Vladimir Putin

Bota

Pearl Harbor i Moskës! Përgjigjia e Putinit për sulmin ukrainas ndaj bazave ruse? Të gjitha opsionet në tryezë

2 Qershor, 08:56| Përditesimi: 2 Qershor, 09:02

  • Share

Në vend të bisedimeve të pritura për paqe, konflikti hyn në një përshkallëzim dramatik, ku hakmarrja bërthamore ndaj Ukrainës nuk është më thjesht një hipotezë teorike. Inteligjenca e Kievit ka realizuar një aksion tronditës dhe vdekjeprurës, duke goditur në vetë themelin e konceptit rus të superfuqisë: ka shkatërruar skuadrat e bombarduesve strategjikë, një nga elementët kyç të arsenalit bërthamor të Moskës. Dhjetëra avionë me rreze të gjatë veprimi, të destinuar për të mbajtur raketat e apokalipsit, janë nxjerrë jashtë funksionit nga një tufë dronësh që depërtuan në zemër të Rusisë. Dhe jo vetëm kaq. Edhe një bazë nëndetësesh bërthamore të pajisura me raketa balistike ndërkontinentale është sulmuar dhe të paktën një nga nëndetëset dyshohet se është dëmtuar.

Goditja është jashtëzakonisht e rëndë. Sepse i shmangu të gjitha aparatet e sigurisë së Kremlinit, duke futur dhjetëra kamionë me lëshues dronësh mijëra kilometra larg kufirit: sulmet kanë ndodhur madje edhe në Siberi dhe në kufi me Arktikun. Dhe sepse i tregoi botës se sa e lehtë është të neutralizohen armatimet me të cilat Moska e bazon konfrontimin bërthamor me Shtetet e Bashkuara: gjysma e 80 avionëve të aftë për të kryer këto misione janë djegur; për t’i zëvendësuar do të nevojiten të paktën pesë vjet dhe mes 4 dhe 7 miliardë euro.

“Është Pearl Harbor-i ynë”, ka shkruar Roman Alekhin, një nga blogerët ushtarakë më të ndjekur në Rusi. Ministria e Mbrojtjes nuk ka mundur ta mohojë: dhjetëra video tregojnë zjarrin që ka përfshirë avionët e mëdhenj. Dhe ato pamje që kanë qarkulluar me shpejtësi në rrjetet sociale janë plagë e thellë për imazhin e burrit të fortë mbi të cilin Vladimir Putin ka ndërtuar autoritetin e tij.

Tani të gjithë i druhen reagimit të tij. Sipas rregullave të Moskës, sulmi ndaj bazave strategjike mjafton për të autorizuar një përgjigje bërthamore ndaj Ukrainës. “Kjo nuk është një pretekst, por një arsye e vlefshme për të nisur sulme bërthamore ndaj tyre”, kanë thirrur “Dy Gjeneralët” në kanalin Telegram që ka 1.2 milionë ndjekës. Shkabat që mbështesin linjën e ashpër po ushtrojnë presion që të dërgohet një mesazh i qartë për fuqinë ruse. Sërish përmendet mundësia e një shpërthimi të një arme bërthamore taktike në Detin e Zi: objektivi i përmendur shpesh është Ishulli i Gjarprit, i pushtuar në fillim të luftës dhe i rimarrë më pas nga komando ukrainas. Një copëz toke e vogël, por në një pozicion kyç përballë deltës së Danubit dhe pranë vendeve lindore të NATO-s. Sepse krahu nacionalist edhe më reaksionar i Kremlinit nuk beson se ukrainasit kanë qenë në gjendje të organizojnë vetë një operacion të tillë: flasin për një rol britanik dhe për bashkëpunim nga vendet balltike, pra për një agresion të lindur nga Aleanca Atlantike.

Shtëpia e Bardhë është kapur në befasi: jo vetëm që nuk do të ishte informuar nga Kievi, por nuk do të kishte as vënë re përgatitjet për sulmin që kanë zgjatur 18 muaj. Nga këndvështrimi i tyre, ukrainasit kanë ndërmarrë një sulm të përsosur: kanë goditur vetëm objektiva ushtarakë, duke djegur avionë që përdoren shpesh për të bombarduar qytetet e tyre, dhe e kanë bërë këtë pas përpjekjeve të kota për një armëpushim të zgjatur.

Zelensky, i cili ka marrë përsipër drejtimin e sulmit, kishte deklaruar ditët e fundit se “duhet ta çojmë luftën aty ku nisi, në Rusi”. Ai nuk mund të mos e dinte se goditja do ta vinte Putinin në cep, duke provokuar një kundërpërgjigje të përmasave të mëdha.

Qysh në tetor të vitit 2022, kur për herë të parë u afrua rreziku i një kundërpërgjigjeje bërthamore nga Rusia, komandanti i përgjithshëm i atëhershëm i Ukrainës, gjenerali Zaluzhny, kishte shkruar: “Përdorimi i armëve bërthamore taktike nuk do të ishte problem i yni, por i gjithë Perëndimit”. Asokohe pati një ndërhyrje të përbashkët të Uashingtonit, Londrës, Parisit dhe Berlinit që arriti të bindë Kremlinin të tërhiqej. Sot situata është shumë ndryshe. Putin e di që një hakmarrje ndaj civilëve do të dëmtonte marrëdhëniet me Trump-in, të domosdoshme për të ardhmen e Rusisë. Por njëkohësisht nuk mund të përpijë një goditje kaq të rëndë ndaj besueshmërisë së tij pa u përgjigjur në mënyrë shkatërruese. Shumë mendojnë se ai do të mjaftohet me një përgjigje me armë konvencionale, si raketa gjigante Oreshnik që në nëntor terrorizoi Dnipron. Por asnjë skenar nuk mund të përjashtohet./La Repubblica

 

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Igor: 02/06/2025 17:26

    Rusia beri gabim qe ne fillim te luftes nuk bombardoj pikat kyce ruget e hyrjeve ne Ukraine qe doti bllokonte ndihmat nga jasht,aeroportet ushtarake ,detin e zi deri ne odesa ,Ukraina ja zhduki yllin e nendeteseve Moskva Rusia nuk reagoj ,bombarduan uren e kriees rusia nuk reagoj ,ukrainasit hyren ne Kursk Rusia nuk e trgoj forcen ushtarake pra Rusia ska fuqi por vetem armet berthamore qe nuk mundet ti perdore pse e gjysma e popullit flasin Rusishten dhe ne fund Rusia nuk ka fituar asnji lufte deri tani pervec izollimin e Shqiperise ne vitin 60.

    Përgjigju
  • Ben: 02/06/2025 09:59

    Rusia eshte e marume.Ajo mbahet gjalle per luften nga z.Trump.Nato,perendimi, per 24 ore e ben Rusine telef.Presioni Rusise qe ka arme berthamore,m'duket se eshte kot,propagande.

    Përgjigju
    • Roko baroko: 02/06/2025 22:33

      Rusia eshte populli me i digjeneruar ne bote. Nuk ka shanse qe kjo lufte te fitohet nga ana saj. Dhe kapitullimi i saj do jet po perdori arme berthamore.

    • Turi: 02/06/2025 11:09

      Nuk e ke fare idene se per cfare po flet , sepse Rusia po ben lufte me gjithe Naton gjate ketyre viteve dhe i ka degjeneruar te gjithe bashke . Tani do ta shikosh se cfare fundi do te bej Ukraina dhe keta mbeshtetesit e saj do te ikin me bishtin nder shale

  • Sondazhi i ditës:

    Cilat duhet të jenë prioritetet e mandatit të katërt të qeverisë Rama?