PARIS - Tadej Pogacar është konfirmuar si kampioni absolut i Tour de France, duke e fituar këtë turne për herë të katërt në karrierë dhe duke hyrë përfundimisht në historinë e çiklizmit botëror.
26-vjeçari slloven u kurorëzua në Champs-Élysées, duke u bërë çiklisti më i ri në histori që fiton katër herë Tour de France, pas triumfeve në edicionet 2020, 2021 dhe 2024. Me këtë sukses, ai ka vendosur gjithashtu një rekord të ri; gjashtë edicione radhazi në podiumin e Turit më prestigjioz të botës.
Pogacar la pas Jonas Vingegaard, danezin që ka qenë rivali i tij kryesor në vitet e fundit, si dhe gjermanin Florian Lipowitz, duke siguruar jo vetëm fanellën e verdhë të liderit të përgjithshëm, por edhe atë me pika për ngjitjen malore, një dëshmi e dominimit të tij si çiklist i gjithanshëm.
Në etapën e fundit në rrugët e Parisit, Pogacar tentoi edhe një sukses të rrallë, duke u shkëputur nga grupi kryesor në përpjekje për të fituar vetë këtë fazë përmbyllëse. Por në ngjitjen e fundit të vogël në Montmartre, ishte belgu Wout van Aert ai që kreu një shkëputje vendimtare dhe mori fitoren e etapës.
Megjithatë, spektakli dhe dominimi i Pogacar përgjatë gjithë garës nuk la asnjë dyshim, ai është figura qendrore e çiklizmit botëror, një kampion i ri që po ndërton karrierë brilante.
Tadej Pogacar kampion i Tour de France 2025
Komente
