DOSJE 3/ Takimi i Ramiz Alisë me studentët në ‘Pallatin e Brigadave’: Vetëm një gjë do jua them, mos ma merrni për keq, nuk më erdhi mirë që nuk m’u bindët

9 Dhjetor 2021, 20:03| Përditesimi: 9 Dhjetor 2021, 22:35

  • Share

Ramiz Alia: Ju falemnderit shumë. Prandaj unë bisedoj me zemër të hapur me juve ,sepse edhe unë kam dëshirë të dëgjoj mendimet tuaja. Mendimet tuaja m’i thoni ashtu si i keni,  që të di edhe mundësisht sa më të përmbledhura.

Shinasi Rama: Kërkesa jonë është kjo, që të formulohet qartë pluralizmi politik.

Ramiz Alia: Kjo ide që keni ju është formuluar shumë qartë në këtë vendim.

Shinasi Rama: Më duket se është një frazë…!

Ramiz Alia: Nuk ka rëndësi hiç kjo. E ke gabim ti, e ke gabim dhe po ta shpjegoj se pse. Ky fakt që shprehu mendimi se është në dobi të demokratizimit të jetës së vendit dhe pluralizimit, krijimi… (ndërhyrje nga salla). Si the ti? Ne sot po bisedojmë, ti thua s’është në rregull. Me këtë mbaron ky muhabet. E kuptoni është qartë kjo. A është e qartë kjo?

Zef Brozi: Po është e qartë. Po, që ju jeni dakord me pluralizmin.

Ramiz Alia: Po jam dakord, edhe Komiteti Qendror i Partisë shprehu këtë mendim.

( ..Shkëmbime fjalësh në sallë…)

Mimoza Ferraj: Shoku Ramiz më falni, kisha një pyetje direkte për ju.

Arben Imami: Lëre tani.

Azem Hajdari: Desha t’ju sqaroj për një çështje këtu. Nji herë në radhë të parë dua t’ju flas në emër të organizatës të ‘Intelektualëve të rinj’, që është krijuar këto ditë. Dua t’ju siguroj që kjo lëvizje…

Ramiz Alia: Duhet të shkoni atje njëherë, në Ministrinë e Drejtësisë, e keni parasysh këtë (qesh)

Azem Hajdari:..që është menduar kjo lëvizje ka qëllime demokratike në mbështetje të reformave të ndërmarra nga vetë ju si president. Nuk është një lëvizje e imponuar, as e blerë, as e shitur dhe as ashtu si mund të jetë interpretuar. Kjo..

Ramiz Alia: Se ka interpretuar asnjëherë shtypi

(Nga salla ndërhyn Mimoza Ferraj: Shtypi  e interpretoj shoku Ramiz, si një lëvizje që bie në kundërshtim me politikën e partisë.).

Azem Hajdari: S’është e vërtetë, s’është e vërtetë.

Ramia Alia: Shiko e keni gabim, e keni gabim. Ju ftoj se, shiko, që kur të hyni në dialog të jeni të informuar mirë dhe të saktë se ndryshe humbim kohën kot. Se themi fjalë që nuk janë thënë. Nuk ka thënë askush nuk e ka thënë këtë. Është tjetër problem minimizimi, është tjetër problem, keqinterpretimi është tjetër.

(ka ndërhyrje nga salla)

Azem Hajdari: Neve shoku Ramiz, të kemi paraqitur një program në emër të kësaj lëvizjeje dhe ky program është i paraqitur nga ne duke pasur parasysh ndjenjat kombëtare dhe asnjë gjë tjetër, dhe demokracinë e cila ka hyrë në një rrjedhë të pëlqyeshme për popullin, por kemi mendimin se mund të ishte edhe më e përshpejtuar. Faktikisht kemi menduar që, se ashtu siç the edhe ti që demokracia nuk është bulevard, ka pasur pengesa. Këto pengesa për mendimin tim, dhe po ju shpreh edhe mendimin e shokëve të kësaj  Lëvizjes të Intelektualëve të Rinj, këto pengesa për popullin tonë në këtë periudhë që jemi janë të vështira. Gjithashtu edhe për Ju.

(ka ndërhyrje nga salla….debat ndërmjet  djemëve..)

