'Takohemi bashkë e ikim në Vlorë...'/ Dalin përgjimet që zbuluan vrasësit e Nardit të Bujtinave

15 Prill 2019, 21:07| Përditesimi: 15 Prill 2019, 21:12

  • Share

Disa pamje filmike të kamerave që administrohen nga Ministia e Mjedisit,kanë zbardhur autorin e vrasjes së Nard Polia në 20 mars 2019 në Shkodër. Filmimet e sekuestruara në kohë nga prokuroria dhe policia e Shkodrës, kanë zbuluar siluetën e autorit të krimit Kristjan Sulaj,i cili pasi djeg motorin hipën në një automjet tip “Audi A4” dhe largohet duke humbur gjurmët.Silueta e fundit e vrasësit të Nard Polia,vërehet në 23 mars 2019, ora 00:13, kur është larguar nga Shqipëria nëpërmjet PKK Hani i Hotit, me automjetin me targë AA 523 EU. Ndërkohë pas kryerjes së vrasjes sipas prokurorisë duke ju referuar përgjimeve telefonike rezulton se Gilbert Toma komunikon me numrin e telefonit ___734093 duke i thënë: “...Takohemi bashkë të ikim në Vlorë...”. Pas disa biseda të përgjuara dhe sigurimin e pamjeve filmike që duket autori të largohet është urdhëruar policia që të arrestojë pronarin e “Audit A4” dhe dy miqtë e tij. Ndërkohë Kristjan Sulaj, është shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi është provuar se ai është larguar jashtë shtetit. Sipas akuzës të dyshuarit Gilberto Toma, Alfred Martini dhe Kleandro Toma janë arrestuar nga policia e Shkodrës, në 24mars 2019, pasi dyshohen nga si autorë të veprës penale të “Vrasjes me paramendim” dhe “Mbajtje pa leje të armëve, armëve shpërthyese dhe municioneve”.

Në datën 20 mars 2019, rreth orës 16:30, në vendin e quajtur kryqëzimi i fshatit Grudë dhe Guci,njësia Administrative Rrethina, Shkodër, përballë ish-Fushës së Aviacionit, është vrarë me armë zjarri në automjetin e tij tip fuoristradë marka “Toyota”, me targë AA 099 XM, Nard Polia, nga Thethi, Njësia Administrative Shalë, Bashkia Shkodër. Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes janë gjetur dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 16 gëzhoja me kalibër 7,62 mm, 2 predha të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale për ekzaminime të mëtejshme. Gjatë këqyrjes së kufomës Nard Polia, konstatohen 11 plagë hyrëse-dalëse të shkaktuara nga armë zjarri. Gjatë këqyrjes së autopsisë në trupin e viktimës, u gjetën 3 predha plumbi, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale për ekzaminime të mëtejshme. Gjithashtu në rrobat që viktima mbante veshur u gjetën dy predha plumbi, të cilat u morën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale për ekzaminime të mëtejshme. Gjatë kontrollit të territorit, në vendin e quajtur “Ura e Mesit” është gjetur i djegur plotësisht një motor pa targa, i cili dyshohet se është përdorur nga autori gjatë kryerjes së ngjarjes. Gjatë këqyrjes së motorit, në pjesën e majtë kishte të stampuar numrin 5800.

