Politikë

Takimi i tre kryeparlamentarëve shqiptarë në Prishtinë/ Ruçi: Të evropianizojmë Ballkanin

21 Mars 2018, 20:20| Përditesimi: 21 Mars 2018, 20:21

  • Share

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë Gramoz Ruçi mori pjesë në Forumin e Kryetarëve të Parlamenteve të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë i organizuar në Prishtinë.

Në këtë forum, krahas Kryetarit të Parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli dhe Kryetarit të Parlamentit të Maqedonisë, Talat Xhaferri, merrnin pjesë edhe Ali Aliu, gjuhëtar dhe anëtar i Akademisë së Shkencave të Kosovës dhe anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe Arteve në Maqedoni dhe në Shqipëri dhe Hilmi Jashari, Avokati i Popullit në Kosovë.

Qëllimi i këtij forumi ishte shkëmbimi i përvojave ndaj sfidave parlamentare që po kalojnë parlamentet Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë, si edhe diskutim i hapur për mbi zyrtarizmin e gjuhës shqipe në Maqedoni.

Gjatë zhvillimit të bashkëbisedimit, Ruçi u pyet nga përfaqësuesit e medias mbi zhvillimet politike në Maqedoni me miratimin e ligjit për përdorimin e gjuhës Shqipe si gjuhë zyrtare dhe zhvillimeve në Kuvendin e Kosovës mbi miratimin e marrëveshjes së demarkacionit.

Ruçi i bëri thirrje politikës ballkanase që të integrohet në Bashkimin Evropian duke evropianizuar Ballkanin dhe jo duke ballkanizuar Evropën.

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë dënoi aktet e dhunës në Kuvendin e Kosovës në seancën e diskutimit mbi ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, duke thënë se dhuna nuk është mjet demokratik dhe ligjor i të shprehurit në Kuvend, në tempullin e demokracisë.

Lidhur me situatën politike në Maqedoni, Ruçi vlerësoi bashkimin e spektrit politik shqiptar në Maqedoni duke shprehur se duhet të vijoi bashkëpunimi për integrimin e mëtejshëm të shtetit maqedonas në Bashkimin Evropian dhe në NATO.

I pyetur për mbledhjen në Tiranë të faktorit shqiptar në Maqedoni, Ruçi pohoi efektin pozitiv që solli ky takim në bashkimin e partive shqiptare në Maqedoni drejt objektivave të përbashkëta.

Ruçi u ndal edhe në sfidat që hasin të tre vendet duke shtuar se parlamentet respektive duhet të vijojnë punën e tyre për reformimin e kuadrove ligjore në mënyrë që të tre vendet, Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia të vijojnë rrugëtimin e tyre për anëtarësim të plotë në strukturat euro-atlantike.

s.k/Shqiptarja.com

Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A jeni dakord me vendimin e gjykatës për detyrim paraqitje të Berishës?