Sipas një drafti, që po përgatit ministria e Financave dhe Ekonomisë në kuadër të Paketës Fiskale 2020, parashikohet ashpërsimi i masave kundër evazionit fiskal në lëshimin e faturave tatimore me teknologjinë e re, që do të hyjë në fuqi nga viti tjetër. Sipas tij, tatimpaguesi, i cili është subjekt i lëshimit të faturës ose faturës shoqëruese, do të dënohet me gjobë nëse nuk instalon pajisjen elektronike të faturimit, ose nuk pajiset me pajisje elektronike të faturimit të lëvizshëm dhe me printer fiskal, i cili përmban një softëare për nënshkrimin elektronik të faturës dhe nuk siguron një lidhje interneti për shkëmbimin elektronik të të dhënave me administratën tatimore si më poshtë: tatimpaguesit e regjistruar me përgjegjësinë tatimore të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin për biznesin e vogël, të cilët nuk janë të regjistruar për TVSH-në, dhe tatimpagues të tjerë dënohen me gjobë prej 50.000 lekë; tatimpaguesit e regjistruar me përgjegjësinë tatimore të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin për biznesin e vogël, dhe për TVSH-në, dënohet me gjobë prej 100.000 lekë; tatimpaguesit e regjistruar me përgjegjësinë tatimore të tatimit mbi fitimin, në përputhje me ligjin për tatimin mbi të ardhurat dhe për TVSH-në, dënohet me gjobë prej 150.000 lekë.
Blerësi ose çdo pranues i faturës së lëshuar për pagesë me para në dorë, i cili nuk e merr faturën e lëshuar, dhe, me kërkesë të personit të autorizuar të administratës tatimore, nuk i tregon faturën e marrë pas largimit nga vendndodhja e biznesit të shitësit dënohet me 100 mijë lekë nëse është tatimpagues i regjistruar për TVSH dhe/ose Tatimin mbi Fitimin; 50.000 lekë nëse është tatimpagues i regjistruar për Tatimin e Thjeshtuar mbi Fitimin.
Po kështu, probleme do të ketë edhe individi. Në rast se qytetari nuk merr me vete kur del nga dyqani dokumentin e blerjes (kupon), gjoba do të jetë 2.000 lekë nëse është individ, konsumator final. Me ligjin aktual gjoba në fuqi për konsumatorët është 1.000 lekë.
Dënimet e tjera
Por, përveç dënimit me gjobë për tatimpaguesit e regjistruar për TVSH-në bëhet vlerësim tatimor për tre muajt e fundit, duke përdorur metodat alternative.
Sipas ndryshimeve të propozuara subjekti, i cili për herë të dytë brenda vitit kalendarik, kryen një shkelje gjobitet me 100.000 lekë për tatimpaguesit e tatimit të thjeshtuar mbi fitimin e biznesit të vogël pa TVSH-së, 200.000 lekë për tatimpaguesit e tatimit të thjeshtuar mbi fitimin e biznesit të vogël me TVSH-së dhe 300.000 për tatimpaguesit e tjerë të regjistruar për tatimfitimi dhe TVSH.
Për tatimpaguesit e regjistruar për TVSH-në bëhet vlerësim tatimor për periudhat e fundit të pavlerësuara, por jo më tepër se tre muaj, duke përdorur metodat alternative, të parashikuara në nenet 71 dhe 72 të këtij ligji. Më tej, ndaj biznesit merret masa e bllokimit të veprimtarisë në vendin ku është konstatuar shkelja për 30 ditë kalendarike, e cila hiqet nëse tatimpaguesi paguan penalitetet e vendosura.
Ndryshimet përcaktojnë se tatimpaguesi që lëshon një dëftesë tatimore, me vlerë të parashtypur, që nuk përmban elementet e përcaktuara në këtë ligj dhe në aktet nënligjore, për dëftesën tatimore/biletën me vlerë të parashtypur, dënohet me gjobë, në masën 50.000 lekë.
Tatimpaguesi që lëshon dëftesë tatimore, ku ka shënuar një vlerë të ndryshme nga vlera e furnizimit, ose e çmimit të afishuar, dënohet me gjobë në masën 50.000 lekë. Kurse moslëshimi i biletave të shërbimit me vlerë të parashtypur, të prodhuara nga institucionet e autorizuara, të përdorura në sektorë të ndryshëm, dënohet me gjobë, në masën 10.000 lekë.
Në ligjin aktual të procedurave tatimore, që është në zbatim gjoba për moslëshimin të kuponëve dhe faturave tatimore, ishin 50 mijë lekë dhe rivlerësim të vlerës së mallit për çdo kategori të biznesit.
Projektligjet
Sipas një drafti, që po përgatit ministria e Financave dhe Ekonomisë në kuadër të Paketës Fiskale 2020, parashikohet ashpërsimi i masave kundër evazionit fiskal në lëshimin e faturave tatimore me teknologjinë e re, që do të hyjë në fuqi nga viti tjetër
Gjobat e parashikuara në draftin e Paketës Fiskale
Kur nuk instalon pajisjen elektronike të faturimit, ose nuk pajiset me pajisje elektronike të faturimit të lëvizshëm dhe me printer fiskal, i cili përmban një softëare për nënshkrimin elektronik të faturës dhe nuk siguron një lidhje interneti për shkëmbimin elektronik të të dhënave me administratën tatimore si më poshtë:
Tatimi i thjeshtuar mbi fitimin për biznesin e vogël, i paregjistruar për TVSH-në 50.000 lekë
Tatimi i thjeshtuar mbi fitimin për biznesin e vogël dhe TVSH-në 100.000 lekë
Tatimi mbi fitimin, në përputhje me ligjin për tatimin mbi të ardhurat dhe për TVSH-në 150.000 lekë.
Blerësi ose çdo pranues i faturës së lëshuar për pagesë me para në dorë, i cili nuk e merr faturën e lëshuar:
100 mijë lekë nëse është tatimpagues i regjistruar për TVSH dhe/ose Tatimin mbi Fitimin
50.000 lekë nëse është tatimpagues i regjistruar për Tatimin e Thjeshtuar mbi Fitimin
2.000 lekë nëse është individ, konsumator final, por nuk ka kuponin kur del nga dyqani
Subjekti, i cili për herë të dytë brenda vitit kalendarik, kryen një shkelje, për tatimpaguesit e tatimit të thjeshtuar mbi fitimin e biznesit të vogël pa TVSH-së 100.000 lekë
Tatimpaguesit e tatimit të thjeshtuar mbi fitimin e biznesit të vogël me TVSH-së 200.000 lekë
Tatimpaguesit e tjerë të regjistruar për tatimfitimi dhe TVSH 300.000 lekë
Për tatimpaguesit e regjistruar për TVSH-në bëhet vlerësim tatimor për periudhat e fundit të pavlerësuara, por jo më tepër se tre muaj, duke përdorur metodat alternative, të parashikuara në nenet 71 dhe 72 të këtij ligji. Më tej, ndaj biznesit merret masa e bllokimit të veprimtarisë në vendin ku është konstatuar shkelja për 30 ditë kalendarike, e cila hiqet nëse tatimpaguesi paguan penalitetet e vendosura.
Tatimpaguesi që lëshon dëftesë tatimore, ku ka shënuar një vlerë të ndryshme nga vlera e furnizimit, ose e çmimit të afishuar 50.000 lekë
Moslëshimi i biletave të shërbimit me vlerë të parashtypur, të prodhuara nga institucionet e autorizuara, të përdorura në sektorë të ndryshëm 10.000 lekë