Transparenca për koncesionet, Tabaku paketë ndryshimesh: Përgjegjësia të jetë personale! Braçe: Mbështes draftin, jo koncesione të reja këtë vit që rishikohet ligji

18 Janar 2023, 11:00| Përditesimi: 18 Janar 2023, 17:01

  • Share

Përmes një pakete ligjore të depozituar në Kuvend, deputetja e PD Jorida Tabaku kërkon rritjen e transperancës gjatë dhënies së kontratave koncesionare dhe PPP, me qëllim që të shmangen rastet abuzive dhe kostot që rëndojnë mbi buxhetin e shtetit. Në komisionin e ligjeve ku nisi shqyrtimi i paketës, Tabaku tha se ligji aktual lë hapësira për interpretime, ndërkohë duhet të përjashtohen si përfitues persona që janë nën hetim, pasi ligji aktual nuk e kufizon. 

“Në 2023 nuk mund te fshihemi pas përgjegjësisë kolektive. Duhet përgjegjësi personale për dikë që merr vendim. Skualifikimi në rastin e veprave penale. Ajo që është miratuar më parë, është e cunguar, kur persona që janë të përfshirë në vepra penale nuk përjashtohen, këta të përjashtohen. Edhe kur është në një proces gjyqësor dhe nuk ka vendim të formës së prerë. Sipas min. së Financave, djegësat marrin lekët edhe pse adiminstratorët janë nën hetim. Kompaninë paguhen edhe pa përmbushur detyrimet, edhe kur falimentojnë. Kur ka deklarata të rreme. Raporti financiar duhet të jetë i plotë dhe vërteton situatën financiare të kompanisë, deri në 50 % të vlerës së investimit. Janë dhënë koncesione si inceneratorët, vetëm me një letër të bankës së nivelit të dytë, dhe janë dhënë kredi, pa kolateral tjetër”, tha Tabaku.

Ndërkaq zv.ministrja e financave Vasilika Vjero, tha se është duke u bërë një rishikim i plotë i ligjit të koncesioneve në bashkëpunim me BB dhe FMN, pasi një pjesë e konsiderueshme e legjislacionit aktual nuk është përafruar me atë të BE.   

“Do të vijë në 6 mujorin e dytë të vitit, të miratohet deri në fund të vitit. Të gjitha ndryshimet të behen në të njëjtën kohë, te sjellim një dokument të konsoliduar në parlament”, tha Vjero.

Por për Tabakun është e kotë të presësh një vit derisa të vijë ligji, ndërkohë që koncesionet rrezikojnë stabilitetin financiar të buxhetit të shtetit.

“Koncesionet kanë norma fitimi më të lartë se çdo biznes tjetër, në vend, kanë ardhur me duar në xhepa, nuk kanë pasur asnjë investim dhe asnjë eksperiencë, rasti i Aeroportit të Rinasit”, tha Tabaku.

Në mbështetje të draftit të Tabakut, u shpreh edhe deputeti socialist Erion Braçe, i cili tha se qëndronin arugmentet e paraqitura lidhur me transparencën, ndërsa theksoi se nuk duhet të firmosen kontrata të reja koncesionesh me ligjin aktual, kur po hartohet një ligj i ri.  

“Kam thënë që angazhimet te koncesioni i markimit të karburanteve, dhe u kuptua më pas kush ishte pronari i vërtetë dhe kush derivonte. Transparenca më intereson mua. Kjo largon. Për inceneratorët, ju e keni betejën tuaj, por të presim hetimin. Është e padrejtë që gjatë kësaj periudhe të jepen kontrata të reja koncesionare, apo të rinovohen dhe ne ndryshojmë ligjin, është e padrejtë në aspektin e konkurrencës. Dikush tjetër do konkurrojë me rregulla të reja”, tha Braçe.

Braçe tha se në ndryshimet e ligjit të koncesioneve duhet të përcaktohet kufizim i operatorëve që marrin kontratat, me qëllim që mos të përfitojë I njëjti subjekt disa herë. Ai kërkoi nga ministria e financave listën e kërkesave për koncesione e PPP të depozituara për këtë vit apo ato që rinovohen.

Edhe deputetët e opozitës Edmond Spaho dhe Dashamir Shehu, ngritën shqetesimin se koncesionet kanë pasur kosto të jashtëzakonshme për buxhetin, ku çdo vepër e ndërtuar me këto kontrata ka kushtuar shumë më shtrenjtë se me gara tenderimi.

“Inceneratorët është skemë mashtrimi, nuk ka lidhje me koncesion. Nëse jemi dyshues bashkë, të mblidhemi e ta ndalojmë. Ta diskutojmë me shumë seriozitet, koncesionet janë afatgjata, do kalojnë disa qeveri, të mos paguhen edhe pas 10 vitesh. Hajde merremi sot që të reduktojmë një pjesë të kësaj që është bërë”, tha Shehi.

