Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka konfirmuar të enjten se raketa që goditi një ndërtesë banimi në Kiev dhe shkaktoi vdekjen e 12 personave ishte nga Koreja e Veriut, raporton Reuters.
Raketa KN-23 (KN-23A), e prodhuar në Korenë e Veriut, goditi një ndërtesë banimi në distriktin Sviatoshynskyi, perëndim të qendrës së Kievit, gjatë një sulmi ajror masiv të ushtrisë ruse. Burime ushtarake ukrainase i thanë Reuters se raketa ishte përdorur si pjesë e një sulmi të gjerë ajror të Rusisë.
"Po sipas informacioneve paraprake, rusët përdorën një raketë ballistike të prodhuar në Kore të Veriut. Shërbimet tona speciale po verifikojnë të gjitha detajet," shkroi Zelensky në platformën X.
Në përgjigje të këtyre deklaratave, Rusia nuk ka bërë asnjë koment, ndërkohë që si Moska ashtu edhe Pheniani kanë mohuar dërgesat e armëve që do të shkelin embargon e Kombeve të Bashkuara. Bashkëpunimi ushtarak i Rusisë me Korenë e Veriut ka pësuar një rritje të shpejtë pas izolimit ndërkombëtar të Moskës, pas pushtimit të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.
Ukraina ka akuzuar Korenë e Veriut për furnizimin e Rusisë me sasi të mëdha artilerie, sisteme raketore, mijëra trupa dhe raketa balistike, të cilat Moska ka filluar t’i përdorë për sulme kundër Ukrainës që nga fundi i vitit 2023. Agjencia e inteligjencës ushtarake të Ukrainës njofton se deri në fillim të vitit 2025, Koreja e Veriut ka furnizuar Rusinë me 148 raketa balistike KN-23 dhe KN-24.
Sipas burimeve ushtarake ukrainase, raketat KN-23 (KN-23A) janë të pajisura me kokë luftuese deri në një ton, që është më e fuqishme se raketat ekuivalente ruse. Pas sulmit të fundit rus, autoritetet e Kievit raportuan se gjithsej janë përdorur shtatë raketa balistike, përfshirë ato të klasës Iskander-M/KN-23.
Pjesëmarrja e Koresë së Veriut në luftën në Ukrainë ka shkaktuar shqetësim jo vetëm në kryeqytetet evropiane, por edhe në Seul dhe aleatët e tij në Azi.
Komente
