Forcimi i monedhës kombëtare ‘lekë’, përkundrejt valutave, po zhvlerëson muaj pas muaj fitimet e bizneseve eksportuese. Në qershor eksportet e mallrave thotë INSTAT, zbritën në 34.7 miliardë lekë, nga 38.1 miliardë lekë që ishin vjet.
Kurse në 6-mujor rënia është më e madhe, pasi nëse vjet bizneset vendase kanë shitur jashtë vendit mallra me vlerë 234.2 miliardë lekë, këtë vit vlera zbriti në 199.2 miliardë lekë. Eksportet e tekstileve dhe këpucëve, kryesojnë grupet me rënien më të madhe me 5.4%, ndjekur nga energjia elektrike me 5.2% dhe materialet e ndërtimit me -2.2%.
Por përveç zhvlerësimit të valutave në raport me vitin e kaluar, ekspertët thonë se edhe ulja e çmimeve në krahasim me krizën e inflacionit ndikon në rënien e vlerës së eksporteve, pasi po shitet me çmim më të ulët se vitet e kaluara.
Ndërsa nga ana tjetër importet në qershor ishin në vlerën 77 mld lekë, duke u rritur me 2,1 %, krahasuar me vjet, por janë ulur me -3,3% në raport me muajin maj.
Edhe pse numri i turistëve në këtë 6-mujor është rritur me 34% krahasuar me vjet, çka duhet të sjellë shtim të konsumit, INSTAT thotë se importet në këtë periudhë janë rritur me vetëm 0.3% ose 1.5 miliardë lekë më shumë se vjet.
Nga janari në qershor vendi i ka shitur më pak mallra Italisë, Kosovës dhe Greqisë, dhe ka blerë më pak se vjet nga Italia, Kina dhe Maqedonia e Veriut.