Grupi negociator në Bruksel

Takimet Bilaterale në Bruksel/ Drejtori i AMF: Sektori financiar rezistent ndaj tërmetit, pandemisë dhe inflacionit! Ekspertët e KE: Ka ende punë për t’u bërë

14 Shkurt 2023, 10:39| Përditesimi: 14 Shkurt 2023, 10:50

  • Share

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare kryesoi delegacionin shqiptar që mori pjesë në datat 13-14 shkurt 2023 në Takimet Bilaterale Shqipëri-BE për kapitullin 9 “Shërbimet Financiare”. Ekspertët e Komisionit Evropian theksuan se ashtu siç është nënvizuar edhe në Progres Raportet e fundit, Shqipëria ka bërë progres të konsiderueshëm sa i përket plotësimit të rekomandimeve dhe përafrimit ligjor e rregullator në kapitullin 9, por mbetet ende punë për t’u bërë. Ata nënvizuan se kapitulli 9 ka rëndësi të posaçme për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë.

Drejtori Ekzekutiv i AMF-së, Ervin Mete u ndal te zhvillimet kryesore të sektorit financiar në Shqipëri, duke theksuar se sektori u paraqit rezistent ndaj efekteve të tërmetit, pandemisë dhe presioneve të fundit inflacioniste. Mete u shpreh se autoritetet ndërmorën një sërë ndryshimesh ligjore e rregullatore pas krizës financiare botërore të vitit 2008, të cilat rezultuan efikase. Gjithashtu, ai përmendi hapat e ndërmarrë nga rregullatorët financiarë në kuadër të përafrimit të mëtejshëm me direktivat evropiane të fushës.

Gjithashtu ekspertët e KE-së shprehën mbështetje të plotë për Shqipërinë në procesin e reformave dhe të përafrimit të acquis në fushën e shërbimeve financiare. Grupi negociator, nën drejtimin e Evin Mete, Drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv i AMF-së përbëhej nga përfaqësues të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Bankës së Shqipërisë dhe Agjencisë së Sigurimit të Depozitave.

Takimi u hap nga eksperti i nivelit të lartë pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Zgjerimit në KE, Marc Jorna, si edhe nga fjalët përshëndetëse të Majlinda Dhuka, Ministre Shteti dhe Kryenegociatore e Shqipërisë, si edhe drejtuesve të tjerë të drejtorive të Komisionit Evropian, përgjegjës për tregjet financiare. Anëtarët e grupit negociator përgjatë dy ditëve të Takimeve Bilaterale prezantuan në mënyrë të detajuar nivelin e përafrimit me direktivat evropiane të fushës, si edhe adresuan pyetjet e ngritura nga ekspertët e Komisionit Evropian. Acquis në kapitullin 9 rregullon shërbimet financiare në fushën bankare, atë të sigurimeve, pensioneve vullnetare, shërbimeve të investimeve dhe tregjeve të titujve.

Përgjatë viteve të fundit është realizuar një avancim domethënës ligjor e rregullator sa i përket shërbimeve finaniciare, duke u përafruar me Direktivat evropiane të fushës. Në vitin 2020 u miratuan ligjet e reja për tregjet e kapitalit, sipërmarrjet e investimeve kolektive, si edhe për tregjet financiare të bazuar në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë. Ndërsa në vitin 2021 u miratua ligji i ri për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit. Projektligji i ri për fondet e pensioneve private është në pritje të miratimit nga Kuvendi i Shqipërisë.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?