Një takim i kryetarëve të financave të Grupit të 20 vendeve më të industrializuara (G20) ka përfunduar pa konsensus pasi Rusia dhe Kina kanë refuzuar përshkrimin për luftën në Ukrainë në dokumentin final.
Takimi, i cili u organizua në Indi nuk solli dakortësi mes vendeve dhe në fund të takimit u lëshua një një përmbledhje në të cilën është përmendur se nuk ka marrëveshje për definimin e luftës në Ukrainë. Dita e parë e takimit është mbajtur më 24 shkurt, kur është shënuar përvjetori i parë i pushtimit rus në Ukrainë. Grupi i shtatë shteteve (G7) ka miratuar sanksione të reja kundër Rusisë, ndërsa bisedimet e G20-ës u përmbyllën pa marrë një vendim final.
Sekretarja amerikane e Thesarit, Janet Yellen, e ka dënuar “luftën ilegale kundër Ukrainës”, në një sesion ku kanë marrë pjesë edhe zyrtarët rusë dhe i ka bërë thirrje G20-ës që të mbështese Ukrainën drejt rrugës për të rimarrë lirinë që i takon. Në takimin e fundit të G20-ës të mbajtur në Bali të Indonezisë, liderët e kanë dënuar ashpër luftën dhe kanë paralajmëruar se konflikti është duke e rritur brishtësinë në ekonominë botërore. Në këtë grup bën pjesë Rusia, por edhe shtetet si Kina dhe India, të cilat kanë marrëveshje të rëndësishme tregtare me Moskën.