Politikë

Tabaku: Ekonomia mbahet në këmbë vetëm nga shteti, buxheti në shërbim të pakicës

30 Shtator, 16:02| Përditesimi: 30 Shtator, 16:09

  • Share

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka ngritur sërish shqetësimin për gjendjen e ekonomisë shqiptare, e cila sipas saj mbahet në këmbë vetëm nga shteti dhe jo nga prodhimi real apo rritja e konsumit qytetar.

“Gjysma e rritjes ekonomike sot vjen nga pagat e administratës publike, një administratë që është tashmë përtej çdo limiti dhe kapaciteti. Ndërsa konsumi është rritur me 12.5% vetëm falë shpenzimeve të qeverisë, jo për shkak të fuqisë blerëse të qytetarëve', tha Tabaku.

Ajo paralajmëroi se modeli ekonomik i ndërtuar nga qeveria po e kthen Shqipërinë pas në kohë, duke e krahasuar me vitet ’80, kur ekonomia ishte e komanduar dhe jo e lirë.

Sipas Tabakut, tre sektorët kryesorë bujqësia, energjia dhe industria janë në rënie, duke sjellë njëkohësisht humbje të vendeve të punës.

“Ky është një model ekonomik pa reforma strukturore, i kriminalizuar nga pastrimi i parave dhe i dëmshëm nga zhvlerësimi i euros. Ai nuk prodhon zhvillim dhe në fund pasojat i vuajnë qytetarët,” tha deputetja demokrate.

Tabaku theksoi se përqendrimi i përfitimeve vetëm tek një pakicë po e kthen buxhetin e shtetit në një instrument në shërbim të interesave të ngushta:

“Buxheti sot nuk është në shërbim të qytetarëve, por fatkeqësisht vetëm në shërbim të pakicës', tha ajo. 

S.B/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Erion Veliaj ankimon në Kushtetuese shkarkimin, si e vlerësoni?