Luigi Di Maio dhe ministrja Meliza Haradinaj-Stublla

Ministri italian Di Maio në Prishtinë: BE të sigurojë vaksinat për Ballkanin

30 Dhjetor 2020, 15:54| Përditesimi: 30 Dhjetor 2020, 16:47

  • Share

Ministri i Jashtëm Italian, Luigi Di Maio, zhvillon sot një vizitë në Kosovë, ku është takuar edhe me homologen e tij, Meliza Haradinaj-Stublla. Takimin e parë Di Maio e zhvilloi me trupat italiane që shërbejnë në kuadër të KFOR-it. Në këtë takim kryediplomati italian tha se Komisioni Evropian duhet të ketë iniciativë të dedikuar për sjelljen e vaksinave në Ballkanin Perëndimor.

"Italia nuk është tërhequr edhe pse në situatë të vështirë dhe ka çuar përpara, falë aftësisë  së shtetasve ushtarakë në fushën mjekësore, mbështetjen e autoriteteve kosovare në luftën kundër COVID.  Ashtu siç po i kërkojmë Komisionit Evropian përshpejtimin e blerjes së vaksinave për përfitimin e qytetarëve italianë, tani e konsideroj të rëndësishme dhe urgjente që Komisioni, përveç iniciativave të planifikuara tashmë, të marrë një iniciativë të dedikuar posaçërisht për blerjen drejtpërdrejt dhe sa më shpejt të jetë e mundur të dozave të mëtejshme të vaksinimit për  popullsitë e Ballkanit Perëndimor, të testuara rëndë nga pandemi", tha Di Maio.

"Siç i shpjegova Komisionerit Varhelyi, një iniciativë e ngjashme do të siguronte gjithashtu mbulim adekuat dhe në kohë të vaksinimit në vendet e Ballkanit Perëndimor, në interes të Evropës e veçanërisht të Italisë. Kështu i japim partnerëve tanë në Ballkan sinjalin e rëndësishëm të afërsisë dhe solidaritetit konkret, në përputhje me mbështetjen tonë për rrugën evropiane të atyre vendeve por edhe për të parandaluar që një boshllëk i iniciativës europiane të plotësohej nga aktorë të tjerë konkurrues”, përfundoi ai.

Në takimin që pati me ministrjen e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, ministri Luigi di Maio e ka siguruar edhe atë për vaksinën.

“Ministri Di Maio më premtoi se Italia po punon intensivisht me Komisionin Evropian për të krijuar një linjë të veçantë për sigurimin e vaksinave për shtetet e Ballkanit Perëndimor, në pjesën e parë të vitit 2021”, ka bërë me dije ministrja Haradinaj Stublla.

Ministrja Haradinaj-Stublla bëri të ditur se gjatë këtij takimi është diskutuar gjithashtu edhe për thellimin e bashkëpunimit në fusha të tjera me rëndësi strategjike, veçanërisht në atë të mbrojtjes dhe përkrahjes së mëtejme për fuqizimin e rinisë së mrekullueshme të Kosovës.

K.T./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?