Kryetari i Partisë Demokratike pas takimeve të ditës së hënë, sot është takuar me të parin e Prishtinës Shpend Ahmeti, me të cilin përgjithësisht ka folur për zhvillimet në të dy vendet. Konkretisht kryetari i komuniës së Prishtinës ka deklaruar se Bashën e konsideron si kosovar, ndërsa thekson se ndihma e Shqipërisë është më e domosdoshme se kurrë.
Konkretisht Ahmeti është shprehur: "Faleminderit që keni ardhur! Pata kënaqësinë që në zyrën e Komunës së Prishtinës, dhe jo për herë të parë, të pres Kryetarin e Partisë Demokratike, zotin Lulzim Basha. Po e quaj Luli, se me Lulin njihemi shumë me tepër, bile e thashë, është kosovar, sepse ka jetuar këtu, unë e njoh prej kohësh që ka qënë në punë në Kosovë, pas përfundimit të luftës. Kemi vazhduar komunikimin dhe kur fitova unë, ai ishte Kryetar Bashkie në Tiranë. Shfrytëzuam rastin të flasim për ngjarjet e fundit, për situatën politike, jo vetëm në Kosovë, por edhe në Shqipëri. Por po e them me theks të veçantë në Kosovë, për të cilin gjithmonë e falenderoj Lulin, për interesimin e vazhdueshëm që ka patur për Kosovën. Po e them dhe njëherë, duke e marrë parasysh që është interes bazik, jo vetëm i shtetit të Kosovës, po edhe që Kosova, po e them edhe një herë, në këtë situatë që është, t’i ofrohet e gjithë ndihma e mundshme. E theksova edhe një herë, ashtu siç e kam thënë tërë kohën edhe në mediat në Kosovë, ajo që tashmë nevojitet është një kohezion bukur i mirë i faktorit politik, së pari, brenda shtetit të Kosovës, por edhe tepër më me rëndësi, mendoj koordinim i faktorit politik shqiptar në përgjithësi. Këtu nuk nënkuptoj vetëm partitë politike dhe forcat politike, të cilat janë në pushtet në Shqipëri, por edhe opozitën dhe të gjitha subjektet politike, të cilat kanë ndikim për të qenë sa më të koordinuar në muajt në vijim.
Gjithmonë themi: Ky është vit vendimtar, nuk po themi vendimtar, por kjo është periudhë e vështirë për Kosovën, edhe në aspektin e politikës së jashtme, jo vetëm sa i përket Gjykatës, por në përgjithësi, edhe sa i përket dialogut, i cili tashmë po zhvillohet, gati se po e them në mënyrë paralele, pak në Uashington, pak në Bruksel. Pra, është periudhë e vështirë, ta saktësoj, po t’i shtohet edhe çështja e problemeve ekonomike e shëndetësore, që i kemi për shkak të pandemisë, e pastaj edhe krizën politike, mendoj se ndihma e Shqipërisë tashmë është më e domosdoshme se kurrë. Po e them dhe njëherë, ndoshta krahasuar edhe me ndihmën që shteti shqiptar gjithmonë ia ka dhënë Kosovës, posaçërisht në vitet 90’-të, kësaj radhe na nevojitet një kohezion për të mbijetuar dhe për të dalë sa më mirë prej kësaj . E falenderoj dhe njëherë Lulin, por po e them dhe njëherë, jo vetëm për interesimin, por edhe natyrisht, diturinë që e ka për çështjen e Kosovës. Po e them, sepse i përcjell gjërat, interesohet për krejt ato dhe po ashtu u theksua nevoja, po them nga të dy, ne jemi dy ekipe, që të koordinohemi sa më shumë në strategjinë tonë për shtetin tonë."
Ndërkohë kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë Lulzim Basha ka thënë se Shërbimi më i mirë që mund të bëjë Tirana është të qëndrojë larg protagonizmit të pavend dhe iniciativave të pa konsultuara, të cilat kanë sjellë dëme, që duhen rikuperuar.
