Egnatia dhe Vllaznia do përballen të dielën për të shkruar historinë. Në Air Albania në orën 20:00 do luhet gjysmëfinalja e dytë e ‘final-four’, teksa rrogozhinasit të cilët e mbyllën sezonin e rregullt në vendin e parë, nuk duan ta humbasin mundësinë për të fituar për herë të parë në historinë e tyre trofeun e Superligës. Për këtë do kenë të disponueshëm edhe Albano Aleksin të rikthyer nga dëmtimi.
“Nuk duhet të kalojmë në eufori, por të jemi të kujdesshëm dhe të arrijmë atë që kemi në mendje dhe kërkon stafi drejtues. Do jetë ndeshje e bukur dhe shpresoj të ketë sa më shumë tifozë në mbështetjen tonë sepse besoj që nuk do ti zhgënjejmë,”-u shpreh Albano Aleksi, futbollist i Egnatias.
Barazimi pas 90 minutash në finale do kalonte Egnatian, por te Vllaznia janë përgatitur vetëm për fitore, pasi titulli është një ëndërr shumë vjeçare.
“Jemi para një ndeshje shumë të madhe. Për futbollistët është diçka speciale që ndodh në jetën e tyre dhe kjo na ka motivuar shumë. E dimë që barazimi na penalizon, por në Air Albania do jetë një ndeshje ku të dy skuadrat do luftojnë për fitore. Besoj se do ta mundim Egnatian dhe të kalojmë në finale,"-tha Thomas Brdaric, trajner i Vllaznisë.
“Gjatë karrierës kam provuar shumë emocione, por një titull me Vllazninë do më shijonte më shumë. Jemi vetëm një hap larg finales. Iu ftoj të gjithëve në Air Albania sepse bashkë ia dalim,”-u shpreh Bekim Balaj, kapiten i Vllaznisë.
Në Shkodër i madh dhe i vogël janë përgatitur janë përgatitur që të dielën të jenë në Tiranë.
“Kur për Shkodrën ne i flasim fmisë ia nisim prej Vllaznisë,”-u shpreh një fëmijë.
“Vllaznia është dashni! Hajde tanë tanë për Tiranë,”-tha një tjetër fëmijë.
“Dy ngjyra një skuadër, përjetë Vllaznia, mbretëresha jonë,”-deklaroi një fëmijë.
“Çdo zemër shkodrane kuqeblu. Vllaznia krenari,"-u shpreh një tjetër fëmijë.
Fituesi i kësaj gjysmëfinaleje, në finalen e madhe të Superligës do përballet me Partizanin, për të disktuar përfundimisht fituesin e titullit, ndërsa humbësi do luajë kundër Skënderbeut për vendin e tretë dhe të katërt.