Pamjet filmike zbuluan autorin, hipi në “Audi”
Nga këqyrja e pamjeve filmike rezulton se gjatë itinerarit të lëvizjes së viktimës Nard Polia me automjetin tip “Range Rover Discovery”, me ngjyrë të zezë e me targë AA 644 AX, konstatohet duke e ndjekur e lëvizur nga pas, gjatë gjithë ditës, një automjet tip “Audi A4”, me ngjyrë blu e errët, me targë AA 249 OT, me itinerar lëvizjeje nga rotondo kryqëzimi i ish-Degës, rrugën “Gjuhadol”, te Dugajtë e Reja, te sheshi “Prek Cali”, rrugës “Pogej”, në kryqëzimin e Rusit, në rrugën “Lëvizja e Postribës”, tek ish-Fermentimi, në Stom Golem, te servis “Vani” në pronësi të vëllezërve Mirashi dhe te vendi i ngjarjes. Gjithashtu, nga pamjet filmike konstatohet një person në një motor, me skafandër në kokë, i cili pas kryerjes së krimit lëviz nga vendi i ngjarjet në drejtim të kryqëzimit të Stom Golemit, aty bën rreth-rrotullimin dhe kthehet rrugës së Hotit të Ri në drejtim të fshatit Mes dhe nga pas e  ndjek autovetura tip “Audi A4” me ngjyrë blu e errët. Më pas, motori kalon urën e Mesit, ndalon duke djegur motoçikletën dhe hipën në mjetin autoveturë tip “Audi A4” me ngjyrë blu e errët, me targë AA 249 OT, e cila po e shoqëronte nga pas motoçikletën pas kryerjes së ngjarjes. Këto pamje janë fiksuar nga kamerat e sigurisë që administrohen nga salla operative e Ministrisë së Mjedisit. Mbi bazën e verifikimeve të kryera, rezulton se automjeti tip “Audi A4”, me ngjurë blu, me targë AA 249 OT, është në përdorim të Kleandro dhe Gilbert Toma, me banim në lagjen “Skënderbeg”, Shkodër.

Përgjimet telefonike “...Ikim drejt Vlorës...”
Nga interceptimet e komunikimeve telefonike rezulton se Gilbert Toma komunikon me numrin e telefonit ___734093 duke i thënë: “...Takohemi bashkë të ikim në Vlorë...”.Nisur sa më sipër, duke parë kushtet e emergjencës se subjekti mund të largohet apo fshhur për ndonjë kohë të gjatë, mund të dëmtohen apo zhduken provat e administruara në lidhje me këtë ngjarje, policia ka bërë ndalimin me iniciativë të Gilbert Toma, i dyshuar si bashkëpunëtor në ngjarjen e mësipërme. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e Gilbert Toma dhe Kleandro Toma, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 7 fishekë që përdoren nga armët e zjarrit të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm, 12 fishekë që përdoren nga armët e gjahut, një palë targa të vjetra shqiptare SH4059C, një palë targa italiane PV656626, si dhe 3 shkopinj gome që përdoren nga Policia e Shtetit.

Dëshmitë kontradiktore të autorëve të krimit
Në shpjegimet e tij, shtetasi Gilbert Toma deklaron se, në datën 20 mars 2019, në drekë, ka qenë duke qëndruar te lokal “Oslo” dhe është telefonuar nga i vëllai i tij, Kleandro Toma, i cili i ka thënë që t’i jepte mjetin tip “Audi A4”, me targë AA 249 OT, Kristjan Sulaj (Martini-Doçaj), se për çfarë nuk i ka dhënë shpjegime. Atëherë Gilberti ia ka dhënë mjetin në përdorim Kristjan Sulaj (Martini-Doçaj), me të cilin është një lidhje e ngushtë shoqërore. Këtë mjet, sipas deklarimeve të Gilbert Toma, rreth orës 18:30 po të kësaj date, ia ka sjellë te lokal “Oslo”, në lagjen “Tom Kola”, vëllai i Kristjanit, shtetasi Alfred Martini. Ndodhur në këto kushte, nga ana e shërbimeve të policisë gjyqësore është ushtruar kontroll në banesën e Kristjan Sulaj (Martini-Doçaj) dhe Alfred Martini, e ndodhur në fshatin Bardhaj, Njësia Administrative Rrethina, Bashkia Shkodër, ku gjatë kontrollit nuk u gjet asgjë e kundërligjshme.

