Deputetja e PD-së Jorida Tabaku

Politikë

Tabaku: Ndërtimi mund të kthehet në një flluskë të rrezikshme për ekonominë shqiptare

13 Tetor, 13:57| Përditesimi: 13 Tetor, 14:06

  • Share

Gjatë fjalës së saj në Komisionin e Ekonomisë, Financave dhe Punësimit, deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka ngritur një sërë shqetësimesh gjatë seancës dëgjimore me Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë Gent Sejko, duke vënë theksin te rënia e euros, rritja e çmimeve dhe përqendrimi i ekonomisë te sektori i ndërtimit.

“Më vjen mirë që SEPA u bë realitet më 1 tetor dhe shpresojmë që edhe Kryeministri ta ketë mësuar, pasi u ka thënë njerëzve që nisi më 1 janar,” tha Tabaku.

Më tej Tabaku theksoi se ekonomia shqiptare po përballet me një strukturë të dobët dhe të paqëndrueshme.

“Kjo pasqyrohet edhe në të dhënat e punësimit dhe produktivitetit. Papunësia që raportoni është nominale, sepse punësimi po zhvendoset drejt sektorëve jo produktivë,” deklaroi ajo.

Ndërsa po ashtu Tabaku ngriti shqetësimin që lidhet me inflacionin dhe koston e jetesës, ku sipas saj shifrat zyrtare nuk përputhen me realitetin e qytetarëve.

“Si ka mundësi që zhvlerësimi i euros dhe ulja e çmimeve në tregjet ndërkombëtare nuk janë reflektuar në produktet e shportës së konsumit? Inflacioni 2.2% nuk ndjehet në xhepat e shqiptarëve që sot harxhojnë 40% të të ardhurave për ushqime,” u shpreh deputetja demokrate.

Duke iu referuar ndërtimit, Tabaku paralajmëroi se ekonomia po përballet me rrezikun e një flluske.

“Koha mesatare e shitjes së një apartamenti është 10 muaj, indeksi i banesave është rritur me 25% dhe ka një rritje vjetore mbi 40%. A mendoni se kemi një flluskë në tregun e ndërtimit? 50% e banesave komerciale janë financuar me kredi. Po shohim gjithashtu një rritje të blerjeve nga jo-rezidentë. A keni indicie se pas këtyre blerjeve mund të fshihen para të pista?”, pyeti ajo.

Ajo nënvizoi gjithashtu se Shqipëria nuk po arrin potencialin e vet ekonomik, duke mbetur e varur nga turizmi dhe remitancat, një model që “nuk është i qëndrueshëm në afatgjatë”.

“Në vend që të mbështetemi te sektorët produktivë, ekonomia mbahet gjallë nga paratë që vijnë nga jashtë. Është koha që Parlamenti të marrë rolin e vet kontrollues dhe të mos lejojë që ekonomia shqiptare të kthehet në një laborator eksperimental ku përfitojnë pakica të lidhura me pushtetin, ndërsa shumica e qytetarëve përballet çdo ditë me rritje çmimesh, paga të ulëta dhe pamundësi për një jetë normale,” përfundoi deputetja Tabaku.

A.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Qeveria ndaloi përdorimin e monopatinave, si ju duket vendimi?