Talebanët kanë përjashtuar vajzat nga shkollat e mesme afgane, pasi ata urdhëruan që vetëm djemtë dhe mësuesit meshkuj të ktheheshin në klasë.
Një deklaratë nga grupi islamik që thotë se klasat e mesme do të rifillonin nuk përmendte vajzat apo gratë. Grupi i linjës së ashpër islamike ka rrëzuar Qeverinë e përkrahur nga Perëndimi muajin e kaluar, duke u zotuar për ton më të butë, për dallim nga vitet 1990, kur grave u është ndaluar edukimi dhe puna.
Pavarësisht premtimeve të talebanëve, kjo është shenja e fundit që Afganistani po kthehet në sundimin e ashpër të viteve 1990.
Në urdhrin e bërë publik nga Ministria e Edukimit nuk thuhet asgjë për kthimin e grave.
“Të gjithë mësuesit burra dhe nxënësit duhet të marrin pjesë në institucionet edukative”, është thënë në deklaratë, para se të niste mësimi të shtunën.
Shkollat e mesme, me nxënës të moshave nga 13 deri në 18-vjeçare, zakonisht ndahen në baza gjinore në Afganistan. Gjatë pandemisë ato janë mbyllur vazhdimisht, mirëpo mbyllja më e madhe është vërejtur prej ardhjes së talebanëve në pushtet.
Prej ndërhyrjes së Shteteve të Bashkuara në Afganistan më 2001, është raportuar për përparim të konsiderueshëm në edukimin e vajzave. Shkollat fillore tashmë janë hapur me klasa të ndara të djemve dhe vajzave dhe në disa shkolla janë kthyer në punë edhe mësueset gra.
Regjimi i ri ua ka ndaluar grave shkuarjen në universitete private, si dhe u ka caktuar rregull të ri për veshje dhe lëvizje.