Azem Hajdari: Shiko unë fol edhe në emrin tuj..

Ramiz Alia: Fol more vëlla fol, të ndigjojmë. Të shikoj se çfarë do thuash

Azem Hajdari: Prandaj neve jemi të kënaqur që pranuat dialogun, pavarësisht se u krijuan disa vështirësi për me ardhë tek dialogu.

Ramiz Alia: Vështirësitë juve i krijuat

Azem Hajdari: Vështirësitë mund ti quajmë në përgjithësi, edhe objektive edhe subjektive. (ndërhyn Zef Brozis’ka rëndësi kjo, gjëra të kaluara. Të vazhdojmë). A është kjo siguria nga ana jonë që kjo nuk është një lëvizje si mund të jetë interpretuar jo nga shtypi, por nga persona të veçantë. Nuk kam parasysh atë mendimin zyrtar, por atë që është thanë, atë mendimin që është thënë se është rebelim, është turp kjo. Rinia studentore mendoj unë është e domosdoshme ta mbështesni Ju si President, Presidiumi i Kuvendit Popullor, në këto reforma dhe Partinë si inisiatore të parë, në këto reforma demokratike. Kjo është një ndihmë e madhe.

Ramiz Alia: Kjo duhet mbështetur me të gjitha forcat.

Azem Hajdari: Me të gjitha forcat.

Ramiz Alia Demokratizimi i jetës së vendit është alfa dhe omega e zhvillimit tonë. Këtë të tërë duhet ta kemi të qartë.

Azem Hajdari: Prandaj ne me këtë program…

Ramiz Alia: Vetëm një gjë. Më fal që të ndërpreva, më fal se jam më plak unë ëëë, vetëm duhet patur parasysh një gjë, duhet pak durim, se nuk bëhen punët aq kollaj.

Azem Hajdari: Neve nuk është se s’jemi për durim, faktikisht jemi për demokraci…

Ramiz Alia: Ashtu. Unë do ju shpjegoj faktikisht pse duhet durim…

Azem Hajdari: Jemi për durim, po durimi duhet të jetë. Po në rast se hymë në procese demokratike, kjo është e mira e gjithë popullit tonë, dëshira e gjithë popullit tonë ne në këto procese duhet të jemi këmbëngulës. Them këto sepse neve në këtë program që kemi paraqit dhe kemi miratue pikë për pikë mendimin e gjithë studentëve, është parashtruar me gjithë studentët dhe neve si përfaqësues këtu jemi të autorizuar nga ata që ta mbrojmë këtë program me, dmth të hyjmë në dialog për këtë program, të paraqesim ato argumentat tonë për çdo pikë të programit.

(ndërhynë Ramiz Alia: shumë mirë). Shokët studenta…

Ramiz Alia: Mua do mi paraqisni këto?

(Ndërhyrje nga salla: Popullit shoku Ramiz).

Ramiz Alia: Mua nuk më duhen këto gjëra. Dëgjo..Programin duhet ju para së gjithash ta paraqisni, kupton, në Ministrinë e Drejtësisë.

(Salla: Nuk është program janë kërkesa).

Ramiz Alia: A më fal, po tha programin ky.

(Salla: E ka gabim ai).

Ramiz Alia: A e ka gabim aaaa. Dakord, dakord dakord.

Azem Hajdari: Kërkesa kërkesa, jo program.

Ramiz Alia: A janë kërkesa, po tha program ky, prandaj thashë

Azem Hajdari: Kjo lëvizje demokratike, këtu siç e sheh jemi përfaqësues nga çdo fakultet, duke përfshirë këtu Institutin Bujqësor, Institutin e Lartë të Arteve edhe Institutin “Vojo Kushi”. Gjithashtu kemi edhe disa pedagogë, të cilët përfaqësojnë pedagogët e rinj, që do bëjnë pjesë në këtë lëvizje intelektualësh. Prandaj ne kemi ardh t’i shprehim këto kërkesa nëpërmjet kësaj përfaqësie dhe të ju sigurojmë për bindjen tonë për këto kërkesa. Kërkesa e parë siç dihet është mbështetja juaj në reformat demokratike, besoj që kjo do t’ju dihet. Ndërsa për kërkesa të tjera, ti programin e njeh, tani mund të flasë ky shoku që ka programin. Jo programin, kërkesat. Shokët studenta më kanë thënë që t’ju kërkoj, sipas mundësive të juaja, që ky dialog, duke pasur parasysh, të inçizohet dhe ta transmetojmë dhe ta ndigjojnë studentët.

