AF Elbasani

Superliga e futbollit është pranë, bashkia nxjerr në shitje AF Elbasanin për 13.8 milionë lekë

14 Mars, 19:39| Përditesimi: 14 Mars, 19:40

  • Share

Bashkia e Elbasanit që është edhe aksionere me 100 përqind të aksioneve të ekipit të futbollit 'AF Elbasani' ka nxjerrë në ankand 70 përqind të tyre me vlerën fillestare 13.838.650 lekë.

Në njoftimin e datës 11 mars 2024, Agjencia e Prokurimit Publik bën me dije se "Akademia e Futbollit Elbasani" është në ankand dhe deri në datën 3 prill duhet të dorëzohen kërkesat pranë Bashkisë së Elbasanit.

"Përshkrimi i shkurtër i objektit të shitjes është se aktualisht Bashkia Elbasan është aksioner i vetëm i Shoqërisë Tregtare Sportive ‘Akademia e Futbollit Elbasan’ sh.a, duke pasur pronësinë e 100 % të aksioneve të shoqërisë. Me vendimin nr.118 datë 30.11.2023 Këshilli i Bashkisë Elbasan miratoi raportin e vlerësimit dhe autorizoi shitjen në ankand të 70 % të aksioneve”, thuhet në njoftim.

Kujtojmë se ekipi historik 'FK Elbasani' falimentoi dhe në 2021 institucioni i bashkisë krijoi "AF Elbasanin". Edhe për shkak të ligjit për klubet e sportit që nuk duhet të jenë në varësinë e bashkive, AF Elbasani do duhet të jetë me shumicën e aksioneve private.

Faximile e njoftimit

Më tej, sqarohet se vlera fillestare nga do të nisë ankandi është 13.838.650 lekë. Vendi i zhvillimit të ankandit është në ambientet e bashkisë, në sallën multifunksionale, kati i katërt. Dokumentet do të duhen të dorëzohen deri më datë 3 prill 2024, çka përkon me fazën finale të Kategorisë së Parë.

Të ndodhur në vendin e parë, AF Elbasani është pranë ngjitjes në Superligë dhe klubi i futbollit nuk mund të jetë një barrë për taksapaguesit, me bashkinë e Elbasanit që i ka paraprirë situatës dhe ka nxjerrë aksionet në ankand, duke mbajtur 30 përqind të tyre.

Pak kohë më parë edhe bashkia e Peqinit nxorri në shitje aksionet e klubit të Shkumbinit.

Faximile e njoftimit

S.Dh/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?