"Faleminderit shumë z. Kryetar! I dashur Shpend, vij me kënaqësi këtu në komunën e Prishtinës, vendi ku më keni dhënë edhe titullin “Qytetar nderi”. Qytetar jam ndjerë sepse kam jetuar në këtë qytet, nip Kosove jam, pjesën e nderit sigurisht duhet ta fitojmë vazhdimisht. Përpjekjet që kemi bërë në të shkuarën, qoftë në drejtim të diplomacisë shqiptare, qoftë në Rrugën e Kombit, janë një përvojë e vyer për mua, por dhe me bashkërendimin me Prishtinën.
Ndaj dhe angazhimi i parë që kam marrë gjatë kësaj vizite në Prishtinë është që bashkërendimi midis Prishtinës dhe Tiranës të jetë i plotë, i sinqertë dhe në funksion dhe në mbështetje të institucioneve të Republikës të Kosovës dhe të forcave politike të Kosovës. Ky është shërbimi më i mirë që mund të bëjë Tirana, larg protagonizmit të pavend dhe larg iniciativave të pa konsultuara, të cilat kanë sjellë dëme, dëme të cilat duhet të rikuperohen dhe mund të rikuperohen vetëm përmes një qasje të tillë si ajo që siguroi shpalljen e pavarësisë, njohjen e Kosovës masivisht nga anëtarët e komunitetit ndërkombëtar dhe, më tej, përparimin e Kosovës drejt integrimit euroatlantik, duke nisur me heqjen e vizave dhe anëtarësimin e Kosovës në BE dhe në Nato.
Është një rrugë e gjatë, është një rrugë e vështirë, siç e dimë edhe ne në Shqipëri, po plotësisht e mundur.
Megjithatë, me sfidat aktuale që po kalojmë, pata mundësinë të theksojmë me Kryetarin e Komunës së Prishtinës, që pavarësisht se është një drejtues i pushtetit vendor, komunës më të madhe në Kosovë, ka një përvojë të gjatë e të çmuar politike kombëtare dhe ndërkombëtare.
E para ka një rëndësi shumë të madhe një kohezion real i forcave politike në Kosovë, duke respektuar rregullat e demokracisë. Demokracia ka mazhorancë, ka minorancë, ka qeveri, ka opozitë, por ka edhe qëllime të përbashkëta kombëtare, qëndrime të përbashkëta shtetërore, siç janë ato që po imponohen edhe nga zhvillimet e fundit në Kosovë, që kërkojnë me të vërtetë një bashkërendim të përbashkët, objektiva të përbashkëta dhe veprim të përbashkët, për të cilën gjykoj dhe shpresoj se hapësira institucionale që po krijohet, do të shërbejë për një forcim të bashkëpunimit mes forcave politike.
Dhe së dyti, po kaq e rëndësishme, u dakorduam se procese të tilla, si ecja përpara e dialogut, me qëllim njohjen reciproke midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, shërbehen më mirë nga një bashkëpunim i ngushtë midis dy partnerëve strategjikë të kombit shqiptar dhe shtetit të Kosovës, që janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian.
Kam gjithmonë kënaqësinë të ndaj pikëpamjet me Shpendin dhe të vlerësoj kthjelltësinë e analizës së tij dhe t’i uroj suksese të mëtejshme në drejtimin e kryeqytetit dhe komunës me të madhe në vend dhe, po kështu, kontribut të mëtejshëm të vyer në ambientin politik të Kosovës, me shpresën se vlerat dhe cilësitë, që përfaqëson janë të nevojshme, të pazëvendësueshme për të ardhmen e Kosovës dhe qytetarëve të saj.
Pyetje: Cila do të duhej të ishte qasja e Shqipërisë karshi Kosovës për Dialogun dhe Gjykatën Speciale?