Ramiz Alia: Është inçizuar, dhe do transmetohet. Të gjitha.

Azem Hajdari: Kjo është e mira jonë, e mira e studentëve, dhe e mira e të gjithë atyre që duan ta fusin në kanale të tjera këtë…

Ramiz Alia: Jo e keqja e tyre

Azem Hajdari: E keqja e tyre ( Ramizi qesh, qesh edhe salla).

Ramiz Alia: E keqja e tyre, se po të ishte e mira…

Blendi Gonxhe: Ju lutem ta falni Azemin se është jashtëzakonisht i lodhur, ka mbajtur mbi supe peshën e katër, mbase pesë ditëve, dhe mbase nuk shprehet në kohën e duhur. Ju lutem ta falni.

Ramiz Alia: Shiko nuk jam mësues gjuhe unë. Nuk i vë re ato. Unë vura re idetë që tha, se ato lapsuset s’janë gjë hiç, tani s’ka rëndësi kjo. Tani shiko ju lutem shumë shkurt dhe në gjëra konkrete, në gjëra konkrete që me të vërtetë ia vlen barra për të diskutuar.

Arben Imami: Me qenë se Ju keni bërë një plenum partie, i cili avancon në pozitat e mëparshme të Partisë së Punës së Shqipërisë, ajo me të cilën ne kemi ardhur të bisedojmë do të ndryshojë, d.m.th relativisht kërkesa jonë ndryshon, kërkesa e studentëve edhe e pedagogëve, të cilët janë bashkuar me lëvizjen studentore, e cila është një lëvizje intelektuale, e cila nuk dëshiron për asnjë moment të ndodhin eksese në këtë lëvizje, që nuk dëshiron që të fusin hundët e tyre në këtë lëvizje ultra të djathtët apo ultra të majtët.

Ramiz Alia: Vetëm një gjë do jua them, mos ma merrni për keq. Nuk më erdhi mirë që nuk m’u bindët. Ju thashë të veni në mësim dhe ta diskutojmë.

Tefalin Malshyti: Shoku Ramiz, thatë pa kushte, thatë pa kushte…

Ramiz Alia: Po po pa kushte, por në bisedim…

Azem Hajdari: Shoku Ramiz unë kam qenë atë natë kur na pritët juve. Dhe doja t’ju sqaroj diçka..

Ramiz Alia: Lëre mos e sqaro, hiç fare mos e sqaro…

Azem Hajdari: Është për tu sqaruar se këtu zë zanafillë problemi.

Ramiz Alia: Jo jo. Lëre Azem tashti, lëre tani historitë. Çfarë ke ti djalë?

Arben Imami: D.m.th., ‘Lëvizja Studentore’ nuk kërkon organizata të cilat shpallen subjekte elektorale ose etj. etj. Përse Partia jonë ose Kuvendi jonë ka frikë, ta përcaktojë qartë dhe saktë parti politike? Atëherë interpretimet do të ishin të pamundura dhe për këtë si President juve do na ndihmonit, dhe do të ndihmonit gjithë forcat demokratike.

Ramiz Alia: Tashti …

Arben Imami: Një minut ju lutem. Sepse përsa kohë është organizatë, apo është shoqatë apo parti politike, atëherë forcat e djathta që aktualisht kanë potencial në shtetin tonë…

Ramiz Alia: Në shtetin tonë?

Arben Imami: Forcat e majta, më falni më falni, pardon, pardon. Forcat e majta. Burokrati që do të mbahet në në karrige atë mënyrë për mua është  i majtë, është e majta ekstreme.

Ramiz Alia: Është e djathta.

Arben Imami: Për ne është i majtë.

Ramiz Alia: Si është i majtë? Është i djathtë.

Arben Imami: Mvaret si e shikon. Për ne ju jeni në qendër ( Ramizi qesh, edhe salla) Për ne janë e majta ekstreme, unë kështu e perceptoj. Megjithëse e majta e djathta varet nga e shikon.

