Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, foli sot sërish lidhur me shpërthimin në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit në Zubin Potok mbrëmjen e 29 nëntorit. Për këtë shpërthim kryeministri Albin Kurti ka drejtuar gishtin nga Serbia.
Ndërkaq Vuçiç tha sot për gazetarët në Beograd se Serbia është e gatshme të bashkëpunojë në kryerjen e një hetimi me të gjitha organizatat ndërkombëtare dhe institucionet sa i përket shpërthimit në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit, në Zubin Potok të Kosovës.
“Nëse shpërthimi është kryer nga ndokush që është i kombësisë serbe, dhe ai është në territorin nën të cilin ka kontroll efektiv Serbia, ai do të ndalohet dhe arrestohet në sekondë. Deri më tani, nuk kemi informacione të tilla”, tha Vuçiç për gazetarët në Beograd.
Sipas mediave serbe, Vuçiç tha se më pak e rëndësishmja është se kush është autori, dhe më e rëndësishmja është se kush qëndron pas shpërthimit, duke hedhur poshtë mundësinë që prapa kësaj të jetë Rusia.
Shpërthimi ndodhi mbrëmjen e 29 nëntor në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut – komunë me shumicë serbe në veri të vendit. Policia e Kosovës ka thënë se sulmi është kryer me lëndë shpërthyese deri në 20 kilogramë.
Kanali Ibër-Lepenc furnizon me ujë nga Liqeni i Ujmanit gjithë veriun e Kosovës, rajonet e Mitrovicës, Prishtinën me rrethinë, si dhe Korporatën Energjetike të Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj.