TIRANË-Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka kritikuar ashpër modelin ekonomik të qeverisë Rama. Ajo e ka denoncuar sistemin fiskal të Shqipërisë si më të rëndin në rajon, duke e cilësuar si një strukturë që favorizon një pakicë të privilegjuar në dëm të shumicës.
Sipas saj, ky model ka krijuar një ekonomi të pabarabartë dhe ka rënduar jetën e qytetarëve.
“Sot, 95% e qytetarëve paguajnë taksa, por marrin më pak shërbime. Në anën tjetër, një pakicë e privilegjuar përfiton përjashtime fiskale, koncesione dhe kontrata publike. Ky sistem duhet të ndryshojë.”-tha Tabaku.
Deputetja theksoi se Shqipëria ka normat më të larta të TVSH-së në rajon, ndërkohë që vendet fqinje si Serbia, Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Mali i Zi kanë norma më të ulëta dhe përjashtime për shumicën e qytetarëve, jo për një pakicë të lidhur me qeverinë.
Ajo gjithashtu denoncoi faktin se ekonomia shqiptare ka rënë në një spiralë të vazhdueshme, duke u shprehur se paga minimale është jashtëzakonisht e ulët, vetëm 2.27 euro për orë, dhe se sektori industrial dhe ai i bujqësisë po kalojnë vështirësi të mëdha.
“Sektori industrial u tkurr me 30% vitin e kaluar, ndërsa eksportet bujqësore ranë me 28-29%. Kjo është një ekonomi që po vdes. Biznesi nuk investon sepse taksat e larta dhe përjashtimet klienteliste kanë shkatërruar konkurrencën,” u shpreh Tabaku.
Tabaku prezantoi planin e Partisë Demokratike për një sistem fiskal të drejtë dhe të qëndrueshëm, që ka si qëllim rritjen e investimeve dhe mbështetje për sektorët kyç të ekonomisë. Ky plan përfshin:
- Uljen e taksave për të nxitur investimet dhe krijimin e vendeve të reja pune;
- Rishikimin e TVSH-së për produktet bazë dhe mbështetje për sektorët prodhues, veçanërisht për bujqësinë dhe industrinë;
- Luftën kundër ekonomisë informale dhe eliminimin e përjashtimeve klienteliste;
- Frenimin e monopolizimit dhe oligarkisë ekonomike, duke eliminuar kontratat dhe përjashtimet për bizneset që janë afër qeverisë.
“Ky sistem ekonomik ka prodhuar pasiguri dhe varfëri për shumicën e shqiptarëve, dhe ne do ta ndryshojmë këtë me një plan të qartë dhe të drejtpërdrejtë, që do të vendosë qytetarin dhe shumicën në qendër të zhvillimit,” përfundoi Tabaku.
Si një pasojë e sistemit të pabarabartë fiskal, 95% e qytetarëve shqiptarë janë të detyruar të paguajnë taksa të larta, ndërkohë që ata përfitojnë më pak shërbime. Sipas Tabakut, ky model ka sjellë një rënie të madhe të sektorëve kyç të ekonomisë dhe një rritje të informalitetit dhe papunësisë.
Ajo theksoi se për të krijuar një ekonomi të qëndrueshme dhe të drejtë, duhet një sistem fiskal i thjeshtuar dhe një mbështetje më të madhe për sektorët që mund të kontribuojnë në zhvillimin ekonomik të vendit.
Në këtë kuadër sipas saj Partia Demokratike do të provojë të sjellë një model më të drejtë, ku taksat e ulëta dhe mbështetja për bizneset do të krijojnë mundësi për zhvillim dhe rritje të ekonomisë, në përfitim të qytetarëve dhe të gjithë shtresave të shoqërisë.
Komente