Ramiz Alia: E mirë, mirë…

Arben Imami: Duhet ta nisim nga kategoritë bazë në qeveri. Neve nuk kemi kohë për tu marrë me këtë punë.

Një vajzë nga salla:  Kush është burokrat e pengon këtë gjë? Jeni me ne apo jo?

Ramiz Alia: Kushdo është burokrat pengon. Jo në këtë situatë, por në çdo periudhë të shoqërisë burokratizmi është frenim i zhvillimit. Edhe këtu është e njëjta gjë.

Arben Imami: Shoku Ramiz, shoku President, njëkohësisht edhe për forcat e djathta, që ekzistojnë këtu,  që ka ekstremistë të djathtë që duan të përfitojnë nga kjo situatë, lëvizje pozitive revolucionare e rinisë, dhe ndoshta t’i japin edhe drejtime të tjera, dhe ndoshta kanë bërë edhe provokime, që këta shokë, sidomos ato që kanë qenë në krye të kësaj pune nuk i kanë lejuar ose të paktën janë munduar të mos i lejojnë, themelimi , mundësia e partive të tjera, ato do ti linte jashtë partive. Sepse ato duke qenë të djathtë dhe me idera fashiste, nuk do të kishin mundësi të paraqisnin programet e tyre.

Ramiz Alia: Nuk del njeri me idera fashiste.

Arben Imami: Atëherë në qoftë se nuk do të dali atëhere, pavarësisht…unë jam për këtë…

Ramiz Alia: Mos u bëj, se je goxha djalë, mos u bëj naiv.

Arben Imami: Këtë e di. Pavarësisht, në qoftë se ata nuk dalin, ata do të militojnë brenda një organizate, brenda një partie politike të caktuar, dhe pavarësisht nga bindjet e tyre ata do të zbatojnë atë program, nëse zbatojnë programin dhe paguajnë kuotat ato janë në rregull me partinë e tyre, le të themi social-demokrate, i vemë edhe katër emra mbrapa, nuk ka rëndësi se çfarë partie. Por ato nuk mund të peshkojnë në këtë ujë të turbullt. Ky është mendimi  im. Situata është shumë e turbullt shoku Ramiz. Unë jam pedagog. Jap regjizurë në shkollë. Pardje e mora vesh, dje vajta në vend dhe nuk mund të rrija pa vajtur për të parë se çfarë ndodh dhe pse s’ndodh. Ndenja gjithë ditën dhe, edhe këta djem e kanë të pamundur ta mbajnë situatën të tërë nën kontroll. Nuk e kontrollojnë dot.

Ramiz Alia: Pse? Sepse kanë ardhur forca të tjera?

Arben Imami: Jo se kanë ardhur forca të tjera. Jo jo jo. (ndërhyn salla: jo jo). Nuk mund të mbahet totalisht në qoftë se nuk plotësohen këto kërkesa.

Ramiz Alia: Po mirë pra me këtë ….

Arben Imami; Unë jam i mendimit se kjo kërkesa nuk plotëson atë që shtrojnë studentët.

Ramiz Alia: Ajo e plotëson plotësisht.

Tefalin Malshyti: Nuk e plotëson plotësisht.

Ramiz Alia: Pse?

Tefalin Malshyti: E para është sepse ne në këto kushte në qoftë se, mund t’i lexojmë këto, Për shembull një pikë e kësaj kërkese është ne jemi përkrahës të reformave demokratike. (ndërhyn Ramiz Alia: lërë këtë, vazhdo më poshtë). Kalojmë tek pika tjetër…

Ramiz Alia: Kalo tek ajo organizatës që thua ti.

Tefalin Malshyti: Prit se janë kështu. Kërkojmë pluralizëm politik si shkalla më e lartë e demokracisë së sotme.

Ramiz Alia: Po bukuri, mirë.

Tefalin Malshyti Si pasojë të lejohet krijimi i organizatës së pavarur politike të ‘Studentëve dhe intelektualëve të rinj’.

Ramiz Alia: Po, e lejojmë.

