Ministri i Brendshëm në detyrë i Kosovës, Xhelal Sveçla

Kosova & Rajoni

Sveçla: Numri nga i cili u kërcënua Kuvendi është i regjistruar në Serbi

6 Korrik, 16:45| Përditesimi: 6 Korrik, 16:54

  • Share

Ministri i Brendshëm në detyrë i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë të shtunën se autoritetet kosovare e kanë identifikuar përdoruesin e numrit telefonik nga i cili u bë një kërcënim për sulm me bombë në Kuvendin e Kosovës të shtunën.

Kërcënimi me bombë të shtunën në institucionin më të lartë ligjvënës të Kosovës - që detyroi evakuimin e deputetëve dhe shtyrjen e seancës konstituive për në mbrëmje - ishte i rrejshëm, sipas autoriteteve kosovare.

Ai tha se numri i telefonit nga i cili është bërë kërcënimi është i regjistruar në Serbi dhe i përket kompanisë telefonike MTS.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, e shpërndau njoftimin e Sveçlës dhe tha se i përgëzon institucionet shtetërore për "reagimin e shpejtë dhe profesional".

"Konfirmimi se ky kërcënim e ka origjinën në Serbi dëshmon edhe një herë luftën aktive hibride të Serbisë ndaj vendit tonë", tha Kurti.

Të shtunën, prokurori që e hetoi rastin, Zejnullah Gashi, tha se kërcënimi erdhi nga një burrë përmes telefonit dhe se një hetim kibernetik për ketë është duke u zhvilluar.

Zejnullahu shtoi se kërcënimi u bë nga një “person anonim, me zë mashkulli në gjuhën angleze dhe me një theks që ne mendojmë se është nga një shtet jomiqësor”, pa përmendur emrin e shtetit.

Policia e Kosovës, në orët e vona të së shtunës, tha se “bazuar në hetimet e deritanishme, dyshohet se kërcënimet kanë ardhur përmes një numri të telefonit i cili dyshohet se është nga Serbia”.

“Policia në bashkëpunim me prokurorinë kompetente do të vazhdojë hetimet e mëtejme, duke marrur të gjitha masat hetimore, përfshirë edhe komunikimet me partnerë ndërkombëtar të sigurisë, për të lokalizuar mjetet, rrjetet e komunikimit që janë përdoruar në këtë kërcënim", tha policia./REL

S.B/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Rama paralajmëron aksion për lirimin e hapësirave publike, si e vlerësoni?