Klodiana Gjini, së bashku me vajzën e saj të vogël, e ka kthyer spitalin në shtëpinë e saj të dytë. Për 9 vite me radhë, ato janë të detyruara të ndjekin trajtimet për Talaseminë, një sëmundje që sipas Klodianës, mund të ishte shmangur nëse mjekët do kishin treguar më shumë kujdes gjatë shtatzënisë së saj.
“Analizat i kisha bërë, pavarësisht se ishte një përqindje e vogël, ndoshta doktori e neglizhoje. E bëra unë si fillim, me tha mjeku, shoh diçka të vogël por duhet të sigurohem, duhet ta bëjë edhe bashkëshorti. E bëri edhe ai, edhe doktori tha nuk ka gjë. E revoltuar sepse ishte diçka që mund ta ndalonim në kohë edhe nuk ndodhi”, thotë ajo.
Ajo rrëfen se shqetësimi më i madh është e ardhmja e vajzës së saj.
“Nuk e dimë se çfarë do ndodhë në një të ardhme, pasiguria është gjithmonë. Ndodh jo që ndodhi edhe pasojat i vuan fëmija më shumë se prindi”, shprehet Klodiana Gjini.
Ndryshe nga Klodiana, Antuela 45-vjeçare, e cila vuan gjithë jetën nga talasemia ka vendosur të mos të behët nënë.
“Mjekët nuk e kishin specializimin dhe njohuritë e duhura, ndaj shumë trajtime nuk u bënë ashtu siç duhej edhe kjo bëri që unë mos të arrija të kisha fëmijë atëherë kur duheshin, tani është edhe pak vonë. Por ishte edhe një lloj zgjedhje”, thotë aji.
Për drejtoreshën e QSUT, është e rëndësishme kryerja e testimit parandalues për prindërit e rinj.
‘Është më mirë të parandalosh se sa të trajtosh. Këtu bëhen ekzaminime gjenetike ku bëhet edhe mundësia e parandalimit e kësaj patologjie”, deklaron Sinkron Alma Cani, Drejtoreshë e QSUT.
Sipas mjekëve, në qendrën e trajtimit aktualisht janë të regjistruar rreth 350 pacientë me Talasemi.
“Këtë vit nuk kemi asnjë fëmijë të regjistruar, vitin e kaluar nuk kemi asnjë fëmijë të regjistruar. Kemi një fëmijë të vogël mbi 1 vit e gjysme me talasemi major dhe ai është në procedurë për të kryer transplantin e qelizave staminale, jashtë vendit”, shprehet mjekja onkohematologe Manika Kreka.
Ndërkohë, nevoja për gjak për këta pacientë mbetet shumë e lartë, ndërsa apeli për dhuruesit është gjithnjë e më i fortë.
“Mundohem të dhuroj gjak sa më shpesh sepse është një veprim shumë i mirë humanitar, jo vetëm për njerëzit që kanë nevojë për gjak por edhe për vet personin që dhuron.”
Në ditën ndërkombëtare të talasemisë ndërgjegjësimi edhe sensibilizimi për dhurimin e gjakut është i domosdoshëm. Dhuro gjak, shpëto jetë.
Komente
