Takimi i komunitetit politik europian do të zhvillohet më 6 tetor në Pragë. Temat e takimit do të jenë: Paqja dhe Siguria, Energjia, klima dhe situata ekonomike. Tryeza nis punimet në 13:00 dhe mbyllet me konferencën për mediat pas orës 19:30. Pjesëmarrëse do të jenë vendet e Bashkimit Europian, vendet aspirante për në BE, Ballkani Perëndimor dhe aleatë të BE.
Përveç Shqipërisë, pjesë e takimit do të jetë edhe Kosova, Britania e Madhe dhe Ukraina. Ndërsa gjatë këtij takimi do të ketë takime bilaterale mes krerëve të vendeve të caktuara, sipas vullnetit të palëve.
Kryeministri Edi Rama të hënën njoftoi dhe një propozim konkret që do t’i parashtrohet komunitetit politik europian: “Një nismë, e cila deri pak vite më parë do ishte totalisht e paimagjinueshme, të Holandës dhe Shqipërisë, për të angazhuar bashkësinë europiane në një drejtim ku ne synojmë një konkretizim sa më real të vizionit dhe projektit të ri të komunitetit të ri politik evropian. Brenda pak ditësh në datën 6 të gjithë liderët e kësaj gjeografie që përfshin vendet e BE, të Ballkanit, vende që janë shumë të zhvilluara por që nuk janë në BE, si Zvicra dhe Norvegjia, do mblidhen në Pragë për të diskutuar jetësimin e idesë së një komuniteti të ri politik europian”.
“Së bashku me kryeministrin Rutte kemi shkruar një editorial që do të publikohet nesër në “Politiko” mbi disa nga drejtimet që ne besojmë se janë shumë të rëndësishme për këtë komunitet të ri politik europian dhe ku nga ana jonë si Shqipëri kemi vënë theksin ndër të tjera tek të rinjtë dhe universiteti, bota universitare europiane, tek domosdoshmëria që të rinjtë tanë dhe universitetet tona që janë jashtë rrjetit të universiteteve evropiane të BE-së të kenë mundësinë e një aksesi të barabartë që do t’i jepte një hov të konsiderueshëm procesit të ndërkombëtarizimit të universiteteve tona, duke mundësuar krijimin e sinergjive me universitet europiane dhe duke iu dhënë mundësi nxënësve tanë që mbarojnë gjimnazin që të mos kenë nevojë që të shkojnë për të studiuar në Francë, Gjermani, Spanjë e me radhë, por ta gjejnë në Shqipëri mundësinë që duke hyrë në universitetet vendase të kenë programin dhe në fund diplomën të barasvlefshme me të Spanjës, Gjermanisë, Francës”, nënvizoi Rama.
Kreu i qeverisë u shpreh se “ky proces do të kërkojë kohën e vet, por për ne është e rëndësishme të shtyjmë në këtë drejtim. Nuk ka asnjë diskutim që dimensioni akademik dhe arsimor i integrimit të plotë në BE nuk duhet të presë anëtarësimin e plotë të vendeve të Ballkanit në BE, por duhet t’i paraprijë këtij anëtarësimi”.
“Nëse kjo do të përqafohet edhe nga vendet e tjera dhe nëse kjo do kthehet në një politike të re të BE do të jetë një arritje e jashtëzakonshme, një lehtësim i jashtëzakonshëm për të gjithë, për të gjithë ato familje që investojnë shumë nga kursimet apo nga financat e tyre për t’i shkolluar fëmijët në universitete jashtë vendit. Për të gjithë ata që i përkasin botës akademike këtu në vend, botës universitare këtu në vend, pedagoge dhe pedagogë dhe nuk diskutohet dhe për përfituesit e drejtpërdrejtë që janë studentet dhe studentët”, tha Rama.
