Sulmuan me armë zjarri policët e kufirit në Morinë, SPAK dërgon për gjykim 7 trafikantët e klandestinëve

24 Shkurt, 12:15| Përditesimi: 24 Shkurt, 14:51

  • Share

SPAK mbylli hetimet dhe dërgoi kërkesën për gjykim në Gjykatën e Posaçme 7 trafikantët e klandestinëve që hapën zjarr ndaj policisë kufitare në Morinë më 25 maj 2023, të cilët po monitoronin zonën për kapjen e personave të armatosur, duke rrezikuar rëndë jetën e tyre dhe të banorëve. Bëhet fjalë për 5 sirianë dhe 2 algjerianë, pjesë e 2 grupeve kriminale të trafikut të qenieve njerëzorë që vepronin në Shqipëri dhe Kosovë.

Të shtatë aktualisht janë në masë “arrest në burg” dhe mbi ta rëndojnë akuzat vrasje e punonjësve të policisë, e mbetur në tentativë, vrasje me dashje, e mbetur në tentativë, dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm për qëllime përfitime, trafikim i armëve, dhe grup i strukturuar kriminal, të gjitha kryer në formën e bashkëpunimit të veçantë.

Sipas SPAK, nga hetimi u evidentua se kemi të bëjmë me grupe kriminale me rrezikshmëri të lartë shoqërore, me shkallë të lartë organizimi, i strukturuar me role dhe ndarje të punëve.

Grupi i parë, përbëhet nga Muhamed Shehab, Muhammed Nasir, Nagid Alabdalah dhe grupi i dytë, nga Sultan Grimash, Muhammed Radaën, Ayoub Bahhoo, e Rabi Lqadi. Një pjesë e tyre rezultojnë se kanë jetuar në Shqipëri të paktën nga viti 2019, janë kapur disa herë me emigrantë të tjerë në territorin shqiptar, duke u hequr edhe ata si emigrantë, dhe duke mos u bërë e mundur identifikimi i tyre si organizues dhe gjatë intervistimeve, kanë dhënë gjeneralitete të rreme.

Pasi janë dërguar në kampe, janë larguar nga aty, duke pasur edhe urdhra largimi nga territori shqiptar.

Në 2023, kanë jetuar mes Morinës dhe Kosovës, duke hyrë dhe dalë në mënyrë të paligjshme, kanë mbajtur armë, kanë bashkëpunuar shqiptarë, kosovarë dhe të tjerë të huaj duke organizuar dhënie ndihme për kalim të paligjshëm në disa raste. Këta dy grupe kriminale bashkëpunojnë, edhe me grupe që veprojnë në shtete të tjera, që nga vendi i origjinës, vijuar më tej edhe në Greqi, Turqi, Kosovë, Serbi, Gjermani.

SPAK ka dërguar për gjykim:

Sultan Lakdar Grimash, lindur në Algjeri alias Sadak Gramach (i arrestuar në Kosovë), hetuar me masën e sigurimit “Arrest në burg”, në mungesë, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale;
Ayoub Bahhoo, lindur dhe banues në Algjeri, hetuar me masën e sigurimit “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale;
Muhammed Radaën alias Muhamed Radouë, me kombësi dhe shtetasi siriane, hetuar me masën e sigurimit “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale;
Muhamed Shehab, me kombësi dhe shtetasi siriane, hetuar me masën e sigurimit “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale;
Rabi Lqadi alias Rabia El-Kadi, me kombësi siriane, i hetuar me masën e sigurimit “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale;
Muhammed Nasir, me kombësi dhe shtetasi siriane, hetuar me masën e sigurimit “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale;
Nagid Alabdalah alias Abu Gira, me kombësi dhe shtetasi siriane, i hetuar me masën e sigurimit “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale;

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?