Sulmuesi i Egnatias, Raphael Dwamena

Sulmuesi me 'çip' në zemër dhe bomberat e munguar në Superligë

21 Prill 2023, 17:15| Përditesimi: 21 Prill 2023, 17:17

  • Share

Zgjodhi Shqipërinë për një "jetë të dytë" dhe në më pak se katër muaj ka lënë gjurmë në Superligën e futbollit. Sulmuesi i Egnatias, Raphael Dwamena i ka bërë të gjithë për vete në Rrogozhinë, duke marrë "për dore" të tijtë drejt zonës europiane. Tetë gola dhe pesë asiste për 27-vjeçarin, në 13 ndeshje aktivizim. Me një mesatare goli prej 142 minuta për ndeshje, trajneri Edlir Tetova ka në skuadër një "xhevahir" të shumëlakuar pas ardhjes në Shqipëri.

Ganezi ka luajtur tetë ndeshje me kombëtaren e vendit të tij, duke shënuar edhe dy gola për "Yjet e Zinj". Me kontratë deri në 2024, Dwamena para dy sezonesh ishte gati të linte futbollin. Për shkak të një problemi në zemër, sulmuesi iu nënshtrua një operacioni për vendosjen e një "çipi", me defribilatorin e zemrës që mban në jetë ganezin.

Me përvojë edhe te Levante e Real Zaragoza në Spanjë, Dwamena u këshillua nga mjekët që mos merrej me aktivitet profesionist, teka vetë sulmuesi nuk hoqi dorë nga futbolli. Pas aktivizimit në ligat e ulëta në Zvicër, për shkak të rregullave mjekësore shumë vende i mbyllën derën. Dwamena thirri "Eureka" kur u has me Shqipërinë, si një vend që nuk e pengoi për aktivizimin në elitë.

27-vjeçari ka shpërblyer besimin e drejtuesve, duke treguar edhe njëherë se në Shqipëri mungojnë bomberat dhe besimi te emrat e rinj. Përtej këshillave nga mjekët, Dwamena vijon të shkëlqejë në fushë dhe të ketë mbase periudhën më produktive në sulm. Në më pak se katër muaj që luan në Shqipëri, sulmuesi është vetëm dy gola pas vendit të dytë në listën e golashënuesve (10 Nonato i Egnatias), teksa kryeson Hasani i Tiranës (15).

Ndërkohë që klubet shqiptare kanë lënë në harresë "Fidanishtet" e tyre dhe mungesa e "bomberave" si Salihi, Fortuzi apo Cikalleshi vijon, tregu i huaj ka treguar se ka sjellë golashënues të mirëfilltë në Shqipëri. Mjafton të kujtojmë Ekuban te Partizani apo Nwabueze te Laçi, që treguan nivel të lartë para portës. Tani është Dwamena që me shembullin e tij po i tregon futbollit shqiptar se golat shënohen që nga...moshat.

G.MO/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?