Sali Berisha

Skënder Minxhozi: Ta gëzosh qeverinë teknike, Doktor!

28 Korrik, 22:00| Përditesimi: 28 Korrik, 22:05

  • Share

E kërkoi, ju plotësua dëshira?! Ndoshta po, ndoshta jo. Pak orë pasi Rama dhe Berisha ranë dakord për formulën e llogaritjes së mandateve parlamentare në zgjedhjet e ardhshme, Sali Berishës i është “plotësuar” një tjetër dëshirë madhore: që të shkojë në zgjedhjet e ardhshme me qeveri teknike! Brenda harkut të më pak se një minute, Edi Rama ka shkarkuar gjatë fjalimit në kongresin e sotëm, tre ministrat më të rëndësishëm të qeverisë, duke i zëvendësuar me të rinj. Që të tre, jo përfaqësues politikë të maxhorancës, por prurje teknike. Një qeveri që në shtyllën e saj kurrizore të portofoleve ministrore nuk ka lidhje me partinë që udhëheq vendin.

Natyrisht që dëshira e Doktorit në këtë rast s’ka lidhje me planet dhe projektet e Edi Ramës, por rezultati është pak a shumë i përafërt. Largohet nga qeveria një përfaqësuese e fortë e PS si Spiropali, spostohet në pozicion periferik socialisti i vjetër Balla nga poltroni i rëndë i ministrisë së brendshme, ashtu si edhe Niko Peleshi, një socialist jetëgjatë që le mbrojtjen, duke e anuar kësisoj balancën e kabinetit qeveritar drejt ministrave teknicienë.

Përtej kapaciteteve profesionale që ministrat e rinj përfaqësojnë, sot qeveria Rama i ka deleguar të gjitha postet me peshë (diplomacinë, rendin, financat dhe mbrojtjen) tek drejtues që nuk kanë asnjë lidhje zyrtare me PS dhe mandatin prej 800 mijë votash që ajo përfaqëson. Janë rekrutime teknokratësh, e jo përfaqësues të votuar të maxhorancës.

Rëndom një fenomen i tillë ndodh kur qeveritë nuk i kanë numrat në parlament, por nuk është ky rasti i kabinetit Rama. Shumica socialiste është e blinduar në Kuvend, e megjithatë qeverisja që ajo prodhon shkon gjithnjë e më tepër drejt përqindjes së ministrave pa ngjyrim politik. Paradoks që kompensohet nga figura dominante e Ramës, por që në vetvete përbën gjithsesi një nonsens politik.

Rama nuk tha asnjë fjalë për arsyet e largimit të Ballës dhe Metes, si dy figurat që morën goditje direkte nga spostimet e fundit në qeveri. Në rastin e ministrit të brendshëm Balla ky spostim i beftë mund të ketë qenë edhe një garanci e tërthortë që Rama kërkon t’i japë opozitës, duke larguar nga një post delikat e që lidhet me procesin elektoral, një emër shumë acarues për demokratët. Ndoshta edhe ky spostim ministrash jashtë ngjyrës mavi të Partisë Socialiste është në vetvete një proces që synon një mesazh paqëtues për palën tjetër në pragzgjedhje, aq më tepër që vetë PS hyn në këto zgjedhje me një rezultat thuajse të sigurt fitoreje.

Sidoqoftë përkohshmëria dhe lehtësia e skajshme e shkarkimeve nga poste ministrore me shumë peshë, shënon një tipar atipik të kësaj maxhorance ku qeveria ribëhet në piketat kryesore të saj brenda pak sekondash dhe në fund të punimeve të kongresit, kur s’ka më kohë veçse për të duartrokitur të emëruarit dhe ngushëlluar të shkarkuarit. Që të dyja palët nën shok për atë që dëgjuan…

Xh.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Mohammad: 29/07/2024 15:28

    Fakti qe Altin Dumani ju ka vajt ne zyre prokurorve sherbetor te politikes duke ju thene do ju ve prangat. Sa te jete SPAK me kesi palaco prokuror keshtu do shkoje. Edhe me toci e di qe mul noka eshte deri nfyt me trafikkante droge.

    Përgjigju
  • QAMUSH LLESH KASAP REXHEP BULE LEKA [ KEPI ]: 29/07/2024 08:47

    O zoti Skēnder Minxhozi ti ke plotēsisht tē drejt po ku do me dit Sali Sheqere Bajga. Sa tē ket njerēz si flamuri pa sgkop e si gazmend ziu Sali Bajga bo çef edhe 100 vjeç me shku.

    Përgjigju
  • Po mer po: 29/07/2024 08:29

    Ta gezoj populli se per budallejt behet

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?