“Është propozim i mirë. Ka parashikuar qeveria koncesione të reja edhe në këtë buxhet, nuk bllokohet dot. Nëse nuk ka i bllokojmë”, tha Spaho.

Komisioni i Ekonomisë rrëzoi propozimin tjetër të Tabakut për të ndalur efektet e ligjit për investimet strategjike të miratuar nga qeveria në 2015, me një afat 3 vjeçar. Sipas Tabakut ligji u miratua si trazitor dhe do përfundonte në 2018, por është ndryshuar 4 herë vetëm për shtyrjen e afatit, ndërkohë që në këto vite janë dhënë vetëm 36 investime strategjike.

Ora 11:49
Braçe për investitorin strategjik: S’më mbush mendjen shtyrja e afatit! S’mund të prokurojmë si në shekullin e shkuar

 

Deputeti i PS, Erion Braçe nuk bie dakord me propozimin e Tabakut për shtyrjen e afatit për subjektet e interesuar për përfitimin e statusit “Investim/investitor strategjik, procedurë e asistuar/e vecantë” investitor strategjik.

“Ka disa tipologji të investitorit strategjik. Ka investitor që operon në tokën e vet, ka një tipologji tjetër që është investitor ku tokën  e vë në dispozicion të shtetit duke ndërhyrë dhe në tokë të dikujt tjetër.

Jam kundër kësaj historie. Nëse dikush do të ndërtojë projekt në tokë të tjetër kujt, s’ka pse bëhet shteti pjesë këtu. Kush ndërton për qëllimi përfitimi duhet t’i nënshtrohet të gjitha rregullave që i nënshtrohet gjithkush tjetër dhe çmimi të vendoset nga i zoti i pronës. Shoh që ka operatorë që mua më rezulton se nuk janë dështim. I është vënë toka në dispozicion nga shteti dhe kanë bërë super projekte. Referojuni rastit të fundit të një hoteli të bërë në Hamallë.

Rezerva ime ka të bëjë me 2 gjëra, duhet garë dhe për këtë. Pushteti vë në dispozicion tokë publike dhe duhet garë. Kredi mund të marrim të gjithë nëse kemi në dispocion tokën. Tjetra që kam është për zbatimin e kontratës. S’mund të vijojmë të prokurojmë si në shekullin e shkuar. Më vjen keq Tabaku por s’më mbush dot mendjen shtyrja apo afrimi i afatit”, tha Braçe.

Ora 11:34
Statusi i investitorit strategjik, Tabaku: Rrezikohet të përdoret nga PS në fushatë! Të ndryshohet afati për paraqitjen e kërkesave nga subjektet e interesuara

 

Komisioni Parlamentar për Ekonominë dhe Financat po diskuton propozimin e ardhur nga PD, të deputetes Jorida Tabaku, të projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 55/2015, “Për Investimet Strategjike në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”. Duke risjellë në vemendje se si, raste si ai i Portit të Durrësit, Tabaku tha se këto janë shembujt kuptimplotë se si pasuritë shtetërore i falen kompanive private, në lidhje me qeverinë ose atyre, pronësia e të cilave mbetet e dyshimtë për shkak të regjistrimit në parajsa fiskale.

Ndonësë, fillimisht ligji parashikonte se afati i fundit për paraqitjen e kërkesave nga subjektet investuese të interesuara për përfshirjen në procedurat për përfitimin e statusit “Investim/investitor strategjik, procedurë e asistuar/e vecantë” do të ishte data 31 dhjetor 2018, Tabaku tha se katër ndryshimet që e pasuan ligjin, mazhoranca vendosi që ky afat të shtyhej deri më 31 dhjetor 2023, duke shtuar kështu dyshimet se ligji mund të përdoret si shpërblim gjatë këtij viti zgjedhor për të gjithë subjektet që do të qëndrojnë pranë dhe mbështesin Partinë Socialiste.

“Kam propozuar që afati për paraqitjen e kërkesave nga subjektet e interesuara të ndryshohet duke përcaktuar si afat datën 1 janar 2023 dhe për rrjedhojë, çdo projekt që do të paraqitet jashtë këtij afati të refuzohet apriroi nga Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve. Miratimi i këtij Projektligji, i cili nuk parashikon asnjë efekt financiar për Buxhetin e Shtetit, do t’i mbyllte rrugë çdo përpjekje që kompani apo biznese të lidhura me nivelet e larta drejtuese të shtetit apo qeverisë, si dhe funksionarë të lartë që fshihen pas këtyre bizneseve të përfitojnë pasuri të cmuara shtetërore, duke u përjashtuar njëkohësisht nga detyrimet tatimore. Nga ana tjetër, dhënia fund e këtyre praktikave që shihen me dyshim edhe nga institucionet e Bashkimit Evropian, sic është komunikuar nga qëndrimi i Delegacionit të BE-së në Tiranë së fundmi, lidhur me projektin e Portit të Durrësit, është një sinjal pozitiv në kuadër të procesit të negociatave”, tha Tabaku.

