"Samiti në Budapest? Do të dukem supersticioz, por këtë herë do të provoja në një vend tjetër": Donald Tusk, kryeministri i Polonisë, shprehu me një postim në Twitter dyshimet e tij për vendin ku duhet të zhvillohet takimi i shumëpritur mes Putinit dhe Zelenskyt për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Tusk i referohet marrëveshjes së nënshkruar në vitin 1994 në kryeqytetin hungarez, e cila do të duhej të garantonte pavarësinë e Kievit. "Ndoshta jo të gjithë do ta kujtojnë – shkruan kryeministri polak – por në vitin 1994 Ukraina kishte marrë garanci për integritetin territorial nga Shtetet e Bashkuara, Rusia dhe Mbretëria e Bashkuar. Në Budapest. Ndoshta jam supersticioz, por këtë herë do të përpiqesha të gjeja një vend tjetër". Me mendjen e sotme, nuk shkoi edhe aq mirë.
Më 5 dhjetor 1994, në Budapest u takuan presidenti amerikan i atëhershëm Bill Clinton, homologu i tij rus Boris Yeltsin, kryeministri britanik John Major dhe Leonid Kucma për Ukrainën. Ata nënshkruan një memorandum ku ishin vënë me shkrim garancitë për pavarësinë e Kievit. Nga njëra anë, Ukraina pranonte t’ia kthente Moskës të gjitha kokat bërthamore të mbetura në territorin e saj pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik; në këmbim, merrte garanci për integritetin e saj territorial, sovranitetin dhe pavarësinë. Garanci që, fatkeqësisht, u zhdukën me sulmin ndaj Krimesë në vitin 2014 dhe më pas me pushtimin e shkurtit 2022.
Nëse bie hipoteza e një takimi të ri në Budapest si vend i samitit, mbetet në lojë opsioni i Gjenevës, qytet i një shteti neutral dhe tashmë seli e organizatave ndërkombëtare. Qeveria zvicerane ka dhënë tashmë gatishmërinë e saj duke siguruar se do të "ngrijë" edhe urdhër-arrestin për krime lufte që rëndon mbi Vladimir Putinin nga ana e Gjykatës Penale Ndërkombëtare./Corriere della sera
Komente
