Futbolli shqiptar është drejt greminës. Një raport i UEFA-s tregon se në sezonin 2021-2022 Superligë, që është edhe kampionati elitar në vend, gjeneroi vetëm 6 milionë euro të ardhura, duke renditur Shqipërinë në vendin e 52 në Europë. Më keq se ne janë vetëm Andora dhe San Marino, që nuk kanë një futboll profesionist. Madje shifra e 6 milionë eurove është e barabartë me 2019, ndërsa në 2018 Superliga gjeneronte 7 milionë euro duke kapur edhe vendin e 47 në Europë. Për Report TV Eduard Prodani, ish-sekretar i FSHF-SË, sot kreu i Shoqatës Rajonale të Futbollit Tiranë, tregon arsyet përse çdo vit futbolli shqiptar është në rënie.
“E para duhet thënë që futbolli jonë prodhon shumë pak dhe më e rëndësishmja gjithmonë e më pak. Padyshim që futboilli është në renie, ne zbritje, si në aspektin teknik ashtu edhe atë financiar. Futbolli shqiptar ka një rënie të frikshme të imazhit në publik, duke rënë imazhi bie besimi, integriteti. Për pjesën më të madhe të ndeshjeve dëgjon të thuash se janë të trukuara. Gjëja e fundit që duhet të presësh në këtë rast është që publiku ta ndjekë. Për rrjedhojë edhe sponsorët nuk afrohen,”-u shpreh Eduard Prodani, ish-sekretar i FSHF-së.
Për Prdoanin situata ka vetëm një mënyrë sesi mund të zgjidhet.
“Duhet të ndryshojë koka drejtuese e futbollit. Është keqmenaxhim. Ne nuk mund të krahasohemi as me Kosovën, që i ka statistikat në rritje. Ka ide të qarta progresi,”-tha Eduard Prodani, ish-sekretar i FSHF-së.
Gjenerimi i të ardhurave bëhet i mundur nga të drejtat televizive, të ardhurat nga UEFA, shitja e biletave, sponsorët dhe reklamat.