Takimi i organizuar nga Rusia dhe Kina në Kazakistan

Takimi në Kazakistan/ Turqia aspiron të anëtarësohet në organizatën BRICS të krijuar nga Rusia dhe Kina

4 Korrik, 15:50| Përditesimi: 4 Korrik, 15:55

  • Share

Mbylli sot punimet forumi për sigurinë dhe mbrojtjen në Euroazi, që Moska dhe Pekini e shohin si një mjet për t’iu kundërvënë ndikimit të Perëndimit. Takimi i Organizatës së Shanghait për Bashkëpunim u mbajt në Astana të Kazakistanit. Një vëmendje të veçantë ka marrë Turqia dhe aspiratat e saj për anëtarësimin në organizatën BRICS, synime që mbështeten nga presidenti rus Putin.

Organizata e Shangait për Bashkëpunim, u krijua në vitin 2001 nga Kina, Rusia dhe katër ish-republika sovjetike, Kazakistani, Kirkistani, Taxhikistani dhe Uzbekistani dhe më vonë në të u anëtarësuan India, Pakistani dhe Irani.

Vendi fqinj dhe aleat i Rusisë, Bjellorusia, u bë të enjten vendi më i ri anëtar. Ndër vendet me status vëzhguesi dhe partnerë për dialog janë Turqia, Arabia Saudite dhe Egjipti.

Presidentit turk Recep Tayyip Erdogan iu dha mundësia për të biseduar nga afër me presidentin rus Vladimir Putin.

Analistët thonë se në agjendë ishte edhe dëshira e Turqisë për t’u bërë pjesë e BRICS-it, një bashkim ekonomik i vendeve si Rusia dhe Kina, së bashku me vende të tjera nga Azia, Afrika dhe Amerika Jugore.

“Ideja e një platforme të re, që do të zhvillonte tregtinë e ndërsjellë mes vendeve që janë të ndara gjeografikisht, është tërheqëse për Turqinë dhe përputhet me politikën e saj të jashtme. Mendoj se ishte një mesazh për Putinin se Turqia nuk ka ndërmend të braktisë marrëdhëniet në rritje tregtare me Rusinë”, thotë Atilla Yesilada, analist politik në firmën “GlobalSource Partners”.

Presidenti rus Putin mban lidhje të ngushta me presidentin turk Erdogan, por ka e paralajmëruar Turqinë kundër riafrimit të saj rishtazi me aleatët tradicionalë perëndimorë. Zoti Putin është mbështetës i fortë i një anëtarësimi të Turqisë në organizatën BRICS.

Analistët thonë se kjo është pjesë e strategjisë së Moskës për të balancuar përpjekjet e Pekinit për të dominuar në tregti.

“BRICS-i është si oborri i Kinës, pasi të gjitha vendet që janë ftuar janë vende me të cilat Kina dëshiron të mbajë marrëdhënie më të mira, duke anashkaluar kështu Rusinë, Indinë dhe fuqitë e tjera”, thotë Ceren Ergenc, analiste në Qendrën për Studimin e Politikave Evropiane.

Aplikimi i Turqisë për në organizatën BRICS vjen pasi përpjekjet prej disa dekadash për anëtarësim në Bashkimin Evropian vazhdojnë të jenë të pasuksesshme, për shkak të shqetësimeve për të drejtat e njeriut. Ky lloj ngërçi dëmton mundësitë e Turqisë për të bërë tregti, duke e shtyrë presidentin Erdogan që të kërkojë alternativa të tjera.

“Luajti rol fakti se ishte tepër i zemëruar ndaj BE-së që nuk po përparon me anëtarësimin e Turqisë dhe nuk ka caktuar një datë për këtë”, thotë zoti Yesilada.

Kjo përputhet me objektivat e përgjithshme politike të Turqisë për të mos qenë e angazhuar në një bllok të caktuar politik, në Perëndim apo në Lindje.

Zoti Erdogan sidoqoftë pritet të marrë pjesë javën që vjen në takimin e nivelit të lartë të NATO-s në Uashington, ku duhet të riafirmojë angazhimet e ndërmarra me Perëndimin në fushën e sigurisë.

Por analistët thonë se kërkesa e Turqisë për anëtarësim në organizatën BRICS shërben si një kujtesë e pakëndshme se Ankaraja vazhdon të shohë përtej aleatëve tradicionalë perëndimorë mundësi për të realizuar objektivat e saj./ VOA

G.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Aliii: 04/07/2024 18:36

    Bota po dahet ne dysh, dhe kjo mute te na qoje ne nje lufte te 3

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?