‘Takimi me vjehrrin komunist të konvertuar në Islam’, Blushi tregon bisedën me belgun musliman në xhaminë e Elbasanit: Nuk më bindi se Zoti ekziston

1 Korrik 2022, 11:36| Përditesimi: 1 Korrik 2022, 11:39

  • Share

MEHDIU, BELGU MUSLIMAN

Shkova në xhaminë e Kalasë së Elbasanit. Nga dritarja pashë një djalë me mjekërr që lexonte. Ulur në qilim. Më thanë se ishte belg. i bëra shenjë se doja takoja. Doli pas gjysëm ore.

Anglisht?

Anglisht, thashë unë

Çfarë do?

Dua të të fotografoj,

Nuk të njoh dhe nuk dua të më fotografosh, tha

Do të të bëj vetëm një foto, i thashë

Nuk dua, tha belgu, nuk të njoh dhe nuk dua të të njoh

Unë jam shkrimtar, i thashë, fotografia ime nuk të dëmton

Je jashtë interesit tim, tha belgu, nuk pranoj të flas fare me ty

Po pse nuk pranon të flasësh me mua?

Ti më ndërpreve kur po flisja me Zotin, tani mos më ndërpre se do flas me familjen time

Ku është familja jote, e pyeta

Ja ku është, tha belgu, gruaja ime është shqiptare

Unë jam Brunilda, tha gruaja, ju njoh, ju kam lexuar librat

Faleminderit që erdhe, thashë unë, mbase e bind burrin të flasë me mua

Do ti flas në gjuhën tonë, tha Brunilda

Çfarë gjuhe flisni në shtëpi, e pyeta

Ne jetojmë në Bruksel dhe flasim flamand

Aty jeni martuar?

Unë kam shkuar me familjen në Belgjikë që 3 vjeç dhe aty u njoha me burrin dhe u martuam

Po ti je mbuluar vetë apo të detyroi burri?

Unë jam mbuluar që e vogël, nuk më ka detyruar njeri, tha Brunilda

Pyete burrin a pranon ta fotografoj?

Tani pranoj, tha belgu, shefja ime ka besim tek ty dhe mund të më bësh çfarë pyetje të duash

Unë nuk besoj në Zot, thashë unë, por ardhja e Brunildës këtu ndoshta ishte një mundësi që na dha Zoti për të folur

Të gjitha vendimet i merr Zoti dhe pasi të flasësh me mua ti do bindesh që Zoti egziston, tha belgu

Mirë është të flasim për gjëra më të thjeshta, thashë unë

Zoti është njëkohësisht gjëja më e thjeshtë dhe më e komplikuar e botës, tha belgu

Si e ke emrin, e pyeta

Mehdi

Ti je belg, s’mund ta kesh emrin Mehdi, më thuaj emrin e lindjes

Kjo nuk ka rëndësi, tha Mehdiu, unë tani jam Mehdi

Po në pasaportë si e ke emrin?

Për respekt ndaj prindërve të mi, mbaj ende emrin e tyre, por unë jam Mehdi

Si u bëre musliman Mehdi?

Duke parë Hënën, tha Mehdiu

Të gjithë e shohim Hënën por nuk bëhemi muslimanë, thashë unë

Kur isha 14 vjeç, një natë isha ulur në një stol dhe po shihja Hënën, ajo mu duk e përsosur dhe mua më lindën shumë pyetje, për të cilat nuk kisha përgjigje, tha Mehdiu

Ku i kërkove përgjigjet?

Në shkollë si të gjithë fëmijët, por shkolla nuk mi dha përgjigjet që prisja

Pra ti mendon që shkolla është e pamjaftueshme për të të kënaqur intelektualisht?

