Kultura

Takim në një lumë të egër! Austriakja, ekspozitë për Vjosën! Monika Pichler: Punët e mia, apel për ruajtjen e natyrës!

24 Shtator, 13:34| Përditesimi: 24 Shtator, 17:04

  • Share

Kur dëgjoi dhe lexoi në mediat austriake në lidhje me lumin e Vjosës, Monika Pichler ndihej shumë e intriguar të punonte artistikisht në lidhje me të. Temën e lumit e kishte eksploruar edhe më parë, por jo për Vjosën, i fundmi lumë i egër në Evropë. Shumë shpejt ajo erdhi në Shqipëri dhe për një muaj mori shumë fotografi nga Vjosa dhe gurë nga lumi, mbi të cilët më pas printoi fotografi të shkrepura në Vjosë, punë, që tani mund të shikohen në ekspozitën personale të Pichler, “Meeting at a Ëild River” në galerinë “Zeta” në Tiranë, deri më 28 shtator. Artistja erdhi në Shqipëri si pjesë e një rezidence artistike një mujore të mbështetur prej më shumë se 10 vitesh nga Ambasada e Austrisë në Shqipëri.

“Që në fillim e pata të qartë: unë dua që ekspozita që po shihni të jetë një përzierje e punëve që po sjell nga Austria, por të ketë edhe referimin shqiptar, të punojmë me diçka shqiptare. Gurët janë të mbledhur këtu dhe janë punuar këtu. Kurse një pjesë tjetër e punëve ardhur nga Austria dhe është ngjyrosur në Shqipëri.”, - thotë Pichler për "Report TV".

Artistja fotografon dhe mbledh material, të cilin e monton në mjedise dhe konstelacione të reja, e transferon mbi copë ose gur. Ajo punon me tekstile, kadife pa viza dhe mëndafsh, me lino dhe me gurë. Punimet realizohen nga printimi me ekran, kombinuar me teknikën e kolorimit. Gjatë kësaj pune ajo shfrytëzon parimin e montazhit, të cilin e aplikon jo vetëm formalisht dhe për estetikë, por edhe për përmbajtje.

Pichler thotë se përmes këtyre punëve kërkon të theksojë që Vjosa është  një lumë shumë i rëndësishëm, që duhet të ruhet patjetër.

“Unë në përgjithësi në punën time si artiste apeloj për ruajtjen e natyrës. Domethënë përkon shumë mirë puna ime në përgjithësi si artiste me çështjen e Vjosës dhe absolutisht mendoj që Vjosa duhet ruajtur si lumi i fundit i egër në Europë, një lumë shumë i bukur, shumë i veçantë.”

Ajo shpjegon që në punët e saj përzien gjithmonë realitetin me fantazinë, me dy botë paralele: atë që jeton si njeri dhe atë që do të dëshironte, ndërkohë që këto punë janë pa asnjë dyshim historia e saj personale. Kjo histori dëshmohet edhe në punën që është zgjedhur të jetë edhe posteri i ekspozitës. Atje ajo pasqyron historinë e një mikut dhe bashkëpunëtorit të saj, të ndarë nga jeta pas një sëmundje të rëndë, e që ka realizuar një printim të veçantë, ku shfaqet hija e Pichler mbi lumin Vjosë.

“Nëse ai do të ishte gjallë ai do ishte pjesë e kësaj ekspozite me me kontributin e tij dhe unë doja që në një farë mënyre ta sillja atë në këtë ekspozitë dhe e realizova nëpërmjet kësaj pune.”

Pjesë e kësaj pune është dhe vetë Pichler me një foto të vetën dhe vajza e saj, e ndarë po ashtu nga jeta, kur ishte vetëm 12 vjeç, ndërsa shpjegon se ka montuar fotografinë e së bijës në imazhin e një maceje.

“Kur erdha në Tiranë, qenia e parë që kam kam parë e me të cilën kam komunikuar ka qenë një mace e vogël në rrugë. Kështu lindi dhe ideja që ta sillja edhe time bijë, ta bëja pjesë të ekspozitës në këtë mënyrë.”

Pichler vëren se është mrekulluar nga Shqipëria, ndaj mendon që edhe në vijim të vijë me të tjera krijime artistike, që kanë në qendër natyrën dhe ndërgjegjësimin në lidhje me tema të mjedisit.

B.G/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Erion Veliaj ankimon në Kushtetuese shkarkimin, si e vlerësoni?