Politikë

Takimi në Kretë/ Balla për Report TV: Nesër bëhen bashkë të gjithë shqiptarët pa asnjë dallim, të majtë apo të djathtë! Në Milano përmbyllim turin e diasporës

28 Mars, 14:30| Përditesimi: 28 Mars, 15:06

  • Share

Drejtuesi politik për diasporën, Taulant Balla deklaroi se në takimin e së shtunës në Kretë do të marrin pjesë emigrantët shqiptarë pa asnjë dallim, të majtë e të djathtë. Në një lidhje live nga ishulli grek për “Sot Live në Shqipëri” në Report TV, ai tha vlerësoi kontributin e jashtëzakonshëm që kanë shqiptarët në këtë zonë ndërsa përmendi edhe faktin se në disa qytete në Kretë mbahen edhe klasa në gjuhën shqipe.  

“E vërteta është që kam konstatuar me krenari në takimet me drejtuesit më të lartë të pushtetit vendor dhe jo vetëm këtu se shqiptarët kanë kontribut të madh në ekonominë këtu. Dua të nxjerr një element shumë thelbësor që ka të bëjë me faktin se prej vitesh në ishullin e Kretës, edhe në qytete të tjera, funksionojnë më së miri edhe klasat e gjuhës shqipe. E kemi përzgjedhur takimin këtu me bashkëatdhetarët nisur nga suksesi i tyre këtu, për t’i falenderuar dhe bërë bashkë. Lajmi i bukur nga Kreta nesër është se do të jenë gjithë shqiptarët pa asnjë dallim, të majtë apo të djathtë. Zgjedhjet e 11 majit nuk janë thjesht zgjedhjet e radhës, por mandati i të cilave do t’i japë Shqipërisë anëtarësimin në BE dhe pasaportën e një qytetari të BE. Kjo është arsye pse jemi bërë të gjithë bashkë.”, u shpreh Balla.

Balla e cilësoi votën e diasporës si një fitore të madhe për të gjithë shqiptarët që jetojnë jashtë dhe një borxh të kthyer nga ana e shtetit për të gjithë ndihmën e tyre ndër vite.

“Ndaj spektikëve që luftuan për të penguar votën e diasporës, është fitore e madhe për të gjithë bashkëatdhetarët në diasporë. Për Shqipërinë evropiane është ngjarje historike, riparohet një borxh i madh që ua kemi bashkëatdhetarëve. Dua të ndaj edhe një fakt historik, e parë si e tillë tejkaloi një rekord që ishte vendosur 17 vite më parë në vitin 2008 dhe kjo është shenjë besimi që bashkëatdhetarët kanë. Diaspora është avokati më i paanshëm, është vlerësim për rrugën e duhur që Shqipëria jonë ka marrë. Në gjithë këto muaj takimesh, kryefjala e të gjitha bisedave është se shqiptarët jashtë Shqipërisë ndihen krenarë të thonë se janë shqiptarë. 10 vite më parë ishte shumë e vështirë për ta ta thoshin një gjë të tillë, ndërkohë që sot e thonë me plot gojën se janë krenarë.”, shtoi Balla.

Ministri deklaroi gjithashtu se takimi që do të mbahet në Milano do të jetë përmbyllja e turit të diasporës.

“Këto tre takime janë planifikuar si përmbyllëse të një turi që ka filluar me diasporën prej shumë vitesh. PS prej shumë vitesh ka qenë në takime me diasporën por kemi edhe strukturat tona. Në këtë këndvështrim koha në dispozicion është e shkurtër, në 13 prill përmbyllim turin me takimin e madh në Milano.”, përfundoi Balla.

Xh.D/I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Programi i PS, a ju duken të realizueshme objektivat ekonomikë?