Tefalin Malshyti: Statutin e së cilës ne do e paraqesim në Ministrinë e Drejtësisë.

Ramiz Alia: Shumë bukur. Paraqiteni përpara Ministrisë e Drejtësisë statutin thuaj, si organizatë siç thoni ju. S’ka asgjë këtu, paraqiteni dhe pikë.

Tefalin Malshyti: A është e vërtetë që mund të na lejohet që nesër?

Ramiz Alia: Ju lejohet  që nesër…që nesër. Paraqiteni para Ministrisë së Drejtësisë

Tefalin Malshyti: Që nesër, se në bazë të këtij legjislacioni nuk ka një pikë e tillë që e pranon këtë, që e pranon këtë.

Ramiz Alia: Paraqitemi në bazë të asaj.

Zef Brozi: Ju shokë studentë do ta konsideroni një organizatë shoqërore padyshim kërkon miratimin e Ministrisë së Drejtësisë.

Ramiz Alia: A është politike edhe kjo?

Zef Brozi: Problemi është, nëse është organizatë politike.

Ramiz Alia: Atëherë paraqiteni para Ministrisë së Drejtësisë programin dhe Ministria e Drejtësisë do të japë mendimin për…

Zef Brozi: Kam një mëdyshje nëse do të konsiderohet vërtetë me atë emërtesën organizatë politike?

Ramiz Alia: Quhet politike, edhe politike..? parashikohet organizatë politike.

Zef Brozi: Atëherë do të konfirmohet edhe nga ndonjë organ partiak?

Ramiz Alia: Jo s’ka nevojë.

Zef Brozi: Mendoj se po sepse kushtetuta nuk e lejon një gjë të tillë?

Ramiz Alia: Nuk e kërkon kushtetuta. Prandaj juve paraqisni para Ministrisë së Drejtësisë programin tuaj. Kërkoni aprovimin tuaj sipas rregullave dhe normave që ka ministria e Drejtësisë për organizatat shoqërore, politike dhe ajo duhet ta aprovojë. Kështu që kjo iku. Çfarë ka tjetër.

Tefalin Malshyti: Jo ne kishim këtu me një fjalë

Ramiz Alia: Prit, prit prit. Ça ka ndonjë gjë (ndërhyrje nga salla: këtë pikë shoku Ramiz). Kjo pikë është e qartë, s’ka asnjë problem.

Arben Imami: Prit se nuk është e qartë shoku Ramiz se këtu thuhet kërkojmë pluralizëm politik (reagime nga salla)

Arben Meçe: Në qoftë se ne nesër  duam të fillojë aktivitetin kjo organizatë.

Ramiz Alia: Organet e drejtësisë do ju japin përgjigje.

Arben Meçe: A na pengojnë organet e drejtësisë për këtë gjë?

Ramiz Alia: Medoemos duhet të presësh vendimin për krijimin e kësaj organizate.

Arben Meçe: Pra duhet të presim? Gjendja është shumë e elektrizuar atje dhe ne duhet të vemi sot tu japim përgjigje, përgjigjen tuaj.

Ramiz Alia: Juve do veni.

(me zë të lartë. Si deklamacion) Shiko shokë studentë. Unë po ju drejtohem ju që të paraqitni programin e Organizatës tuaj, përpara Ministrisë së Drejtësisë, e cila sipas rregullave dhe normave do t’ju japë menjëherë përgjigje për këtë çështje.  Urdhëro,  ia transmetova studentëve.

Arben Meçe: E dyta, shumë familje nëpër rrethe janë të dezinformuar për çështjen këtu. Rrugët nuk i dihet. Televizioni ynë e ka dhënë ashtu si e mendoi., organ kompetent për atë punë. Nuk e ka dhënë ai dezinformimin e ka dhënë tjetërkush. E kanë dhënë elementët armiq,  me qëllim që të shqetësohen edhe shokët tanë, edhe prindërit tanë, dhe gjithçka që kemi ne, miqtë tanë. Dhe kjo pasqyrohet në telefonatat që bëjnë ata ku insistojnë veçanërisht për shëndetin. A nuk do të ishte e mirë nga ana e shtypit tonë që sot të njoftonte për këtë organizim dhe kjo do të ishte e mirë….

