Në 90 minutat e para Partizani hodhi një hap të rëndësishëm drejt turit të dytë kualifikues në Conference League, ndërsa prej ditësh punon në kompleksin e ri për ti dhënë goditjen përfundimtare Saburtalos. Të kuqtë që kanë avantazhin e fitores 0-1 të enjten do luajnë ndeshjen e kthimit kundër gjeorgjianëve në stadiumin ‘Air Albania’ në orën 20:00.
“Ne do futemi në fushë sikur është ndeshja e parë, 0-0, jo sikur është ndeshja e dytë. Do futemi me mendimin për ta fituar ndeshjen,”-u shpreh Eneo Bitri, futbollist i Partizanit.
Nëse futbollistët e Partizanit do ishin treguar më të kujdesshëm avantazhi mund të kishte qenë më i thellë, por të kuqtë premtojnë se ato gabime nuk do përsëriten më.
“Mendoj se duhet të jemi më pak të ndërgjegjshëm para porte dhe sa më shumë cinik kur shkojmë në sulm,”-deklaroi Eneo Bitri, futbollist i Partizanit.
Për këtë ndeshje të rëndësishme në Europë mbrojtësi Bitri kërkon edhe mbështetjen e tifozëve.
“Tifozët e Partizanit dihet si janë. Shpresoj në rradhë të parë të mbushin plot stadiumin pasi dihet që janë forca jonë kryesore,”-tha Eneo Bitri, futbollist i Partizanit.
Në rast kualifikimi në turin e dytë Partizani do përballet me gjigandët rumun të Steauas së Bukureshtit, ndërsa po të enjten Laçi luan ndeshjen e kthimit kundër Iskrës në Malin e Zi. Sfida e parë përfundoi me shifrat 0-0 në ‘Elbasan Arena’.