Ora 11:15
Shehi kritika qeverisë: Jemi vend fukarenjsh, s'e kuptoj urgjencën për kontrata koncesionare! T'i bllokojmë si e gjithë Europa

Deputeti Dashamir Shehi nuk ka kursyer kritikat drejt qeverisë për kontratat koncesionare duke thënë se ka urgjencë për koncesionet ndërsa jemi vend i varfër.

“Po ju them disa komisione, Rapiskani, që s’kishte as Rapi as Skani. U shit për 500 mijë lekë. Është turp i madh për qeverinë. Ato kamionët që kalojnë me drogë, nga Rapiskani kalojnë. Kjo se zhvesh nga përgjegjësia këtë qeveri dhe atë qeveri që ka qenë 1 vit më parë në 2013. Nëse kishte vagabondë në atë qeveri më parë, që besoj se ka pasur, ju duhet ta kishit rregulluar këtë gjë. Kjo linjë është koncensionarëve ka qenë dhe më parë, por është amplifikuar. 

Çdo kontratë koncensionare, megjithëse kemi bërë një ligj, mund të bëjmë dhe propozimet e zonjës Tabaku, duhet të jetë përgjegjësi kolektive. Edhe me dash të hetojmë ne nesër, s’ka ça bëjmë më. Duhet të të futemi në burg, se ne e kemi bërë ligj.

Kontratat janë politike. Ata që ndajnë paret vjedhin me ligj. Për hir të Europës pas nja 1 viti mund të bëhet diçka. Kryeministri duhet të mbajë përgjegjësi, s’mban përgjegjësi parlamenti për këtë punë. Jam për ligjin e zonjës Tabaku që ta shohim me kujdes. Nuk kemi ndonjë urgjencë ne. Duhet të ndryshojë pak raporti se nuk kemi mundësinë e Danimarkës e Suedisë. Jemi vend fukarenjsh. Ne japim shërbimet me koncesion. Shërbimet që na bënin 10 lekë, për efekt të koncesionit. Ça është kjo urgjencë që kemi për koncesionet. Shifrat e koncesioneve, të shpërndara ndër vite, të ripara projektet, i kanë prurë këtu. Ka një tufë që kërkojnë koncesione të tjera dhe ne do jemi këtu vitin tjetër që të numërojmë paret.

Koncesionet do vazhdojnë të jepen se ka një tufë që kërkojnë dhe ne do jemi këtu vitin tjetër, do numërojmë paret. Koncesionet shkelen dhe janë shkelur dhe nga qeveria e mëparshme. Ndaj them; e bllokojmë sot dhe e bëjmë si gjithë Europa”, tha Shehi.

Ora 11:13
Koncesionet, Braçe: S’mund të ketë kontratë pa u treguar pronari përfitues! Mos t’u jepen të njëjtëve operatore, por të shpërndahen

Deputeti socialiste Erion Braçe në komisionin e Ekonomisë teksa po diskutohet për ligjin mbi koncesionet dhe partneritetin publik privat, tha se nuk mund të ketë kontratë koncesioni pa treguar deri në fund pronarin përfitues. Po ashtu Braçe tha se duhet të ketë një kufizim të numrit të kontratave që përfiton një operator dhe të shpërndahen jo të shkojnë disa herë tek i njëjti operator.

‘Po të largojmë politizimin vijmë tek gjëja racionale. Për mua është e padrejtë që gjatë kësaj periudhe të jepen kontrata koncesionare ndërkohë që në fund të vitit ndryshojmë rregullat. Pse unë sot duhet të konkuroj me këtë ligj ndërkohë që në fund të vitit dikush tjetër do të konkurojë me rregulla të tjera për të njëjtën

Nga pikëpamja formale ajo që ka sjellë Tabaku qëndron. Nuk është rastësi që ka marrë të gjitha dokumentet e inceneratorit të djegësve. Interesi më i madh sot është të hetohet dhe të gjykohet dhe të administrohen e të bëhen ndryshime ligjo.

Nuk ka kontratë koncesioni pa treguar pronarin përfitues deri në fund fare. Sepse po japim o pjesë nga pasuria kombëtare ose shërbime që janë në kurriz të fëmijëve tanë. E dyta do të ketë ndonjë kufizim për numrin e kontratave që përfiton i njëjti operator sepse nuk mund të shkojë një herë 2 herë 3 herë kjo gjë në të njëjtin operator apo në të njëjtin grup operatorësh. Duhet shpërndarë.’- tha Braçe.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?