Shëndeti

Super DETOKS i trupit! Si të pastroni mëlçinë dhe veshkat, Ylli Merja tregon 'sekretin'

26 Maj, 15:50| Përditesimi: 26 Maj, 16:04

  • Share

A ndiheni të lodhur pa arsye? Keni fryrje, dhimbje koke, probleme me gjumin, lëkurën apo probleme me jashtëqitjen?  Këto mund të jenë vetëm disa shenja që trupi juaj po kërkon pastrim! Në emisionin "Rreze Dielli" në Report TV, specialisti i mjekësisë popullore Ylli Merja na tregon cilat janë simptomat kryesore që tregojnë se organizmi është i mbingarkuar me toksina – dhe si mund ta pastrojmë natyralisht me ndihmën e bimëve mjekësore.

“Me ndryshimin e stinëve, sidomos dalja nga dimri në pranverë, kemi një zhvillim të vrullshëm të natyrës, të cilin pa diskutim e provon dhe trupi jonë. Ndaj, ne duhet të jemi të vëmendshëm për çdo shenje që na tregon trupi ynë”, thekson Merja në fillim të bisedës.

Cilat janë simptomat që na tregojnë se organizmi ynë ka nevojë të pastrohet?

Shenjat kryesore që jep trupi janë një gojë e thatë si e hidhur, një shije metali në gojë, kjo është një simptomë që organizmi po mbushet me metale të rënda. Trupi gjithashtu përjeton një kostipacion, çrregullime në jashtëqitje, trupi është i lodhur, që në mëngjes ngrihemi të këputur. Një shenjë tjetër është një rëndesë në frymëmarrje, por dhe një bllokim në urinim dhe këtu nuk bëhet fjalë për moshën e thyer, por dhe për të rinjtë, thotë Merja. Shenjë tjetër e toksifikimit të trupit është dhe një lëkurë e thatë, një lëkurë që na kruhet shpesh, apo një lëkurë që mund të qëndrojë e skuqur sapo e prekim.  

“Detoksi është një proces që synon pastrimin e trupit nga akumulimi i toksinave, mbetjet metabolike ose substancat e dëmshme për shkak të dietës së keqe, ndotjes, medikamenteve, stresit kronik. Organet kryesore që kryejnë fuqishëm detoksifikimin, pastrimin e trupit janë mëlçia, veshka, mushkëritë dhe lëkura”, nënzivon specialisti Merja, duke treguar dhe llojet kryesore të detoksit.

- Detoksi i mëlçisë ndihmon tretjen, pastron zorrët, nxit defekimin

- Detoksi i zorrëve ndihmon tretjen, nxit defekimin

- Detoksi i gjakut rregullon formulën leukocitare, lipidogramën, largimin e substancave të dëmshme

- Detoksi i veshkave përmirëson funksionin e veshkave, largon oksalatet e kalciumit nga veshkat

- Detoksi i lëkurës nxit djersitjen dhe largon yndyrën e tepërt nga lëkura

- Detoksi limfatik stimulon sistemin limfatik për të larguar mbeturinat qelizore

“Organizmi ka vetë mekanizmat e fuqishëm të detoksit, e rëndësishme është të stimulojmë metabolizimin dhe djegien e yndyrës si dhe të largojmë ujin e tepërt nga organizmi”, shprehet Merja.

Bimët më të mira që pastrojnë dhe rigjenerojnë trupin janë gjembi i gomarit, tambëlgjaku, shafrani i Indisë, i cili mund të hidhet në gatime dhe është një nga pastrueset më të mira të mëlçisë, ndërsa bishtat e qershive janë ideale për veshkat, nënvizon specialisti i bimëve medicinale Ylli Merja, i cili na tregon sesi të pastrojmë hap pas hapi organet kryesore që detoksifikojnë organizmin.

Detoks për Mëlçinë dhe Veshkat

- Në mëngjes pini 200 ml ujë të ngrohtë me 1 lugë supe uthull molle, ½ lugë fara liri, 1 lugë kafeje xhinxher. Më pas pini 1 gotë çaj detoks dhe konsumoni një kupë kos më 2 lugë muesli, 1 lugë tahin dhe 1 lugë çaji detoks për mëlçinë

- Në drekë pini 1 gotë çaj detoks para buke, konsumoni gjellë me perime si brokoli, qepë, kungull, speca, etj.

- Pasdite pihet 1 gotë me panxhar, mollë, xhinxher, selino

- Në darkë çaj detoks para një supe me kungull, majdanoz, finok

- Ditën tjetër në mëngjes pihet uji i ngrohtë me limon dhe xhinxhër. Pihet çaji detoks 5 minuta para konsumit të mëngjesit me muesli, boronica, fara liri e chia. Në drekë pihet 1 gotë çaj detoks para një gjelle me oriz, brokoli, karota, qepë, vaj ulliri. Pasdite konsumohet një çaj me hithra, çaj të gjelbër, rradhiqe. Ndërsa në darkë një supë e lehtë me kungull e brokoli.

“Këshilla pas detoksit: Përdoren bimët si rradhiqe, qumështore, lëpjetë, hithra, lëvore frashëri, drunakuq, tambëlgjaku, fara liri, chia. Detoksi mund të zgjasë 5-7 ditë dhe gjatë këtyre ditëve duhet ndaluar sheqeri, kafeja, mishi, alkooli dhe prodhimet e bulmetit të moderuara” këshillon specialisti i mjekësisë alternative Ylli Merja.

Në fund të bisedës Merja rekomandoi që çdo individ, sidomos pas moshës 45-50 vjeçare duhet të bëjë herë pas here gjatë vitit një detoks të trupit.

 

MC/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria barazoi me Serbinë, sa shanse ka për të shkuar në Botëror?