Trajneri i futbollit Armando Cungu thotë se Superliga e këtij sezoni ka shumë garë, por ndryshe nga vitet e tjera i mungon cilësia.
‘Ka mbetur dhe një fazë dhe gara, rivaliteti do jetë shumë i egër për titullin kampion. Mirëpo ky rivalitet nuk përkon me cilësinë. Në vitet e kaluara jemi mësuar që të kemi të paktën 2-3 ekipe që të bëjnë diferencë edhe në lojë. Këto ekipe këtë sezon nuk e bëjnë diçka të tillë,’-u shpreh ai.
Cungu, që aktualisht drejton kombëtaren U-19 dhe që në të shkuarën ka qenë trajner i disa ekipeve në Superligë, thotë se Vllaznisë i takon për të qenë kampione këtë sezon.
‘Nuk kam thënë kurrë që Vllaznia duhet ta lejë kampionatin dhe të fokusohet të Kupa. Është e detyruar të provojë në të dyja kampet. Edhe dëshira nuk mungon për të thënë se Vllaznia më pëlqen dhe duhet të jetë kampion. Në fakt edhe i takon për të qenë kampion sepse ka bërë kampionat më të mirë se skuadrat e tjera,’-tha ai.
Lidhur me diskutimin publik se kombëtaret e moshave kanë futbollistë tejet të talentuar Cungu është skeptik.
‘Shpesh herë na edhe i hiperbolizojmë gjërat, talente është fjalë e madhe. Megjithatë janë lojtar me cilësi të mira që kanë aftësi, mundësi dhe dhunti për të luajtur futboll,’-deklaroi ai.
Në fund Cungu shprehet se pandemia e ka penguar të bëjë më të mirën te kombëtarja U-19.
‘Po merremi vetëm me kampionatin shqiptar për seleksionimet e kombëtares. Grumbullime brenda vendit. Nuk kemi mundësi për të kontaktuar apo për të bërë ftesa për lojtarët shqiptarë që luajnë jashtë vendit që nuk janë pak. Një pjesë e konsiderueshme aderojnë edhe në klube me emër të madh në futbollin europian,’-u shpreh Cungu.