Po, sepse shkolla ka lindur për të edukuar kurse në rastin tonë ajo të indoktrinon, tha Mehdiu

Çfarë pyetjesh kishe ti që shkolla nuk i jepte përgjigje, thashë unë

A ka një krijues, kush e ka krijuar botën dhe ne vetë, kjo ishte pyetja ime themelore për të cilën kisha shumë dyshime

Dhe çfarë bëre, thashë unë

Pasi bëra një kërkim filozofik, u drejtova tek besimet fetare

Te cili besim shkove në fillim?

Islamin nuk e doja sepse ishte besimi i arabëve, prandaj fillimisht u drejtova në Judaizëm

U konvertove?

Pikërisht ky është problemi me Judaizmin, tha Mehdiu, duhet të kesh lindur hebre që ti përkasësh besimit të tyre

Pra u zhgënjeve, thashë unë

Prandaj nga aty kalova në katolicizëm që ishte më afër meje, tha Mehdiu

Natyrisht sepse ti je belg, thashë unë

As katolicizmi nuk më dha përgjigje,tha Mehdiu,sepse ky besim bazohet në tre elementë Zoti, Jezusi dhe Shpirti i Shenjtë, çka më duket diçka iracionale, sepse si mund të ketë tre Zota kur Zoti duhet të jetë vetëm një

Dhe ku shkove pas katolicizmit?

Në Budizëm, tha Mehdiu, por as aty nuk mora përgjigje megjithëse ata kanë një mënyrë jetese shumë paqësore

E paske kërkuar Zotin duke i rënë botës rrotull, thashë unë

Prit,tha  Mehdiu, nga Budizmi shkova në Hinduizëm

Po aty çfarë gjete, e pyeta

Hinduizmi mu duk edhe më problematik se të tjerët, për ta lumi është Zot,

Po e vërtetë, thashë unë, për ta edhe lopa është Zot

Ata kanë një milion Zota por nëse bota nuk ka një Zot të vetëm, atëherë kaq shumë Zota do luftojnë me njëri tjetrin për dashurinë e njerëzve dhe bota do prishet

Pra e le dhe Hinduizmin për çfarë?

E lashë për Taoizmin Konfucian që është një gjë edhe më e ngatërruar se të parët, tha Mehdiu

Dhe ku gjete paqe me veten, e pyeta

Në Islam, tha Mehdiu, Islami më magjepsi

Çfarë të magjepsi në Islam?

Kur lexova Kuranin gjeta përgjigje për çdo gjë, përfshi edhe për vetë Jezu Krishtin

Çfarë thotë Kurani për Jezu Krishtin?

Kurani sqaron atë që unë e dyshoja, se Jezu Krishti nuk është Zot por është një profet dhe se Zoti është vetëm një dhe nuk ka tjetër, kjo është ajo që kërkoja

Pra ti vazhdon lexon Kuranin që nga ajo ditë pa pushim?

Kurani është shkruar në arabisht dhe kjo është një mrekulli letrare, dhe a e di pse?

Ma thuaj Mehdi, thashë unë

Gjuha shqipe ka vetëm një fjalë për fjalën kalë, a e di sa fjalë ka arabishtja për kalin?

Nuk e di, thashë unë

50 fjalë, tha Mehdiu, e kupton dot sa precize dhe e larmishme është gjuha e Kuranit?

Pra pasi u magjepse nga bukuria dhe thellësia e Kuranit ti u konvertove, e pyeta

U konvertova në vitin 2012. Shkova në xhami dhe pas kësaj dite, gjëra të mrekullueshme kanë ndodhur në jetën time

Çfarë ndodhi pas konvertimit?

U martova me një grua të shkëlqyer, tha Mehdiu

Kjo i ndodh edhe atyre që nuk janë konvertuar në Islam, thashë unë

Duro të ta tregoj, tha Mehdiu

Ma trego, thashë unë

Unë kisha vendosur të martohesha por nuk i kisha thënë askujt dhe as kisha kërkuar ndonjë grua dhe një ditë në xhami iu luta Zotit, o Zot më jep një grua të mirë

Edhe Zoti të solli Brunildën, Mehdi?

