Deputetja demokrate, Jorida Tabaku denoncon se në vitet e fundit, numri i nxënësve në shkolla është ulur ndjeshëm. Sipas saj, shifrat flasin për një realitet të zymtë, teksa vetëm në 5 vitet e fundit, në shkolla janë 61 mijë nxënës më pak. Kjo, siç shprehet ajo, vjen si pasojë e politikave të qeverisë.
Deputetja thekson gjithashtu se në një dekadë, rënia kap shifrën e 31%, ose 112 mijë nxënës më pak.
“Ndërsa emocionet e ditës së parë të shkollës kanë kaluar, shifrat kokëforta flasin për një realitet trishtë e thuajse tragjik. Vetëm në 5 vitet e fundit janë 61 mijë nxënës më pak në bankat e shkollës. Në një dekadë, rënia është 31% – plot 112 mijë nxënës më pak se kur erdhën socialistët në pushtet. Një krizë e një kombi që po zvogëlohet dhe zbehet ditë pas dite. Në thuajse 70 njësi administrative ka më pak se 100 fëmijë. Çdo ditë që kalon, Shqipëria humbet nga pak të ardhmen. Ulja e lindshmërisë është pasojë e një sistemi që nuk ofron siguri: çmime të rritura, pasiguri në punë, pasiguri ekonomike, pasiguri në jetën e përditshme. Shqipëria po plaket përpara se të zhvillohet.”, thotë Tabaku.
Shigjeton qeverinë duke thënë se po mundohet të mbulojë këtë realitet me propagandë.
"Shkollat bosh janë pasqyra më e dhimbshme e këtij realiteti. Ndërsa emigrimi gërryen vendin, qeveria përpiqet ta mbulojë me propagandë dhe projekte fantashkencore digjitale. Një vend i ndarë mes boshatisjes së fshatrave dhe një Tirane të mbingarkuar është një vend i dënuar të humbasë betejën me të ardhmen. Prandaj beteja jonë është çdo ditë kundër këtij sistemi të padrejtë. Sepse ai godet në rrënjë familjen dhe të ardhmen e Shqipërisë.”, shton deputetja.
Komente
