Kombëtarja shqiptare e futbollit do të nisë grumbullimin për sfidën ndaj Serbisë më 2 qershor, por trajneri Sylvinho do të duhet të marrë vendime të vështira. Nga 27 lojtarët e thirrur për dy sfidat e muajit qershor, vetëm 23 prej tyre do të përfshihen në listën zyrtare për ndeshjet, si pasojë e rregullores së UEFA-s.
Një nga emrat që pritet të sakrifikohet është portieri Mario Dajsinani. Gardiani i kampionëve të Egnatias është rikthyer në kombëtare pas tre vitesh, por me praninë e emrave si Thomas Strakosha, Elhan Kastrati dhe Alen Sherri, hapësirat për të duken të pakta.
Në mbrojtje, pritet që të mbetet jashtë edhe Adrian Bajrami, i cili nuk ka pasur minutat e mjaftueshme te Benfica, çka mund të ndikojë në vendimin final të stafit teknik.
Në mesfushë, konkurrenca është edhe më e fortë. Adrion Pajaziti shihet si një tjetër kandidat për të mos qenë pjesë e 23-shes përfundimtare, përballë emrave me përvojë si Kristjan Asllani, Ylber Ramadani, Nedim Bajrami dhe zbulimit të këtij edicioni, Juljan Shehu.
Vendimi përfundimtar do të merret nga Sylvinho në ditët në vijim, ndërsa Kombëtarja do të synojë të jetë në formën më të mirë për përballjen e rëndësishme ndaj Serbisë, e cila do të zhvillohet në “Arenën Kombëtare” më 7 qershor duke nisur nga ora 20:45. Ndeshja tjetër ndaj Letonisë do të luhet më 10 qershor, në stadiumin “Skonto Stadions”, po në orën 20:45.
Komente
