Donald Trump dhe Vladimir Putin

Bota

Telefonatë 1-orëshe mes Trump dhe Putin! Lideri rus: Vazhdojmë me negociatat, por nuk tërhiqemi nga qëllimet tona në Ukrainë

3 Korrik, 09:53| Përditesimi: 3 Korrik, 18:44

  • Share

Një bisedë telefonike prej afro një ore është zhvilluar sot mes presidentit rus Vladimir Putin dhe presidentit amerikan Donald Trump. Lajmi është konfirmuar nga Kremlini, përmes këshilltarit të lartë Yuri Ushakov, i cili theksoi se biseda ishte “pragmatike dhe konkrete”, me të dy liderët që ishin “në të njëjtën gjatësi vale”.

Gjatë telefonatës, Putin i përcolli Trump-it urimet me rastin e Ditës së Pavarësisë së SHBA-së, që festohet më 4 Korrik, dhe përmendi gjithashtu idenë për një shkëmbim filmash mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara – si një hap për të thelluar lidhjet kulturore.

Gjithashtu, presidenti rus ritheksoi gatishmërinë e Moskës për të vazhduar procesin e negociatave për çështjen e Ukrainës, sipas raportimeve të agjencisë ruse Tass. Ushakov nënvizoi se ky sinjal i qartë vjen në një moment kur dinamika e dialogut ndërkombëtar është ende e pasigurt.

Ndër të tjera Putin ka thënë gjatë telefonatës, sipas La Repubblica, se Rusia nuk do të tërhiqet nga qëllimet e saj në Ukrainë.

Të dy liderët diskutuan edhe mbi situatën në Iran dhe më gjerësisht në Lindjen e Mesme. Putin theksoi rëndësinë që çështja të zgjidhet me mjete politike dhe diplomatike.

Ora 10:29
Lufta në Ukrainë/ Donald Trump do të bisedojë në telefon me Putin dhe Zelensky-n

Pas ndërprerjes së pjesshme të nidhmës ushtarake amerikane ndaj Ukrinës, sulmet ruse në Ukrainë vijuan. Moska thotë se pakësimi i nidhmës ushtarake amerikane ndaj Kievit, do të afrojë fundin e luftës. Pasditen e kësaj të enjte, Donald Trump konfirmoi se do të zhvillojë një bisedë telefonike me Vladimir Putin. Më herët gjatë ditës, Politico raportoi se një telefonatë po organizohet edhe mes Presidentit Ukrainas dhe atij amerikan që pritet të ndodhë pas asaj me Putin. Shefi i Kremlinit një ditë më parë foli për 2 orë në një telefonatë me Emanuel Macron, me të cilin nuk kishte një komunikim prej thuajse 3 vitesh. 

 

Ora 10:11
Moska: 69 dronë ukrainas të shkatërruar gjatë natës

Gjatë natës, forcat ruse të mbrojtjes ajrore shkatërruan 69 dronë ukrainas. Kjo u raportua nga Ministria Ruse e Mbrojtjes. "Mbrëmë, përpjekjet e regjimit të Kievit për të kryer sulme terroriste duke përdorur 69 dronë ajrorë të drejtuar ndaj objektivave të vendosura në territorin e Federatës Ruse u penguan", thuhet në mesazh. "27 dronë u shkatërruan në territorin e rajonit të Belgorod, 22 në territorin e rajonit të Voronezh, dhjetë në territorin e rajonit të Lipetsk, tetë në territorin e rajonit të Kursk dhe dy në territorin e Krimesë", saktësoi ministria.

Ora 10:08
Zelensky investitorëve amerikanë: Mos e ndaloni ndihmën për ne

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u takua me investitorë amerikanë në Ukrainë për t'u kërkuar atyre të përdorin ndikimin e tyre në vendin e tyre për të siguruar rrjedhën e vazhdueshme të ndihmës ushtarake për Kievin, pasi Uashingtoni njoftoi një ndërprerje të kësaj rrjedhe për të vlerësuar nëse Shtetet e Bashkuara kanë rezerva të mjaftueshme armësh për të vazhduar ofrimin e këtij lloj ndihme. "Është e rëndësishme për të gjithë ne në Ukrainë që të gjithë tani të përdorin ndikimin e tyre personal për të arritur një rezultat kolektiv. Mbështetja e vazhdueshme e Shteteve të Bashkuara për Ukrainën, për mbrojtjen tonë, për popullin tonë, është në interesin tonë të përbashkët", tha Zelensky në fjalimin e tij drejtuar kombit mbrëmë. Zelensky theksoi rëndësinë e furnizimit të vazhdueshëm me pajisje të mbrojtjes ajrore për Ukrainën, duke thënë se kjo siguron "mbrojtje për të gjitha kompanitë që operojnë në shtetin tonë". Ndër llojet e armëve që Shtetet e Bashkuara kanë ndaluar përkohësisht dërgimin në Ukrainë janë raketat për sistemet kundërajrore Patriot, të cilat Ukraina i përdor për të rrëzuar raketat balistike dhe hipersonike ruse.

Ora 10:04
Kievi: 52 dronë të lëshuar sonte mbi Ukrainë, goditet Odessa

Trupat ruse sulmuan territorin ukrainas sonte me 52 dronë gjatë natës. 40 prej tyre u shkatërruan nga forcat e mbrojtjes ajrore. Kjo u deklarua nga Forcat Ajrore Ukrainase të cituara nga RBC. "Natën e 3 korrikut, armiku sulmoi me 52 dronë sulmi Shahed dhe UAV të tjerë", thuhej në deklaratën e Forcave Ajrore. Deri në orën 8 të mëngjesit sipas orës lokale, mbrojtja ajrore kishte neutralizuar 40 dronë në lindje dhe jug të vendit. Sipas raportimeve, trupat ruse sulmuan kryesisht rajonet jugore dhe veriore të Ukrainës. Dje vonë në mbrëmje, shpërthime u dëgjuan në Kiev dhe operacione të mbrojtjes ajrore u raportuan në kryeqytet. Përveç kësaj, rusët goditën Odessën natën: Kryetari i bashkisë Gennady Trukhanov raportoi se ndërtesat e banimit u dëmtuan si rezultat i sulmit, përfshirë një ndërtesë ku shpërtheu një zjarr nga kati i shtatë deri në të nëntin. Katër persona u plagosën.

 

A.I/K.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si e gjykoni etiketimin në Kuvend të Flamur Nokës 'media vari Kar-lo'?