As e sheshta dhe as progresivja nuk kanë dhënë efektet e pritshme në rritjen ekonomike. Në këtë përfundim ka dalë Akademia e Studimeve Politike, nëpërmjet një analize të kryer nga 4 ekspertë ekonomie për dy periudha të përzgjedhura (2009-2012 dhe 2015-2018).
Sipas këtij raporti si taksa e ulët që gjatë qeverisjes së PD-së ishte 10% dhe si taksa progresive e PS-së, më shumë se sa rritjes ekonomike i kanë shërbyer qëndrimit ndaj borxhit publik. Përtej dyshimit të taksave kërkohet që të ndërmerren politika për të rritur investimet duhen orientuar drejt produktivitetit të punës, përmirësimit dhe diversifikimit të strukturës së ekonomisë.
“Përfundimi se taksat e ulëta nuk arritën të frenonin ngadalësimin e rritjes ekonomike, por dhe taksat e larta nuk arritën të sillnin një rritje të qëndrueshme, tregon se përzgjedhja e taksave është element optimizues, por nuk është i mjaftueshëm për nxitjen e rritjes dhe zhvillimit ekonomik”, thuhet në studim.
Ndërkohë që e djathta kërkon të vijë në pushtet me taksën e sheshtë 9%, në vitet 2009-2013, kjo taksë gjeneroi më pak të ardhura sesa progresivja e ndjekur më pas. Në fund të vitit 2012 të ardhurat nga tatimet ishin 22.6 miliardë lekë ndërsa në 2018, ato arritën 25.7 miliardë lekë.
Ndërkohë sa i takon borxhit publik sipas raportit shënoi një rritje të fortë nga në 55.1% të PBB në 2008 në 70.4% në vitin 2013, e lidhur kryesisht me përqendrimin e investimeve në ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës. Ky trend rritës vazhdoi deri në vitin 2015 në 72.7% të PBB, kryesisht si rrjedhojë e përfshirjes së detyrimeve të prapambetura të periudhës përpara vitit 2013.
Por aktualisht në vitin 2021 nuk është më koha të flasim për politika fiskale që në thelb kanë ulje apo ngritje taksash, por të përshpejtohet diversifikimi i eksporteve, përtej Italisë, si dhe të punohet për të përshpejtuar investimet në teknologjinë e informacionit, si një parakusht për rritjen e produktivitetit dhe vlerës së shtuar.