Deputetja e PD, Jorida Tabaku ka reaguar për integrimin në BE dhe për disa çështje për të cilat është e shqetësuar dhe pretendon se procesi rrezikon të kthehet në nul. Me anë të një postimi në rrjete sociale, Tabaku thotë se arsyeja përse çdo përpjekje mund të shkojë dëm është iniciativa e fundit për projektin për dhënie të shtetësisë shqiptare për investitorë të huaj dhe të pasur.
“Standardet dhe vlerat e BE nuk mund të jenë për shitje! Shqipëria pas një përpjekje të gjatë 30 vjeçare nisi segmentin e fundit të procesit të integrimit përmes hapjes së dritares së negociatave. Normalisht kjo duhet të shënonte dhe fundin e procesit të integrimit.
Një proces tejet delikat për nga natyra aq sa edhe kryeministri u detyrua të ndërronte drejtim dhe të risillte në jetë Ministrinë e Integrimit qoftë edhe si emër! Kjo duhet të kthehej në një prioritet kombëtar, ku çdo ligj iniciativë dhe çdo përpjekje të ishte në funksion e shërbim të këtij procesi!
Por e gjitha gjithë rrezikon të kthehet në nul. Arsyeja është iniciativa e fundit, dhe jo vetëm, për shitjen e nënshtetësisë të ashtuquajturën pasaporta të florinjta! Kjo përveçse një pengesë e panevojshme do të kthehet njëkohësisht dhe ne problem për sigurinë por dhe për pastrimin e parave.”, shkruan Tabaku.
Ndër të tjera thekson se edhe amnistia fiskale do të kthejë Shqipërinë në vend për pastrimin e parave. Ndër të tjera thotë se politika duhet të diskutojë për zhvillim dhe integrim, jo të tërheqë asetet e vendosura në mënyrë kriminale. Teksa përsërit se vlerat dhe standardet e BE nuk mund të jenë për shitje, Tabaku thotë se asnjë shqiptar nuk do tregojë lirinë e tij për udhëtim pa viza në këmbim të ligjit për pastrim parash.
“Së bashku me amnistinë fiskale rrezikojnë të kthejnë Shqipërinë në një vend ky pastrimi i parave do të zyrtarizohet me ligj. Kjo se pari tregoj dështimin e politikave ekonomike, menaxhimit buxhetor por dhe varfërinë e strategjive për tërheqjen e investimeve të huaja si dhe kapitalit vendas. Në kohë krize, rritje çmimesh e inflacioni, rënie konsumi e rritje te varfërisë politikët duhet te jene në shërbim te shumicës.
Sot e gjithë politika duhet të diskutojë për një strategji kombëtare për zhvillim e integrim, për politika për të diversifikuar energjinë, si mund të mbështesim turizmin e bujqësinë dhe jo si të tërheqim kapital e aseteve ta vendosura në mënyrë kriminale e korruptive që cenojnë stabilitetin por dhe të ardhmen.
Kush dyshon mjafton të lexojë prononcimin e delegacionit të BE për Reporter. Më tej të shohë se si raportet e BE kanë kërcënuar qeverinë për këto hapa anormalë. Askush nga shqiptarët nuk do të tregtojë lirinë e tij për të udhëtuar pa viza në BE në këmbim të një ligji që pastron paratë e pista të atyre që nënshtetësinë tonë e kërkojnë sepse na mendojnë një lavatriçe e madhe apo një trampolinë për në BE”, shkroi Tabaku.
Amnistia fiskale dhe penale është nisëm ligjore e ndërmarrë nga qeveria shqiptare për të falur të gjitha gjobat, kamatëvonesat e pasurisë që deklarohet, nëse kryhet regjistrimi i pasurisë së disponuar në 30-vjeçarin e fundit, të kryera deri në datën e hyrjes në fuqi të ligjit. Personave që aplikojnë për amnisti fiskale u ruhet anonimati dhe nuk i fillojnë procedurat e ndjekjes penale.
Lajmi kryesor: