Prej disa dekadash bota ka njohur akte të ndryshme të terrorit dhe sigurisht ato që kanë lënë mbresë janë rrëmbimet e avionëve apo aktet kamikaze të tyre për qëllime kauzash ose interesash që individë, organizata apo shtete që financojnë terrorin i përdorin për të arritur qëllimet e tyre.
Akti më i rëndë dhe më i bujshëm terrorist është ai i 11 shtatorit 2001 kur avionë të rrëmbyer në ajër nga anëtarë të Al Kaedës e me urdhër të Bin Ladenit, goditën Kullat Binjake në New York dhe selinë e Pentagonit. Shtetet e Bashkuara u tronditën bota u trondit.
11 shtatori ishte dita kur qiejt e Amerikës u mbyllën. U mbyllën me autorizim të Presidentit Amerikan të kohës George W Bush në një vendim të paprecedentë që më pas futi Amerikën në luftë me talebanët në Afganistan. Një akt dhe skenar me një kontekst krejt tjetër shfaqet pas 20 vjetësh në Shqipëri.
Ata që duhet të sigurojnë fluturimet edhe në raste të jashtëzakonshme si ato të pengmarrjeve terroriste, shndërrohen vetë në terroristë e marrin peng jo një fluturim, por të gjithë hapësirën ajrore të Shqipërisë.
Me urdhër të Bin Ladenit politik ose idhërarëve e bashkëpunetorëve të tij po përdoret ose vetpërdoret një grup “kamikazësh inteligjentë” për të kryer këtë pengmarrje. Pa luftë, pa bomba, pa thika. Vetëm me indoktrinim, skenar dhe kurth politik.
Prej gati 48 orësh Shqipëria dhe shqiptarët janë marrë peng. Sa do dhe si do ta kamuflosh dhe interpretosh, kjo që po ndodh me Aeroportin e Rinasit është një akt i pastër terrorist, pa viktima bombash e armësh, por me viktima të një lloji tjetër.
Të sëmurë nuk kanë udhëtuar dot drejt spitaleve për ndihmë mjekësore jashtë vendit, të tjerë nuk janë kthyer dot në Shqipëri pas kurimit jashtë, ardhja e vaksinave është ndërprerë, kosto biznesi e shërbimesh të tjera iu mungojnë sot mijëra bashkatdhetarëve, pa përmendur këtu interesat e dëmtuara të të huajve që kanë lidhje biznesi e punësh me Shqipërinë.
Dëmi imazhit të vendit në arenën ndërkombëtare kolosal. Kjo vetëm se politika për qëllimet e saj po përdor çdo mjet për pushtet. Ata punonjësit e shndërruar ndoshta edhe padashjen, padijen ose nxitimin e tyre në kamikazë sido të paraqesin rastin, në thelb nuk bindin dot asnjeri që kjo nuk është thjeshtë çështje pagash.
Ata mund të arrijnë të besojnë edhe vetë gënjeshtrën e tyre, por nuk mund të bindin dot shqiptarët që sot kanë mbetur aeroporteve të botës sepse 64 kamikazë kanë marrë peng hapësirën ajrore të Shqipërisë dhe një pjesë të hapësirës ajrore të NATO-s se janë të stresuar në punë.
Loja ku kanë hyrë e futur vendin është shumë e rrezikshme e me një peshë të rëndë që akoma nuk ia kanë kuptuar pasojën. Ndaj ky nuk është një akt i thjeshtë civil dhe proteste ndaj një padrejtësie. Rasti specifik i pasojave që prodhon, përjashton çdo arsye si të paarsyeshme.
Ky është një akt i cili duhet analizuar, vlerësuar dhe hetuar si një akt terrorist. Etja për pushtet nuk mund të justifikojë dhe tolerojë skenarë të tillë.
Ky është ndër rastet që organet ligjzbatuese vërtetë duhet të bëjnë shembull ata që iu futën kësaj loje dhe po të jenë e kenë këllqe të provojnë edhe përgjegjësinë e Bin Ladenit politik që për pushtet po merr peng një shtet. Paradoksi më i madh është se Shqipërinë e kanë marrë dhe mbajnë peng shqiptarët.