Pjesëmarrësit e ftuar të marrin pjesë në këtë takim të parë të Komunitetit Politik Evropian:
- 27 shtetet anëtare të BE-së
- Shqipëria
- Armenia
- Azerbajxhani
- Bosnje Hercegovina
- Gjeorgjia
- Islanda
- Kosova
- Lihtenshtajni
- Moldavia
- Mali i Zi
- Maqedonia e Veriut
- Norvegjia
- Serbisë
- Zvicra
- Turqia
- Ukraina
- Mbretëria e Bashkuar
- Presidenti i Komisionit Evropian
- Presidenti i Këshillit Evropian
Çfarë pritet të ndodhë?
Liderët e të gjitha shteteve evropiane, përveç Bjellorusisë dhe Rusisë (po ashtu edhe të shteteve të vogla evropiane) do të takohen në Kështjellën e Pragës më 6 tetor për të diskutuar për çështjet që lidhen me situatën e sigurisë në kontinent, teksa lufta në Ukrainë po vazhdon. Ky takim, po ashtu, është për të lansuar Bashkësinë Politike Evropiane – një ide që fillimisht është promovuar në muajin maj nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron.
Një ditë më pas, më 7 tetor, kryeqyteti çek do të jetë nikoqir i një samiti joformal të Bashkimit Evropian që gjithashtu do të mbahet në Kështjellën e Pragës. Liderët nga 27 shtetet anëtare do të bisedojnë për sanksionet e Rusisë, për krizën energjetike, teksa kontinenti pritet të përballet me një dimër të vështirë.
Kush do të jetë pjesëmarrës i takimeve të Pragës?
Ftesat u janë dërguar liderëve të 44 shteteve evropiane, dhe sipas diplomatëve të BE-së, ka pasur “përgjigje pozitive nga të gjithë, por disa nuk kanë kthyer ende përgjigje përfundimtare”. Merret vesh se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ende po heziton, sikurse homologu i tij turk, Recep Tayyip Erdogan.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, do t’u adresohet të pranishmëve përmes video-lidhjes për shkak të situatës së sigurisë në shtetin e tij dhe në vend të tij, në Çeki do të udhëtojë kryeministri ukrainas, Denys Shmyhal. Këshilltarët e 44 liderëve janë takuar në Bruksel më 29 shtator. Prandaj, prospekti që liderët do të marrin pjesë është pozitiv, marrë parasysh edhe faktin që ministrat e Jashtëm nuk lejohet që të paraqiten si zëvendësues të liderëve të shteteve në këto takime. Afati i fundit për të konfirmuar pjesëmarrjen është po ashtu gjeneroz: kur të nisë takimi në orën 13:00 të 6 tetorit...
Çfarë saktësisht është Bashkësia Politike Evropiane?
Ndoshta më mirë është të fillohet me atë se çfarë nuk është. Kjo bashkësi nuk zëvendëson organizatat ekzistuese politike, strukturat apo proceset dhe nuk ka për qëllim të krijojë një të re – të paktën në këtë fazë. Diplomatët e BE-së vazhdimisht theksojnë se BE-ja është vetëm “lehtësuese” dhe ky nuk është “proces që udhëhiqet nga BE-ja” ose ndonjë lloj i “BE++”, që kandidatët për anëtarësim në bllok apo shtetet e mundshme kandidate në Ballkanin Perëndimor dhe në fqinjësinë lindore duhet të frikësohen se do të zëvendësojë procesin e zgjerimit të bllokut evropian.
Nuk do të ketë deklaratë përfundimtare dhe as ndonjë deklaratë të shkruar në fund të takimit. Burimet e Radios Evropa e Lirë, që folën në kushte anonimiteti, thanë se ata duan të shmangin që fundi i takimit të përcillet me zënka“ lidhur me formulimet dhe veto për tekstin përfundimtar që gjithsesi do të ishte i lehtë në përmbajtje për shkak të listës heterogjene të të ftuarve”. Në fund të takimit mund të mos ketë as deklarime për media.
Pra, çfarë është Bashkësia Politike Evropiane? Në thelb është një platformë e re për liderët evropianë që të takohen një apo dy herë brenda vitit për të diskutuar për çështjet kryesore. Shumë kanë dyshime se një platformë e tillë është e nevojshme, duke pasur parasysh se veçse ekzistojnë struktura sikurse Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë dhe Këshilli i Evropës, dhe siç u shpreh një diplomat: “shumë gjëra kanë nisur vetëm me një takim, është fillimi i procesit dhe ne duhet të presim që të shohim se çfarë do të ndodhë më pas”.