Lulzim Basha: Unë nuk flas se çfarë duhet të ishte qasja. Unë flas çfarë është qasja ime, e Partisë Demokratike, e opozitës së bashkuar sot dhe e qeverisë nesër me votën e shqiptarëve. E para, një mbështetje totale e pakushtëzuar dhe e parezervuar për të gjitha vendimet e institucioneve dhe forcave politike të Kosovës, të cilat kanë akumuluar në këto vite një përvojë të shkëlqyer dhe kanë treguar se dinë të përballen me mençuri, me maturi dhe me vendosmëri me sfida si këto, të ngjashme me këto, madje edhe më të rënda se këto. Pra, nuk ka mend për mësimdhënie, madje në disa aspekte, siç është demokracia dhe zgjedhjet, edhe mund të marrim mësim. S’ka pse të kemi turp se ne një komb jemi, një familje jemi. Republika e Shqipërisë dhe forcat politike në Shqipëri edhe mund të marrin mësim nga Kosova, por nga ana tjetër dua të theksoj, se shërbimi më i mirë që mund t’i bëhet Kosovës në këtë moment, është heqja dorë nga protagonizmi i pavend, që mund të perceptohet, ose në të vërtetë edhe është njëfarë keqpërdorimi i çështjeve të Kosovës për konsum të brendshëm. Dhe vënia në dispozicion të Kosovës e gjithë kapacitetit administrativ, shtetëror, diplomatik dhe politik të Republikës së Shqipërisë dhe çdo force politike serioze në Shqipëri dhe drejtuesve të saj.
Sa i përket çështjes së gjykatës, unë e kam theksuar edhe në takimet e djeshme. E para, askush dhe asgjë nuk mundet ta njollosë luftën çlirimtare të Kosovës, të bijve dhe bijave të Kosovës, që ishte një luftë mbrojtëse ndaj një agresioni dhe ndaj një agresori me synim genocidin dhe spastrimin etnik të Kosovës. Ne e dimë që për 100 vjet e më shumë, Kosova është përballur me valë pas vale spastrimesh etnike dhe genocid. Unë vetë jam nënprodukt i një prej këtyre spastrimeve etnike, i cili detyroi gjyshërit e mi të largohen nga Kosova e vitet ’20, dhe këtu nuk ka absolutisht asgjë të re. Kosova dhe kosovarët kanë qenë gjithmonë në mbrojtje te pragu i derës të fëmijëve të tyre të prindërve të tyre dhe janë përballur me agresorin. Së dyti, do të vërtetohet kauza e drejtë, e lirisë, pavarësisë dhe mbrojtjes së dinjitetit dhe jetëve njerëzore, siç ishte dhe Lufta e Kosovës. Dhe së treti, nuk mund të rri pa theksuar se drejtësia nuk mund të ketë dy kute. Boll më me një peshore, e cila anon nga ana e akuzave ndaj viktimës, ndaj mbrojtësve të viktimës, ndërkohë që krimet çnjerëzore të ndodhura në territorin e Kosovës mbeten pa autor. Pa autor sa i përket ekzekutorëve, pa autor sa i përket urdhëruesve, pa autor sa i përket përgjegjësve politike. Në këtë kuadër, uroj dhe shpresoj që drejtësia ndërkombëtare do të vendosë peshoren baraspeshë, të paktën, duke trajtuar me të njëjtin rigorozitet çdo pretendim për krime lufte, edhe sa i përket atyre që kryen agresionin, kryen spastrim, kryen vrasje dhe masakra ndaj civilëve dhe njerëzve të pambrojtur në Kosovë, por edhe në treva të tjera të ish-Federatës së Jugosllavisë.
Ushtria Çlirimtare e Kosovës, drejtuesit ushtarakë dhe politikë të saj, në kushte krejtësisht të pabarabarta, kanë bërë gjithçka për të mbrojtur popullatën civile dhe për t’iu kundërvënë këtij genocidi. E dyta kam vlerësuar qëndrimet e presidentit Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës zoti Kadri Veseli, të cilët e kanë konfirmuar gatishmërinë, të cilën dhe zoti Thaçi tashmë e ka pohuar, për t’u përballur me drejtësinë si një traditë e pandërprerë nga të gjithë drejtuesit e luftës çlirimtare të Kosovës dhe shpreh bindjen se nga përballja me drejtësinë do të përfitojë edhe një herë populli I Kosovës dhe do të vërtetohet kauza e drejtë."