Gara finale e Tour de France në Paris, Tadej Pogacar triumfon në çiklizëm

Sport

Tadej Pogacar 'mbreti' i ri i çiklizmit botëror, fiton për herë të katërt Tour de France

28 Korrik, 09:31| Përditesimi: 28 Korrik, 09:33

  • Share

PARIS - Tadej Pogacar është konfirmuar si kampioni absolut i Tour de France, duke e fituar këtë turne për herë të katërt në karrierë dhe duke hyrë përfundimisht në historinë e çiklizmit botëror.

26-vjeçari slloven u kurorëzua në Champs-Élysées, duke u bërë çiklisti më i ri në histori që fiton katër herë Tour de France, pas triumfeve në edicionet 2020, 2021 dhe 2024. Me këtë sukses, ai ka vendosur gjithashtu një rekord të ri; gjashtë edicione radhazi në podiumin e Turit më prestigjioz të botës.

Pogacar la pas Jonas Vingegaard, danezin që ka qenë rivali i tij kryesor në vitet e fundit, si dhe gjermanin Florian Lipowitz, duke siguruar jo vetëm fanellën e verdhë të liderit të përgjithshëm, por edhe atë me pika për ngjitjen malore, një dëshmi e dominimit të tij si çiklist i gjithanshëm.

Në etapën e fundit në rrugët e Parisit, Pogacar tentoi edhe një sukses të rrallë, duke u shkëputur nga grupi kryesor në përpjekje për të fituar vetë këtë fazë përmbyllëse. Por në ngjitjen e fundit të vogël në Montmartre, ishte belgu Wout van Aert ai që kreu një shkëputje vendimtare dhe mori fitoren e etapës.

Megjithatë, spektakli dhe dominimi i Pogacar përgjatë gjithë garës nuk la asnjë dyshim, ai është figura qendrore e çiklizmit botëror, një kampion i ri që po ndërton karrierë brilante.

Tadej Pogacar kampion i Tour de France 2025

S.Dh/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si mendoni se po menaxhohet situata me zjarret?