Egnatia kampione e ka nisur ashtu siç e mbylli në sezonin e ri. Rrogozhinasit në ndeshjen hapëse të kampionatit fituan 0-2 kundër Dinamos në ‘Elbasan Arena’. Të besuarit e Edlir Tetovës realizuan fillimisht me Vuthaj me të nisur pjesa e dytë, ndërsa më pas Regi Lushkja vulosi tre pikët.
Sakaq Teuta arriti të fitonte 2-1 me përmbysje në ndeshjen e parë të sezonit kundër Bylisit debutues. Ballshiotët realizuan me Ualison, ndërsa hero për durrsakët në ‘Niko Dovana’ u kthye veterani Emiliano Vila me ‘dopietën’ e tij.
Java e parë e Superligës mbyllet sot me dy ndeshjet që nisin në orën 20:00. Në Arenën e Demave Partizani ende pa trajner, por që stërvitet nga drejtori Abilaliaj do presë Vllazninë.
“Partizani në këto momente është më shumë gati se çdo ekip tjetër në Shqipëri pasi ka bërë më shumë ndeshje në Europë se çdo rival tjetër. Është një ndeshje e vështirë, e bukur, por në historikun e vet ka prodhuar përballje emocionuese,”-u shpreh Arbër Abilaliaj, trajner i Partizanit.
“Jemi shumë të emocionuar për nisjen e kampionatit. Jemi gati dhe të përgatitur pavarësisht se kemi disa mungesa, ashtu si edhe kundërshtari. Do luajmë për të fituar kundër Partizanit,”-tha Thomas Bradric, trajner i Vllaznisë.
Ndërkohë në Korçë në të njëjtën orë Skënderbeu do presë Elbasanin debutues.
“Do luajmë me zemër, me tru dhe për tifozët korçarë. Si ambient jemi të gjithë pozitivë,”-deklaroi Ivan Gvozdenovic, trajner i Skënderbeut.
Kjo ndeshje pritet të ketë edhe numrin më të lartë të tifozëve në këtë javë të parë të Superligës.