyrjen e zotit Short në ambientet e Shtëpisë së Bardhë, pasi ai kishte kundërshtuar trysninë ndaj Pence për të ndërhyrë tek rezultati legjitim i zgjedhjeve.
Lajmi se Short do të dëshmojë para komisionit të 6 janarit u njoftua fillimisht nga rrjeti televiziv CNN./VOA/