Në banesë u gjet Alfred Martini (Doçaj), ndërsa vëllai i tij Kristjan Sulaj, nuk u gjet në banesë. Pas verifikimeve të kryera, rezulton se Kristjan Sulaj, në 23 mars 2019, ora 00:13, është larguar nga Shqipëria nëpërmjet PKK Hani i Hotit, me automjetin me targë AA 523 EU. Nga ana tjetër Alfred Martini deklaroi se ai dhe vëllezërit e tij kanë në administrim Bar Kafe “Oslo”, që ndodhet pranë sheshit “Prek Cali” Shkodër dhe se pranon faktin që me vëllezërit Kleandro dhe Gilbert Toma janë në lidhje të ngushtë shoqërore dhe se në datën 20.03.2019, vëllai i tij Kristjani, i ka marrë në përdorim automjetin tip “Audi A4”, me ngjyrë blu, me targë AA 249 OT, shtetasit Gilberto Toma, mjet të cilin Alfredi ia ka kthyer Gilbertos në darkë, te lokali bar kafe “Oslo”. Alfred Toma nuk jep shpjegime lidhur me mjetin tip “Audi”, se ku e ka marrë mjetin dhe kujt ia ka marrë mjetin për t’ia dërguar shtetasit Gilbert Toma. Në këto kushte, policia gjyqësore, duke pasur dyshimin e arsyeshëm në kryerjen e veprave penale në bashkëpunim si dhe fshehjen e fakteve dhe rrethanave, ka bërë ndalimin me iniciativë të shtetasit Alfred Martini.

Në 25 mars 2019, me kërkesën e policisë, është paraqitur pranë Komisariatit të Policisë Shkodër, Klendro Toma pasi dyshohej si bashkautor në vrasjen e shtetasit Nard Polia, i cili ka qenë personi që ka telefonuar vëllain e tij Gilbert Toma, që t’i jepte mjetin tip “Audi A4” në përdorim Kristjan Sula (Martini-Doçaj), kjo sipas dëshmisë së Gilbert Toma. Ndërsa në deklarimin e tij, Kleandro Toma, jep version ndryshe, duke deklaruar se në mëngjesin e 20 mars 2019, ditën e mërkurë, e kishte marrë në telefon shoku i tij Kristjan Martini, duke i thënë: “...Hajde më merr te rruga e banesës së kushëririt, në lagjen Skënderbeg...” dhe Kleandro ka shkuar aty me mjetin e tij tip “Audi A4”, ka marrë Kristjanin dhe së bashku kanë shkuar për të pirë kafe në një lokal në rrugën “Pogej” dhe pasi kanë pirë kafe kanë bërë xhiro nëpër qytet së bashku. Rreth orës 14:00, Kristjani i ka thënë Kleandros: “...ma merr mjetin se ashtu i kam punët...” dhe Kleandro i ka dhënë mjetin dhe ka ikur për në shtëpi në këmbë. Këto deklarime bien ndesh me deklarimet e vëllait të tij lidhur me dhënien e mjetit shtetasit Kristjan Sulaj (Martini).

Gjithashtu Kleandro Toma deklaron se rreth orës 18:30, të datës 20 mars 2019, e ka marrë në telefon Alfred Martini duke i thënë: “...dil te rruga e shtëpisë tënde se po të sjellim mjetin...”. Ai ka dalë, janë takuar bashkë dhe me kërkesën e Alfredit, e ka përcjellë deri në qendër të fshatit Bardhaj me mjetin e tij,e pastaj është kthyer te lokal “Oslo” ku ka pirë kafe me vëllanë e tij Gilberton dhe me një shok tjetër. Edhe në kë pjesë deklarimi ka thënie të kundërta me vëllanë e tij Gilberto Toma, pasi ky i fundit ka deklaruar se mjetin e tyre e ka sjellë Alfredi te lokal “Oslo”. Në vijim të deklarimeve, shtetasi Kleandro Toma shprehet se:“...në datën 24 mars 2019, kur mësova se më kërkonte policia, më ka kapur paniku dhe kam humbur telefonin tim...”. Sa më sipër, gjykata e Shkodrës ka ç’muar se ka një dyshim të arsyeshëm e të mbështetur në prova se të dyshuarit Gilberto Toma, Alfred Martini dhe Kleandro Toma kanë konsumuar veprën penale “Vrasje me paramendim” dhe “Mbajtje pa leje të armëve, armëve shpërthyese dhe municioneve”.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?