Sylejman Kllokoqi: Ja si arrita të filmoja fshehurazi masakrën e Reçakut, ku falë asaj video në Kosovë ditën tjetër ndërhyri ushtarakisht NATO

25 Tetor 2023, 14:50| Përditesimi: 25 Tetor 2023, 15:14

  • Share

I ftuar në emisionin e mëngjesit “Rreze Dielli” në Report TV, me moderatore Androniki Kolka, ishte operatori i luftës në “Associated Press” Sylejman Kllokoqi, i cili me kamerën e tij ka qenë në shtatë fronte lufte në të gjithë botën.

”Operatori, apo kameramani siç njihet nga të gjithë, është një profesion që unë e kam nisur 30 vite më parë, ku pasioni për kamerën më dhuroi profesionin më me adrenalinë, por dhe më të rrezikshmin që mund të zgjidhja”, e nis kështu intervistën Sylejmani, duke shtuar se jeta e tij ka qenë shumë shpesh në fije të perit dhe shumë kolegë i ka humbur në luftë.  

”Puna e një operatori lufte është të dokumentojë “mëkatin” dhe si kulminacion të punës time, unë do të quaja videon e masakrës së Reçakut gjatë luftës së Kosovës dhe masakrës së Obrisë në vitin 1999” shtoi ai.  

Fuqia e imazheve që Sylejmani arriti të dokumentonte i fshehur pas ferrave, ishte e paimagjinueshme, pasi kur u shfaq në AP video e masakrës së Reçakut, ditën tjetër në Kosovë ndërhyri ushtarakisht NATO. Falë videos së tij, bota pa me sytë e saj se në Kosovë po bëhej një masakër e vërtetë mbi pupullsinë e pafajshme.

”Për shkak të profesionit, shumë herë kam parë gjëra që jam përpjekur t’i dokumentoj, dhe këtë e kam bërë nga vrulli dhe pasioni i punës pa marrë parasysh që në fund të ditës kisha dhe jetën time” vazhdoi më pas Sylejmani, duke shtuar se familja e tij ka qenë gjithmonë e para që mbante frymën sa herë që ai nisej për të xhiruar në luftëra.

”Kam humbur miq, kolegë, të cilët janë vrarë në luftëra dhe sot nuk janë më, por kurrë nuk e kam menduar që t’a lë si profesion, paçka se rreziku është aq i lartë, saqë nesër mund të mos kthehem në shtëpi” shtoi ai, duke theksuar se gjithmonë në mendje ka idenë se profesioni i tij nuk është vetëm punë, por mision mbi të gjitha.  

Profili i gazetarit dhe kameramanit të luftës është një fushë shumë pak e praktikuar për të mos thënë e rrallë. Kjo për faktin se është shumë e kushtueshme, por dhe e rrezikshme. Nëse do të bëhej një kronologji e raportimeve në luftë, padyshim që operatori Sylejman Kllokoqi nga Kosova, mban flamurin e parë. Roli i gazetarëve dhe operatorëve në këto zona konflikti është vendimtar, pasi falë tyre bota sheh qartë.

MC/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?