25 mars 2024, Suedia fitoi 1-0 miqësoren kundër Shqipërisë dhe Keidi Bare merrte 18 minuta atë takim me Kombëtaren. Në nëntë muajt e kaluar dhe nëntë ndeshjet e luajtura nga kuqezinjtë, Sylvinho e kishte lënë jashtë Baren edhe për shkak të dëmtimeve të mesfushorit.
Në verë Bare u largua nga Espanyol dhe kaloi te Real Zaragoza, duke marrë minuta. Sërish një lëndim e mban jashtë fushe paçka se Sylvinho e ka grumbulluar për dy ndeshjet e Ligës së Kombeve.
Për të treguar formën e mesfushorit ka reaguar edhe trajneri i Zaragozës, Victor Fernandez. Ai ka thënë se Bare nuk është gati për t'u bashkuar me kuqezinjtë.
“Mendonim se ndoshta do të kthehej Keidi Bare, por nuk ka bërë asnjë stërvitje me grupin. Situata me gjurin e tij po përmirësohet, por jo për të qenë pjesë e Shqipërisë për takimet e radhës”, tha trajneri i Zaragozës.