A do të ketë ndonjë “rezultat” konkret?
Në fund, do të ketë fotografi të përbashkët të të gjithë të pranishmëve. Përndryshe, rezultati është vetë takimi, që zakonisht nënkupton asgjë. Por, në kohën kur Rusia ka shpallur mobilizim të pjesshëm ushtarak dhe ka pretenduar se ka aneksuar disa pjesë të Ukrainës pas mbajtjes së referendumeve të rreme, vetë fakti që pothuajse të gjithë liderët e tjerë evropianë po takohen në të njëjtin vend, është një simbolikë.
Dita do të nisë me seancën plenare njëorëshe, para se liderët të ndahen në grupe prej 10-12 personash për të diskutuar për çështjet që lidhen me paqen, sigurinë e stabilitetin, por edhe për energjinë, klimën dhe mjedisin. Po ashtu, mund të ketë një diskutim ad-hoc mbi migrimin dhe lëvizjen për ata që mund të jenë të interesuar, para se pasditja t’u kushtohet takimeve të ndryshme dypalëshe. Kjo ndoshta mund të jetë pjesa më interesante e ditës, pasi ka mundësi që të ketë diskutime midis liderëve të ndryshëm të Ballkanit Perëndimor dhe midis liderëve të Azerbajxhanit dhe Armenisë, me pjesëmarrjen e mundshme të presidentëve të Francës dhe Turqisë.
Edhe një tjetër seancë plenare do të mbahet gjatë darkës, para se të përmbyllet takimi. Një diplomat i BE-së, që ka njohuri për planifikimin e takimit, tha se “e gjithë ideja është se nuk duhet të jetë shumë formale dhe strikte, dhe të gjithë të mund të flasin me njëri-tjetrin”. Rezultati, sipas një diplomati tjetër të BE-së, është të sjellë “të gjithë liderët evropianë në pozitë të barabartë në frymën e unitetit për të nxitur dialogun politik për çështjet e interesit të përbashkët” dhe se ata duhet të vijnë me ide dhe propozime në takimin e ardhshëm të Bashkësisë Politike Evropiane, që parashihet të mbahet vitin e ardhshëm. Preferohet që takimi i vitit të ardhshëm të mbahet në një shtet që nuk është pjesë e BE-së.
BRITANI E MADHE- Kryeministrja Liz Truss ka rënë dakord të takohet me liderë të tjerë evropianë në një "klub të kombeve" të ri politik dy ditë më vonë. Samiti inaugurues i Komunitetit Politik Evropian (EPC), i propozuar nga presidenti francez Emmanuel Macron, do të takohet në Pragë të enjten e ardhshme.
Edhe pse Mbretëria e Bashkuar votoi në vitin 2016 për t'u larguar nga BE, ajo është në mesin e më shumë se një duzinë vendeve joanëtare të BE-së të ftuara për t'u bashkuar me anëtarët e BE-së për të diskutuar sigurinë dhe energjinë.
Në një artikull të botuar nga Politico thuhet se kryeministrja e Britanisë, Liz Truss pritet të diskujtojë me Shqipërinë e Francën çështjen e flukseve migratore. Ky diskutim vjen fill pas lajmeve të shumta për azilkërkuesit të cilët mbërrijnë në varka të vogla në Britani.
Debati rreth azilkërkuesve që mbërrijnë me varka të vogla është disi më pak i ethshëm se në gushtin e kaluar, kjo për shkak se nuk është tema kryesore e garës së lidershipit konservator. Ashpërsia e krizës së kostos së jetesës, lufta në Ukrainë dhe një thatësirë alarmante bëjnë që mendjet të përqendrohen diku tjetër. Fatmirësisht, kohët e fundit nuk ka pasur mbytje pas fundosjes tragjike në të cilën vdiqën më shumë se 30 persona në nëntor.