Duro, tha Mehdiu

Tregoja më shpejt, tha Brunilda

Në xhami, ngjitur me mua, ishte një burrë dhe sapo unë mbarova lutjen ai u kthye dhe më pyeti a do të martohesh, dua i thashë

Ti me siguri je lutur me zë të lartë, dhe ai të ka dëgjuar, thashë unë

Kjo është mrekullia, tha Mehdiu, unë u luta me vete, në heshtje pa zë, pa lëshuar asnjë tingull

Kjo është e pamundur, thashë unë, po pastaj?

Ai burri më çoi në shtëpinë e vjehrrit tim dhe aty biseduam, ata kishin qenë komunistë në Shqipëri dhe ishin konvertuar në Islam shumë përpara meje

Çfarë të tha vjehrri?

Më pyeti si jeton dhe pasi folëm erdhi vajza e tij Brunilda, ajo aprovoi dhe u martuam, tani kemi dy fëmijë një djalë dhe një vajzë

Pra Brunilda u martua me ty për shkak se ia kërkoi babai?

Për shkak se Zoti vendosi që ne të martoheshim, të tjerat janë rastësi që Zoti i krijon për të lehtësuar vendimet e veta

A kishe njohur grua tjetër përpara Brunildës?

Kisha shkëmbyer puthje me një vajzë por marrëdhënie për herë të parë kam patur me gruan time

Çfarë pune bën në Bruksel, si e mban familjen?

Jam infermier, tha Mehdiu

Po në Shqipëri pse ke ardhur?

Kam ardhur për Ramazan dhe meqë familja e gruas është nga Elbasani kam ardhur në këtë xhami

Çfarë bën në xhami?

Unë kam 10 ditë rresht në xhami, lexoj dhe falem 20 orë në ditë, fle katër orë, këto janë dhjetë ditët e fundit para Bajramit dhe janë ditët më të rëndësishme për ne muslimanët

Ti jeton pa dalë fare 10 ditë mbyllur në xhami?

Shkoj në shtëpinë e gruas vetëm për të bërë dush, sepse këtu nuk ka dhe tani gruaja dhe fëmijët kanë ardhur të më takojnë siç bëjnë çdo pasdite

Fëmijët e tu janë belgë?

Sigurisht, tha Mehdiu

Si quhen?

Djali quhet Rajan që do të thotë Dera e Parajsës

Po vajza?

Asije,

Mehdi kam edhe një pyetje, thashë unë

Po, tha Mehdiu

Ti si e ke emrin?

Mehdi,

Emrin para Mehdiut, thashë unë

Para Mehdit nuk ka asgjë, tha Mehdiu

Mehdi ma thuaj emrin, thashë unë

Unë jam Mehdi, tha Mehdiu, dhe mos më pyet më, po tani kam unë një pyetje për ty

Ma bëj, thashë unë

U binde që Zoti egziston?

Mrekullia që të ka ndodhur ty nuk është e mjaftueshme për mua, thashë unë

Atëherë do të tregoj mrekulli të tjera, tha Mehdiu

Nuk mbaj dot kaq shumë mrekulli në një ditë, ndoshta një herë tjetër, thashë unë

Prit, tha Mehdiu, unë lashë takimin me Zotin dhe me familjen për të të bindur ty

Derisa Zoti donte që ti të rrije me mua dhe jo me të ka patur një arsye, thashë unë

Pikërisht, tha Mehdiu, arsyeja është se Zoti do që ti të bindesh që ai është

Mbase këtë detyrë ua ka ngarkuar dhe njerëzve të tjerë, thashë unë, po shkoj ti kërkoj

Po thua që unë nuk munda të të bind, pyeti Mehdiu

Ty tu desh ti bije botës rrotull për të gjetur Zotin, po bëj dhe unë një xhiro mbase e gjej, thashë unë

Si të duash por nuk je në rrugën e duhur, tha Mehdiu

E di, thashë unë.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?