Një demonstratë pro-kurde

Sulmi terrorist në Ankara, Partia Popullore e Kurdistanit merr përgjegjësinë! Ja historiku i tyre në Turqi

3 Tetor 2023, 15:16| Përditesimi: 7 Tetor 2023, 08:34

  • Share

Grupi militant Partia Popullore e Kurdistanit (PKK) e ka marrë përgjegjësinë për një sulm me bombë në kryeqytetin turk, Ankara, i pari kësisoj vjetëve të fundit.

Sulmi e ka nxitur Turqinë që të kryejë sulme në Irak.

Çfarë është PKK-ja?

Partia Popullore e Kurdistanit është themeluar nga Abdullah Ocalan në juglindje të Turqisë, më 1978, me një ideologji të bazuar në ide marksisto-leniniste.

Çfarë dëshiron grupi?

Ai e ka nisur një kryengritje kundër shtetit turk më 1984 me një synim fillestar për krijimin e një shteti të pavarur kurd.

Me kalimin e kohës, grupi e ka zbutur kërkesën, duke kërkuar më shumë të drejta për kurdët dhe autonomi të kufizuar për ta në juglindje të Turqisë.

Më shumë se 40.000 persona janë vrarë në konflikt dhe shumica prej tyre janë militantë. Pjesa më e madhe e luftimeve është fokusuar në zonat rurale kurde në juglindje të Turqisë, mirëpo sulme janë kryer edhe në zonat urbane.

PKK-ja konsiderohet organizatë terroriste në Turqi, Shtetet e Bashkuara dhe në Bashkimin Evropian.

Çfarë është “Batalioni i të Pavdekshmëve” i grupit?

Partia Popullore e Kurdistanit ka thënë se sulmi në Ankara është kryer nga njëri prej ekipeve të tij, i quajtur “Batalioni i të Pavdekshmëve”.

Një komandant i PKK-së e ka përshkruar në të kaluarën njësitin si grup i sulmuesve vetëvrasës.

Çfarë historie ka grupi?

PKK-ja ka operuar në Siri deri më 1998, kur Ocalan është detyruar të ikë, pas rritjes së presionit turk.

Ai është zënë nga forcat speciale turke disa muaj më vonë në Keni dhe është dënuar me vdekje nga një gjykatë turke më 1999.

Dënimi i është zvogëluar në burgim të përjetshëm në tetor të vitit 2002, pasi Turqia e pezulloi dënimin me vdekje.

Ai është ende i burgosur në një ishull afër Stambollit.

Luftimet janë pakësuar pas kapjes së Ocalanit, gjë që ka çuar në shumë armëpushime të njëanshme dhe në largimin e luftëtarëve rebelë nga Turqia.

Pas një përshkallëzimi të mëvonshëm të situatës, më 2012, Turqia dhe PKK-ja janë përfshirë në bisedime të paqes. Mirëpo ai proces, sikurse armëpushimi, kanë dështuar në korrik të vitit 2015, duke e nisur periudhën më të përgjakshme të konfliktit dhe shkatërrimin më të madh në disa zona urbane në juglindje të Turqisë.

Ku është i fokusuar konflikti tani?

Në vjetët e fundit, konflikti është bartur nga juglindja e Turqisë, kryesisht në veri të Irakut, ku PKK-ja ka baza nëpër male.

Turqia i ka dhjetëra kampe në territorin e Irakut dhe ka nisur disa herë operacione kundër militantëve atje.

Ajo shpesh edhe kryen sulme ajrore me aeroplanë dhe dronë luftarakë.

Presidenti irakian, Abdul-Latif Rashid, ka thënë në komentet e bëra të hënën se Iraku i kundërshton sulmet e vazhdueshme ajrore turke, apo prezencën e bazave turke në rajonin e tij të Kurdistanit, si dhe shpreson që do të arrihet një marrëveshje me Ankaranë për zgjidhje të këtij problemi.

Turqia shënjestron edhe milicinë Njësia Siriane për Mbrojtje të Popullit (YPG) në Siri, të cilën e konsideron të lidhur me PKK-në dhe ka kryer disa herë operacione për ta larguar grupin nga rajonet kufitare.

Megjithatë, YPG-ja është e lidhur ngushtë me aleaten kryesore të koalicionit ndërkombëtar të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara kundër grupit terrorist, Shteti Islamik.

Mbështetja e Uashingtonit për Forcat Demokratike Siriane (SDF) ka qenë burim i tensioneve mes SHBA-së dhe Turqisë ndër vite./REL 

M.T/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?