Ramiz Alia: Ike nga ajo. Ç’po them unë këtu. Kjo që po bisedojmë ne këtu do të transmetohet. Do transmetohet në emisionet e Televizionit.

Dikush nga salla: Të mos trajtohet si e dorës së dytë…

Ramiz Alia: Mund të transmetohet. Do të transmetohet në emisionet e televizionit. E dorës së dytë apo e dorës së parë, nuk jam unë redaktori i lajmeve.(ndërhynë Arben Meçe: Të na falni shoku Ramiz….) .. Kjo bisedë që po bëjmë tashti, unë propozoj të shkojë në qytetin e student dhe kështu siç është e regjistruar të transmetohet.

Blendi Gonxhe: Shoku Ramiz, ju besojmë plotësisht.

Arben Meçe: Shoku Ramiz më fal. Për këtë problem që jemi mbledhur ne këtu sot,  ju mblodhët një Plenium të tërë.

Ramiz Alia: Jo vetëm për këtë…

Arben Meçe: Ky ka qenë problemi kryesor, ju vetë e thatë. A duhet që edhe shtypi, ta shtyjë këtë për një emision të veçantë. Më duket zvarritje?

Ramiz Alia: Për cilën?

Arben Meçe: Këtë sot që po mblidhemi ne.

Ramiz Alia: Shtypi ka dhënë sqarime ditën e parë. Për konsekuencë edhe sot në gazetë, që thoshte që juve u mblodhët, bëtë kërkesat tuaja, kërkuat takim me presidentin, presidenti…

(Ndërhyn një vajzë nga salla: Po thanë 400 veta)

Ramiz Alia: Je informuar keq. Nuk janë dhënë 400 veta dhe prapë je informuar keq. Asnjë shifër nuk është dhënë. Prandaj shiko juve vë re që nuk jeni mirë informuar.

Redaktori i TV: Shiko, shiko, më falni shoku Ramiz. Unë jam redaktori i Televizionit  dhe nuk janë thënë gjëra të tilla. Të paktën Televizioni nuk ka dhënë një lajm të tillë, që janë 400 vetë apo s’janë 400 vetë, që janë armiq apo s’janë armiq.

(ndërhyrje nga sallajemi quajtur armiku i klasës)

Ramiz Alia: Jo jo jo, s’ka thënë gjë.

Salla: i keni quajtur trazira (debate në sallë nga shumë persona)

Arben Demeti: Televizioni i ka thënë trazira

Ramiz Alia: Jo jo jo, të lutem. Jo trazira, janë quajtur çrregullime. Të lutem.. dëgjoni këtu.

(Po i drejtohem studentëve të Universitetit të Tiranës):

Nuk është thënë trazira. Juve dezinformoni. Është thënë fjala çrregullime. Nuk është thënë 400, as 200 as 100 veta. Juve duke përdorur shifra të tilla dezinformoni. Prandaj unë i lutem, i lutem të gjithë studentëve që janë seriozë, dhe unë i dua pse janë serioze, të jenë seriozë në çdo gjë. Kjo është e mira e atdheut, është e mira e studentëve.

Arben Lika: Shoku Ramiz më falni…

Ramiz Alia: Ta mbaroj ai… kush e nisi këtë? A mbarove. Kush tha më falni atje

Arben Lika: Unë, unë. Ishte fjala nuk është thënë trazira, por çrregullim.

Ramiz Alia: Po lëre tashti.

Arben Lika: Jo jo, vetëm një diçka. Çfarë ndryshimi ka çrregullimi nga trazirat?

Ramiz Alia: Tashti ju thashë unë mos merremi nga ana gjuhësore. Çrregullim ishte sepse në veprimet që janë bërë ka pasur çrregullime. Si s’ka pasur çrregullime?!

