TIRANË- Arti, bën atë që ende nuk ka arritur politika, bashkimin e Ballkanit Perëndimor, përmes krijimtarisë së muzikës klasike. 12 kompozitorë nga 6 shtete i bashkohen projektit të “SYNERGY”, për të kompozuar në vendet fqinje ku do të qëndrojnë si rezidentë për dy javë.
“Përmes këtij projekti ne duam t’u japim mundësinë artistëve të rinj të njihen. Do të ketë gjithashtu ‘ëorkshope’, që do të mbahen në secilin prej 6 vendeve si dhe një ‘tur’ muzikor ku do të përfshihen artistë të mëdhenj” thotë Sara Mandic, menaxhere e projektit “Synergy”.
Janë mbi 50 muzikantë dhe menaxherë kulturorë që do të bëhen bashkë në 6 festivale të muzikës. Misionin në Shqipëri e merr përsipër festivali ndërkombëtar “Vox Baroque”, ndërsa dy artistët e përzgjedhur janë Jetmir Zaganjori dhe Kris Sopiqoti.
“Festivali ‘Vox Baroque’ është hapur prej 9 vitesh dhe tanimë ka krijuar një shkollë të muzikës baroke. Një tjetër element i veçantë i këtij Festivali është përfshirja e instrumenteve origjinale të vjetra. Shtrihet në të gjitha qytetet e Shqipërisë për të promovuar trashëgiminë kulturore, zonat turistike rurale etj”, shprehet muzikanti Jusuf Beshiri, themelues i ‘Vox Baroque’.
Në Shqipëri janë të ftuar si rezidentë dy kompozitorët Kreshnik Aliçkaj dhe Predrag Radisavlljeviç nga Kosova dhe Serbia.
“Secili nga artistët do të qëndrojë rezident në vendin fqinj duke marrë edhe nga elementët kulturorë të atij vendi. Pra do të krijohet një lloj shkëmbimi kulturor”, shprehet kitaristi Denis Bizhga, menaxher kulturor i ‘Vox Baroque’.
Projekti do të shtrihet në kohë për një periudhë 3-vjeçare dhe do të kulmojë me një festival gjithëpërfshirës.