Talebanët gjithmonë e më tepër vendosin rregulla të ashpra për gjininë femërore. Pas mbylljes së universiteteve në vend për to, tani grave nuk u lejohet as të studiojnë në Dubai edhe pse kanë një bursë.
Pasi talebanët mbyllën universitetet për gratë, shpresa ime e vetme ishte të merrja një bursë që do të më ndihmonte të studioja jashtë vendit”, tha studentja 20-vjeçare afgane Natkai.
Natkai thotë se ajo vazhdoi të studionte edhe pse kishte pak mundësi të ndiqte universitetin në atdheun e saj. Më pas asaj iu dha një bursë për të studiuar në Universitetin e Dubait në Emiratet e Bashkuara Arabe nga një biznesmen miliarder nga Emiratet.
Bursat për gratë afgane u shpallën në dhjetor 2022 pasi talebanët ndaluan gratë nga universiteti. BBC tha se gjithsej 100 gra afgane kanë marrë bursa.
Disa studentë afganë që jetojnë jashtë vendit kanë udhëtuar tashmë në Dubai. Të mërkurën, Natkai i tha lamtumirë familjes së saj dhe u nis për në aeroport.
Por shpresat e saj u shuan shpejt. “Kur zyrtarët talebanë panë biletat tona dhe vizat studentore, ata thanë se vajzave nuk u lejohet të largohen nga Afganistani me viza studentore”, tha ajo.
Natkai është një nga të paktën 60 vajzat që u kthyen nga aeroporti. Fotot e para nga BBC tregojnë vajza të reja duke qëndruar pranë bagazheve të tyre në një gjendje shoku dhe shkatërrimi.
Talibanët kanë ndaluar udhëtimet për gratë e vetme dhe i lejojnë ato të shkojnë jashtë vendit vetëm me burrat e tyre ose një shoqërues mashkull, si vëllai, xhaxhai ose babai, i njohur si mahram, një shoqërues mashkull.