Foto ilustruese

Ekonomi

Taksat vendore, tashmë në kohë reale në e-Albania

14 Gusht, 12:16| Përditesimi: 14 Gusht, 12:22

  • Share

Bizneset dhe qytetarët e Tiranës mund të kontrollojnë në kohë reale detyrimet e tyre vendore përmes shërbimit elektronik “Taksat dhe tarifat vendore - Bashkia Tiranë” në portalin unik qeveritar e-Albania. Deri më tani ky shërbim ishte i orientuar kryesisht për bizneset, por tashmë është zgjeruar edhe për qytetarët që zotërojnë njësi tregtare apo pasuri të tjera të përdorura për aktivitet ekonomik.

Ky shërbim u jep mundësinë përdoruesve të kenë qasje të drejtpërdrejtë dhe në kohë reale mbi vlerën e përditësuar të detyrimeve të tyre vendore, përfshirë penalitetet për pagesat e vonuara. Nga taksa mbi ndërtesën, truallin dhe tokën bujqësore, deri te tarifa e pastrimit, taksa e tabelës apo shfrytëzimi i hapësirës publike çdo detyrim shfaqet i detajuar sipas vitit, shumës dhe këstit.

Përveç transparencës mbi detyrimet, shërbimi “Vërtetim likuidimi të taksave dhe tarifave vendore - Bashkia Tiranë” ofron edhe mundësinë për të shkarkuar dokumentin përkatës që subjekti nuk ka detyrime ndaj Bashkisë Tiranë. Ky vërtetim mund të nevojitet për procedura të ndryshme ligjore, administrative apo tregtare dhe tani merret menjëherë, pa pasur nevojë për paraqitje fizike në sportel.

Shërbimet nuk kërkojnë asnjë dokumentacion shoqërues, procedura kryhet me vetëm disa klikime dhe informacioni është i aksesueshëm nga çdo pajisje me internet. Përdoruesit mund të shkarkojnë detyrimet e papaguara në formën e një mandati arkëtimi në çdo moment, apo vërtetimin e likuidimit të këtyre detyrimeve duke kursyer kohë dhe shmangur burokracitë.

Me këtë zgjerim, Drejtoria e Taksave dhe Tarifave Vendore në Bashkinë e Tiranës synon të thjeshtojë procedurat, të rritë transparencën dhe t’u ofrojë si bizneseve ashtu edhe qytetarëve një mjet praktik për të menaxhuar detyrimet e tyre vendore dhe për të siguruar dokumentacionin e nevojshëm në kohë

Xh.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A e zgjidh emergjencën e zjarreve në Shqipëri blerja e avionëve zjarrfikës?