Blendi Gonxhe: Zoti President, ju lutem që ju shqetësuam pak, po na dëgjoni edhe njëherë. Kemi ardhur këtu nga qyteti Studenti dhe le ti themi gjërat siç janë dhe konkretisht. Të na falni që ju morëm kohë më shumë se ç’duhet sepse jeni shumë i zënë në këtë kohë. Kemi ardhur që atje dhe atje ka mbi 2000 ose 3000 veta që presin, tiranas, të afërmit tonë, të rinj e të reja. (ndërhyn Ramiz Alia: po prandaj është mirë të shkoni). Kemi ardhur që andej dhe jemi ndarë me këto fjalë, autobusin desh e shqyhen, duke na kërkuar demokraci dhe duke na kërkuar që t’i përfaqësojmë shokët drejtë, për ato që na çuan. Dhe duke brohoritur edhe në emrin tuaj. Kishte ndonjë dorë që është me dy gishta, por ulej prapë. Po nuk ka problem i ulëm edhe ato

Ramiz Alia: Atyre duhet t’ia këpusni gishtat sepse ajo shenjë është një çikë, kompromenton të tjerët. (ka ndërhyrje nga salla). Jo, jo, duhet të keni kujdes, prandaj unë ju drejtohem të gjithëve.

Blendi Gonxhe: O çuna, o çuna ju lutem. Që të jemi të sinqertë deri në fund. Meqë ata do na dëgjojnë neve dhe meqë ata kanë shpresën e madhe ke ju, Ju lutemi studentëve, meqë ata do na dëgjojnë, që të na kuptojnë, sepse ne kishim marrë një detyrë tjetër këtu. Kishim marrë detyrë që të vinim të paraqisnim kërkesat tona dhe të iknim në rast se ju nuk do na i pranonit, dhe në rast se Ju do na i pranonit të jepnim sihariqin. Meqë ne këtu erdhëm dhe ju na i dhatë sihariqin pa ardhur mirë, neve duhet ti themi studentëve, që qëllimi ynë ndryshoi deri diku sepse Partia Komuniste Shqiptare, ( ndërhyrje nga salla: një lojë është; Partia e Punës së Shqipërisë) njohu më në fund parimin që të ketë parti të tjera politike. Do bëhet apo s’do bëhet kjo, është gënjeshtër apo jo kjo, kjo nuk dihet .

Ramiz Alia: Do bëhet. Nuk është gënjeshtër kjo. Unë po ju them do bëhet.

Blendi Gonxhe: Pra ne kemi marrë fjalën e Presidentit Ramiz Alia këtu dhe kjo do realizohet .

Ramiz Alia: Unë po e them se vendimi i Pleniumit të Komitetit Qendror për këtë çështje është një vendim që do të zbatohet. Organet e drejtësisë, organet e shtetit duhet të zbatojnë ligjet. Unë nga ana, si President, meqë s’po më ashtu, s’po më mendoni për ashtu, por vetëm kështu, (qesh).

Blendi Gonxhe: Vetëm ashtu kemi respekt për ju.

Ramiz Alia: Mirë. Dakord dakord. (ndërhyrje nga salla). Faleminderit shumë (qesh). Unë edhe Kushtetuta, edhe ligjet tona nuk ndalojnë kupton zbatimin e kësaj që thuhet. Unë kam thënë në plenumin e XII të Komitetit Qendror, kam thënë mendimin për pluralizmin. Ky vendim i Pleniumit të XIII të Komitetit Qendror avancon në këtë ide, që pranon pluralizmin edhe partiak, organizimin pluralist, jo vetëm si të thuash.

Arben Imami: Po termi partiak ç’problem krijon? Pse nuk thuhet..?!

Ramiz Alia: Asnjë problem nuk krijon.

Arben Demeti: Po sikur nesër ne si organizatë rinore e rinisë ta quajnë, meqë është edhe shoku Lisien Bashkurti këtu, Partia e Rinisë Shqiptare? Mund ta quajmë Partia?

Lisien Bashkurti: Atë do e vendosë rinia….(ndërhyjnë shumë zëra nga salla)

Ramiz Alia: Dëgjo dëgjo. Po mirë krijojeni.

Arben Demeti: Do e krijojnë studentët?

Ramiz Alia: Pse nuk do marrësh pjesë ti aty?

Arben Demeti: Jam në organizatën e rinisë. Mund ta quajmë dot partia?

Ramiz Alia: E kanë quajtur këta, e kanë quajtur këta. /Memorie.al

                     Vijon numrin e ardhshëm

J.GJ.//ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se Komisioni Hetimor për Shëndetësinë do të prodhojë rezultat?